Edhe pak ditë mbeten nga afati për vetdeklarimin e llogarive bankare të klientëve në banka për qëllime tatimore. Me datën 30 korrik përfundon, proces ky që nisi në kohën e pandemisë por nuk është zhvilluar normalisht për shkak të kufizimeve në lëvizje.
Lexo edhe këtë: Deklarimi i 3 milionë llogarive bankare të shqiptarëve, tatimet do marrin gjithë informacionin edhe nga shtetet e huaja, si do ta përdorin atë?!
Individët dhe bizneset do të vetëdeklarojnë me një formular të posaçëm vendbanimin e tyre dhe numrin tatimor. Këto të dhëna, bashkë me informacionet mbi llogaritë bankare, do të mund të përdoren nga autoritetet tatimore në 112 shtete, në kuadër të një nisme globale për të luftuar evazionin fiskal, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.
Ky proces vetëdeklarimi është një detyrim që rrjedh nga Ligji për Shkëmbimin Automatik të Informacionit mes vendeve europiane, i cili në Shqipëri hyri në fuqi në janar të këtij viti. Ligji synon të bëjë llogaritë bankare të hapura për institucionet tatimore dhe të luftojë problemin e evazionit fiskal në llogaritë offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit.
Nga pikëpamja e ligjit detyrohen të plotësojnë formularin jo rezidentët që jetojnë në Shqipëri, por duke qenë se ka shumë shtetas shqiptarë që kanë më shumë se një rezidencë tatimore, ku peshën më të madhe e mbajnë emigrantët, bankat në Shqipëri, kanë vendosur që të thërrasin për plotësimin e formularit të gjithë klientët me llogari.
Në fund të vitit 2019, Banka e Shqipërisë raportoi se numri i llogarive bankare kishte arritur në mbi 2.94 milionë. Mbajtësit e këtyre llogarive do të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit, me të dhënat personale si emri, vendbanimi dhe numri tatimor.
Në zbatim të ligjit datë 31.01.2020 institucionet Financiare në Shqipëri janë të detyruara të përcaktojnë masat e nevojshme për të identifikuar vendin ku klientët e tyre paguajnë taksat (këtu përfshihen persona privatë, subjekte, dhe në rrethana të caktuara persona kontrollues) si dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të vendit tatimor.
Institucioneve Financiare u kërkohet më tej të raportojnë llogaritë financiare të mbajtura nga klientët të cilët për qëllime tatimore janë rezidentë në një juridiksion pjesëmarrës, tek Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve i cila mund të shkëmbejë informacionin me autoritetet tatimore të një vendi tjetër ose të vendeve në të cilat klienti (ose në disa rastet personat kontrollues) mund të jenë rezidentë tatimor.
Shqipëria është zotuar të shkëmbejë informacion automatikisht në vitin 2020. Shqipëria gjithashtu është antarësuar në Marrëveshjen Shumëpalëshe të Autoritetit Kompetent (MCAA) për shkëmbimin e informacionit, me nënshkrimin e saj në tetor të vitit 2014. Kjo Marrëveshje u miratua me vendimin nr.178 datë 09.03.2016. Detyrimin për shkëmbimin e informacionit e ka Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), e cila do të mbledhë të dhënat nga institucionet financiare dhe do t’a shkëmbejë atë automatikisht me vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes
Sipas Drejtorisë së përgjithshme tatimeve, për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin automatik të informacionit (AEOI).
CRS për AEOI kërkon që institucionet financiare të një juridiksioni raportues, të mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive te cilët janë rezidentë të shteteve të tjera.
Një informacioni i tillë duhet të transmetohet “automatikisht” për çdo vit.
Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.
Sipas standardit, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive dhe të pronësisë.
Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm. informacioni që do të shkëmbehet nuk ka të bëjë vetëm me individët, por edhe me kompanitë dhe NFE-të (entitete jo financiare) pasive të cilat kanë pronar përfitues rezident në shtetet e tjera.
Më tej, raportimi duhet të bëhet për një gamë të gjerë të produkteve financiare, nga një gamë e gjerë institucionesh financiare, përfshirë bankat, institucionet depozituese, sipërmarrje të investimeve kolektive dhe kompanitë e sigurimeve.
\
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.