Po lindin qytete të reja, pasi ato që kemi tashmë, nuk mjaftojnë më. Sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara, brenda vitit 2050, rreth 70% e popullsisë botërore do të jetojë në qendrat urbane, duke rrezikuar mbipopullimin, veçanërisht në Azi.
Krijimi i qyteteve të reja nga asgjëja, në mes të shkretëtirës, pranë detit, pyjeve apo përgjatë lumenjve. Kjo gjë ndodh prej mijëra vitesh dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite për arsye të ndryshme: klimatike, politike, ideologjike, logjistike. Me qëllimin për të mirëpritur një kryeqytet, si në rastin e Washington D.C. apo për të zëvendësuar kryeqytetet ekzistuese, si Kostandinopoja, Stambolli modern, i krijuar tre shekuj pas Krishtit, duke u shndërruar në Romën e Lindjes.
Apo Shën Petërburgu, i themeluar në fillim të shekullit XVIII nga Pjetri i Madh, prej të cilit mori emrin, si bazë detare, falë pozicionit strategjik në Detin Baltik, duke u shndërruar në qytetin e dytë më të rëndësishëm të Rusisë, pas Moskës.
Ekzistojnë kryeqytete të projektuara në tavolinë, si Brazilia, kryeqyteti aktual i Brazilit, i krijuar në vitet 1960, për të zhvendosur selinë e qeverisë nga Rio de Janeiro. Një eksperiment interesant, pasuri e UNESCO-s, që përfaqëson një ndër shembujt e jashtëzakonshëm të qyteteve të planifikuara së bashku me Canberra. Kryeqyteti i Australisë u projektua nga arkitektë amerikanë posaçërisht për t’u bërë kryeqyteti administrativ i kontinentit australian – me gjysmë milion banorë, krahasuar me më shumë se pesë milionë banorë që jetojnë në Sidnej, është i vetmi qytet i madh australian larg detit.
Larg turmës së çmendur
Pasojat e delokalizimit të kryeqyteteve janë paradoksale – ndërkohë që Dubai, ‘kryeqyteti turistik’ i Emirateve të Bashkuara, i kursen qytetit aty pranë, Abu Dhabi, kryeqytetit administrativ, ‘detyrën’ për të mirëpritur e për të argëtuar më shumë se 20 milionë vizitorë që priten vitin tjetër me rastin e Expo 2020, me synimin për të thyer një tjetër rekord pjesëmarrje, ka qytete që nuk mund ta përballojnë dot më valën e madhe të turistëve që i shtohen mbipopullimit në vend.
Le të marrim si shembull Bangkokun, një nga qytetet me trafikun më të rënduar dhe më të ndotura në botë – edhe pse është qyteti më i vizituar në botë në katër vitet e fundit me rreth 23 milionë turistë. Qeveria tajlandeze po mendon ta zhvendosë kryeqytetin administrativ në Kalimantan Lindor, mes Samarinda dhe Balikpapan, duke ndjekur shembullin e Indonezisë, e cila ka njoftuar ta zhvendosë atë në Borneo, për t’i dhënë pak frymëmarrje Xhakartës që po mbytet ngadalë për shkak të numrit të lartë të banorëve.
Ndër qytetet e reja të planifikuara është edhe Putrajaya në Malajzi, i ndërtuar rreth një liqeni artificial dhe pranë Kuala Lampur dhe Naypyidaw, rreth 300 kilometra nga Yangon, i cili deri në vitin 2005 ishte selia e qeverisë birmaneze.
Qytete fantazmë dhe qytete utopike
Një nga horizontet më elektrizues dhe interesantë në panoramën e qyteteve të reja është ai i kryeqytetit të ri të Kazakistanit, i themeluar në vitin 1830, i cili vetëm kohët e fundit është shndërruar në qendrën administrative të vendit. Në dy shekuj kohë, qyteti ka krijuar identitetin urbanistik dhe arkitekturor si pasojë e ndikimeve të ndryshme.
Gjatë shekujve ka pasur emra të ndryshëm Akmolinsk, Celinograd, Akmola, Astana, deri kur në marsin e vitit të kaluar mori emrin e pagëzimit të presidentit të tij të parë të republikës së pavarur, Nur-Sultan. Nëse keni ndër mend ta vizitoni, duhet të mbështilleni mirë – është qyteti i dytë më i ftohtë në botë pas Ulan Bator në Mongoli.
Por krijimi i qendrave të reja urbane nuk është gjithnjë përgjigjja më e mirë për ata që jetojnë. Banorët e Tamesna, pranë Rabatit, ndihen si në grackë në një qytet fantazmë, pa shërbime dhe një strukturë të vërtetë sociale. Më shumë se 150 mijë persona u transferuan këtu me shpresën se do të jetonin në një Eden të vogël, për t’u shpëtuar periferive në zgjerim.
Mendohet se do të përfundojë në vitin 2020 Oyala, që me shumë gjasa do të marrë emrin përfundimtar Ciudad de la Paz, kryeqyteti i ri i Guinesë Ekuatoriale në vend të Malabo – ai është ndërtuar sipas parametrave që qëndrueshmërisë mjedisore dhe është kandidat për t’u shndërruar në një model virtuoz për modelet e së ardhmes – vetëm me një kusht, që të jetë një vend ku të jetohet.
Burimi: Lonely Planet
“Qeveria tajlandeze po mendon ta zhvendosë kryeqytetin administrativ në Kalimantan Lindor, mes Samarinda dhe Balikpapan”
Ne fakt Kalimantani Lindor, Samarinda dhe Balikpapani jane ne Indonezi, jo Tajlande.