Bankat kanë frenuar rritjen e normave të interesit për depozitat e reja në muajt e parë të këtij viti.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në lekë për individët në mars zbritën për të dytin muaj radhazi në 1.46%, nga 1.51% që kishte qenë në shkurt dhe 1.54% që kishte qenë në muajin janar.
Normat e interesit të depozitave filluan të rriteshin pas ndryshimit të kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, në mars të vitit të kaluar.
Rritja u nxit sidomos nga një rritje e shpejtë e yield-eve të bonove të thesarit të qeverisë shqiptare, që tërhoqi një rritje të fortë të investimeve direkte të individëve dhe krijoi më shumë konkurrencë për kursimet e publikut.
Kjo bëri që interesi mesatar për depozitat e reja të rritej në mënyrë të vazhdueshme deri në nivelin 1.54%, në janar të këtij viti. Por, pas janarit tendenca e rënies së yield-eve u bë e qartë dhe e qëndrueshme.
Duke qenë se yield-et e investimit të aseteve të reja u korrigjuan në rënie, edhe stimujt e bankave për të ofruar norma më të larta interesi për depozitat u pakësuan. Kjo ka sjellë një rënie të lehtë në normat e reja të interesit për depozitat në lekë.
Një tendencë e ngjashme po shënohet edhe në depozitat në euro. Në mars, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në euro për individët zbriti në 0.64%, nga 0.78% që kishte qenë në shkurt dhe 0.85% që kishte qenë në mars. Edhe normat e depoiztave në euro kishin ndjekur një trajektore të ngjashme, me një tendencë në rritje deri në janar të këtij viti.
Në rastin e euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me lekun.
Gjithashtu, ndërmjetësimi në euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave. Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në lekë.
Rënia e normave të interesit për depozitat e reja po sjell edhe një frenim në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, që ka si qëllim uljen graduale të shpenzimeve dhe rritjen e kursimeve, me qëllim frenimin e presioneve inflacioniste.
Megjithatë, pavarësisht rënies së normave të interesit të depozitave të reja në dy muajt e fundit, sërish norma mesatare interesi e gjithë portofolit të depozitave (sasitë gjendje) ka vijuar të rritet.
Kjo ka ndodhur për shkak të efektit të rritjes së normave për depozitat e reja për disa muaj me radhë, por edhe për shkak të ndryshimit që kjo rritje ka sjellë në strukturën e depozitave, duke rritur investimet në depozita me afat dhe duke ulur ato në llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat.
Norma mesatare e interesit për depozitat në lekë të individëve në mars arriti në 1.71%, në rritje për të njëmbëdhjetin muaj radhazi. Tendencë të ngjashme ka edhe portofoli i depozitave në euro, por në këtë segment interesi mesatar ngelet në nivele ndjeshëm më të ulëta, me 0.36% për muajin mars./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.