Viti zgjedhor, në prag të sezonit dhe tensionet politike, do mund të kenë ndikim negativ për fluksin e turistëve, por edhe për të ruajtur trendin e shëndoshë të ekonomisë të arritur deri më tani. Kështu shprehet Drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Gent Beqiri. Ai veçon po ashtu se impakti përcillet edhe në nivelin e punësimit. Sipas drejtorit Beqiri, për klasifikimin e investitorëve strategjikë, element kyç është edhe punësimi me nivel pikënisje 50 të punësuar.
Viti 2016 u rendit më i miri për sa i përket fluksit të turistëve në Shqipëri. Por 2017 ka disa pengesa të cilat pritet të kenë ndikim negativ.
Zgjedhjet në prag sezoni për Drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, Gent Beqiri, janë një element negativ, por edhe pozitiv sepse mund të zgjasin sezonin.
Por lehtësitë e fiskale janë elemente shpresëdhënëse.
Gent Beqiri: Ky vit është pak anomal, sepse është një vit që ka dhe zgjedhjet dhe është në prag të një sezoni turistik. Do të ketë ndikim negativ, i stimuluar pastaj dhe me uljen e taksës për sektorin – urojmë që të paktën të jetë një vit po aq i mirë sa vitin e kaluar.
Sipas Drejtorit Beqiri, mesazhi i BB ishte i qartë lidhur me tensionet politike dhe klimën e biznesit. Sipas tij, investitorët kanë nevojë për garanci.
Beqiri: Inkurajues sepse shpjegon që ekonomia e Shqipërisë është një nga ekonomitë që po performon më mirë në rajon. Këtë lloj tendence ne duhet ta stimulojmë dhe jo ta frenojmë. Kjo tashmë duhet përkthyer edhe me një klimë shumë të qartë politike pa tension, me zgjedhje sa më të qeta.
Dy janë elementet për klasifikimin si investitor strategjik, niveli i investimit dhe impakti për punësim. Sipas kreut të AIDA-s, 50 të punësuar është niveli i fiksuar për investitorët.
Beqiri: Çdo investim që përkufizohet në zbatim të ligjit të investimeve strategjike patjetër që ka elemente të fiksuar për sa i përket nivelit të investimeve dhe nivelit të punësimit që si pikënisje ka 50 të punësuar plus.
Të dhënat zyrtare flasin për një regjistrim neto të sipërmarrjeve të huaja në më shumë se 1300 për vitin 2016. Peshën më të madhe e ka mbajtur sektori i energjisë.
/Oranews.tv/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.