Qeveria lehtëson gjobat për kompanitë e karburanteve dhe rafineritë

22/12/2019 11:00 PM 0 komente

Ka një tendencë të vazhdueshme të qeverisë për të rritur nivelin e masave administrative ndaj bizneseve, që gjenden në shkelje si një mënyrë për t’i orientuar ato drejt uljes së informalitetit, evazionit, por edhe rritjes së përgjegjshmërisë së të bërit biznes dhe zbatimit të standardeve. Por në një projektligj të fundit qeveria ka ecur në të kundërtën e tendencës së saj ndëshkuese. Në raport me ligjin origjinal një projektligj sjell masa administrative më të ulëta. Bëhet fjalë për projektligjin “Për metrologjinë” hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe nxjerrë së fundmi për konsultim. E teksa ka një sërë ndryshimesh në mënyrën sesi organizohet Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, si funksionon dhënia e autorizimeve për persona juridikë e fizikë apo ka një zgjatje të kohës së autorizimit nga 3 në 4 vite, ai që bie në sy është neni 54 i projektligjit.

Në fillim të këtij neni thuhet se kur inspektorët metrologë vërtetojnë se subjekti ka shkelur dispozitat e këtij ligji, kanë të drejtë të vendosin gjobë, sipas pikave 1, 2 e 3 të këtij neni dhe të kërkojnë nga subjekti marrjen e masave për ndreqjen e shkeljes, duke vendosur afat për realizimin e saj. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë. Konkretisht pika 1 e këtij neni përcakton se kjo masë gjobe për subjekte te biznesit të vogël është 20,000 lekë, për subjekte te biznesit të madh 100,000 lekë, për stacione te tregtimit të karburanteve dhe njësitë e shitjes së lëndëve djegëse 100,000 lekë, për shoqëritë që kryejnë veprimtari kërkimi e prodhimi, për rafineritë, impiante te përpunimit të naftësjellësit, për instalimet dhe terminalet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë 350,000 lekë.

Në ligjin aktual që është në fuqi kundravajtet dhe masa e gjobave përcaktohen në nenin 64 dhe në pikën 1 thuhet se masa e gjobave është për subjektet e biznesit të vogël 30,000 lekë, për subjektet e biznesit të madh 150,000 lekë, për stacionet e tregtimit të karburanteve dhe njësitë e shitjes së lëndëve djegëse 150,000 lekë, për shoqëritë që kryejnë veprimtari kërkimi e prodhimi, për rafineritë, impiantet e përpunimit të naftësjellësit, për instalimet dhe terminalet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë 500,000 lekë. Pra në të gjitha rastet projektligji në raport me ligjin ka një ulje me 1/3 të vlerës së gjobës aktuale.

Në pikën 2 të nenit 54 të projektligjit thuhet se masa e gjobës për subjektet e biznesit të vogël është 10,000 lekë dhe për subjektet e biznesit të madh nga 100,000 deri 400,000 lekë. Kjo ka të bëjë me rastet kur konstatohet mosmbajtje e rregullt e instrumenteve matëse në kundërshtim me ligjin, prodhohen apo importohen dhe hidhen në treg produkte të paketuara, shishe enë matëse që nuk plotësojnë kërkesat metrologjike.

Në ligjin aktual pika 2 e nenit 64 që është korresponduesi i atij 54 në draftin e ri shpreh se gjobat për bizneset në rastet e shkeljeve të mësipërme janë për subjektet e biznesit të vogël 30,000 lekë dhe për subjektet e biznesit të madh 150,000 lekë. Kjo është e vetmja pikë që ka rritje në masat administrative që vendosen ndaj bizneseve dhe kjo vetëm për biznesin e madh.

Në pikën e tretë që ka të bëjë sërish me industrinë hidrokarbure ligji aktual sanksionon se masa e gjobës për subjektet e biznesit të vogël është 100,000 lekë, për subjektet e biznesit të madh 750,000 lekë, për stacionet e tregtimit të karburanteve dhe njësitë e shitjes së lëndëve djegëse 1,500,000 lekë, për shoqëritë që kryejnë veprimtari kërkimi e prodhimi, për rafineritë, impiantet e përpunimit të naftësjellësit, për instalimet dhe terminalet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë 5,000,000 lekë.

Kjo vlen për shkelje të tipit hedhja në treg dhe vënia në përdorim e instrumenteve matëse në kundërshtim me dispozitat e ligjit, veprimi në kundërshtim me këto dispozita, mosdhënia e  informacionit dhe e të dhënave të domosdoshme inspektorit metrolog për të kryer inspektimin. Po kështu ligji aktual parashikon që në rast të  përsëritjeje të së njëjtës kundërvajtje, vlera e gjobës dyfishohet.

Në draftin e ri pika 3 parashikon lehtësim të dukshëm në masën e gjobës për kompanitë që tregtojnë me shumicë naftë dhe për rafineritë që përpunojnë. Për subjektet e biznesit të vogël masa e gjobës është vendosur 70,000 lekë, “për subjektet e biznesit të madh 100,000 deri në 375,000 lekë , për stacionet e tregtimit të karburanteve dhe njësitë e shitjes së lëndëve djegëse 200,000 deri ne 750,000 lekë, për shoqëritë që kryejnë veprimtari kërkimi e prodhimi, për rafineritë, impiantet e përpunimit të naftësjellësit, për instalimet dhe terminalet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë 2,500,000 lekë”.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of