Marrëveshja e rishikuar e vendit pritës mes Shqipërisë dhe projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline mori miratimin e Kuvendit.
Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shprehjen e vullnetit të TAP për:
– Rishikimin e periudhës së stabilitetit fiskal, që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatimfitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh; – Rritjen e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;
– Dyfishimin e fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350,000 euro në 700,000 euro;
-Memorandumin e Mirëkuptimit, që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit në Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale.
Në vitin 2012, qeveria shqiptare e asaj kohe, hyri në bisedime me gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (projektin) duke supozuar se mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë do të lidhej dhe nënshkruhej një marrëveshje me qeveritë e vendeve pritëse, e cila më pas do të depozitohej pranë parlamenteve përkatës për ratifikim.
Ndërsa në prill 2013, Parlamenti shqiptar nënshkroi Marrëveshjen Krahasuese.
Më pas, në dhjetor të 2013-s, edhe Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Vendit Pritës.
Kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të gjitha shtetet, pasi përmes saj përcaktohen përfitimet dhe detyrimet nga ky projekt, i cili do të ndikojë jo pak në ekonomitë e këtyre vendeve, veçanërisht atë të Shqipërisë dhe Greqisë, si dy vende nga ku kalon më shumë ky projekt.
TAP në shifra
Gjatësia e gazsjellësit 878 km
- Greqi 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km (~1.5 km mikro tuneli në hyrjen në tokë)
- Pika më e lartë: 1,800 metra në Shqipëri
- Pika më e ulët: 820 metra në thellësi të detit Adriatik
Kapaciteti
10 bcm/vit, mjaftueshëm gaz për të furnizuar rreth 7 milionë familje.
Diametri: 1.2 m (48 inç) në pjesën tokësore; 0.91 m (36 inç) në pjesën detare.
Situata fillestare
Dy stacione kompresorësh (një në Kipoi, Greqi dhe një në Fier, Shqipëri) dhe rrjedhje e kundërt fizike e integruar.
Situata kur zgjerohet
Më shumë se 20 bcm/vit kapacitet, duke instaluar dy stacione të tjera kompresorësh, një në Serres, Greqi dhe një në Bilisht, Shqipëri.
Lidhjet
Infrastruktura me të cilën do të lidhet TAP-i: TANAP Gazsjellësi Trans Anatolian, SNAM në Itali dhe mund të lidhet me Interkonjektorin Greqi-Bullgari (IBG) dhe Gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP).
Afatet Kohore
Gusht 2015 – filluan punimet që i paraprijnë ndërtimit në Shqipëri
Verë 2016 – përfundoi shpallja e kontratave kryesore
Maj 2016 – filloi ndërtimi i tubacionit dhe instalimeve mbi tokë
Dimri 2017/ fillimi i 2018 – nisja e ndërtimeve në pjesën detare të gazsjellësit
2019 (në fund të vitit)– përfundon ndërtimi dhe kryhen testimet
2020 – gazi i parë / TAP nis veprimtarinë
Aksionerët
BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%)
Investimi në Shqipëri
Në Shqipëri do të investohen afërsisht 1.5 miliardë euro, që përfshijnë kostot e tubave dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit.
Gazsjellësi TAP në Shqipëri
-Rreth 13,000 tuba, me gjatësi 18 dhe 12 metra dhe me diametër 1.2 m, do të përdoren për ndërtimin e seksionit tokësor prej 215 km në Shqipëri.
-Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16,900 kg
-Pesha totale e tubave për seksionin tokësor në Shqipëri është rreth 116,184 tonë.
-Trysnia maksimale e operimit në Stacionin e Kompresorëve është 97 / 147 bar.
-Volumi i gërmimeve për segmentin shqiptar është përafërsisht 1,300,000 m³.
Përfitimet nga TAP-i në Shqipëri
-E vendos Shqipërinë në hartën europiane të energjisë
-Rrit rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit dhe kontribuon në integrimin tregtar dhe fizik të Shqipërisë në Europë
-Lehtëson zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe tregun e brendshëm të energjisë
-Promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës
-Nxit Investime të Huaja Direkte.
-Përmirëson infrastrukturën rrugore dhe sigurinë rrugore të Shqipërisë.
-Përmirëson të dhënat kadastrale në zonat përgjatë gjurmës së gazsjellësit.
-Investimet sociale dhe për mjedisin do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitete përgjatë gjurmës së TAP.
Ndërtimi i pjesës tokësore të Gazsjellësit në Shqipëri
-86 km nga korridori i kalimit përgjatë gjurmës së gazsjellësit janë pastruar
-76 km tuba janë vendosur në varg
-60 km tuba janë salduar
-60 km janë hapur kanale për futjen e tubave
-49 km tubacion është ulur poshtë në kanal
-49 km tubacion i bashkuar poshtë në kanal
-43 km nga tubacioni është mbuluar nëntokë
-1.4 km nga korridori i punimeve është kthyer në gjendjen e mëparshme
-86% e tubave (179 km) dhe 83% e bërrylave (665 njësi) kanë mbërritur në sheshin kryesor të magazinimit në Durrës.
Rrugët dhe Urat Ndihmëse në rajonin e Korçës, Beratit dhe Fierit
- 100% e punimeve të fazës së parë të Rrugëve dhe Urave Ndihmëse kanë përfunduar (ecuria e kombinuar e rrugëve dhe urave)
- Janë rindërtuar rreth 58 km rrugë, janë ndërtuar 2 ura të reja dhe janë rehabilituar 40 ura ekzistuese
- Faza e dytë e punimeve, që përfshijnë rehabilitimin e rreth 120 km rrugë, do të kryhet nga një kontraktor vendas i kontraktorit të TAP Spiecapag, AlbStar.
Punësimi
- Aktualisht rreth 2,700 persona punojnë direkt dhe indirekt për projektin TAP në Shqipëri
- Rreth 86% e punonjësve janë shqiptarë
Procesi i Blerjes dhe Servitutit të Tokës (LEA)
Kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim
- 8,800 ngastra toke të ndikuara gjithsej në Shqipëri (shifër e përafërt)
- Rreth 1,300 parcela të ndikuara për Rrugët dhe Urat Ndihmëse
- Rreth 7,500 parcela të ndikuara për të Drejtën e Kalimit, Tubacionin, Stacionet e Kompresorëve dhe Instalimet e tjera mbi tokë.
- Toka e marrë përkohësisht për korridorin e punimeve të tubacionit është rreth 8,170 ha.
- Toka e blerë përgjithmonë për 8 Stacionet e Valvulave të Bllokimit dhe për Pikën Daljes në det, 1 Stacion Kompresorësh dhe 1 Stacion Matjesh është gjithsej 70 ha.
- Rreth 80% e parcelave janë siguruar nëpërmjet marrëveshjeve vullnetare – 100% paguar.
- Rreth 20% e parcelave janë siguruar nëpërmjet shpronësimit – afërsisht 50% paguar.
- Përmirësimi i të Dhënave Kadastrale
- Dokumentacioni i 13,000 parcelave është përditësuar dhe përmirësuar, 17,000 hektarë.
- 25.000 është numri i përafërt i përfituesve.
Kontraktorët kryesorë të TAP-it në Shqipëri
- Shoqëria e përbashkët Gener 2 – Sicilsaldo: kontraktor për rehabilitimin e Rrugëve Ndihmëse dhe Urave në Shqipëri.
- Spiecapag: Kontraktor EPC për ndërtimi e dy loteve tokësore në Shqipëri (215 km gjithsej)
- Shoqëria e përbashkët Renco SpA – Terna SA: Kontraktor EPC për stacionet e kompresorëve të projektit.
- Saipem SpA: Kontraktor EPCI për seksionin detar, nënujor të projektit.
- ABKons: për vlerësimin, shpalljet publike dhe këshillimin publik për raportin VNMS. Aktualisht po punon edhe për Blerjen dhe Servitutin e Tokës, për të siguruar të drejtën e kalimit në Shqipëri, si dhe po ndihmon me procesin e marrjes së lejeve.
- Ka një sërë kompanish të tjera shqiptare që po punojnë si nënkontraktorë (AlbStar, Diamant Logistics, Startrans, Pelikan, Sterkaj, Albarent, Kuel, Vagalat, Gjoka, Doko, etj.)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.