Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku bëri me dije në një dalje nga Rinasi se tanimë do të fillojnë fluturimet esencialë ku futen disa kategori dhe në ditën e nesërme do të vijohet normalisht me fluturimet komerciale të udhëtarëve.
“Jam këtu për të komunikuar situatën në aeroportin e Rinasit pas ngjarjes së djeshme të bllokimit të trafikut për shkak të një greve të paligjshme nga kontrollorët e trafikut ajror. Në këto momente në aeroportin e Rinasit do të nisin fluturimet esencialë dhe ato që futen në këtë kategori janë fluturimet humanitare, emergjente ato shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarakë. Ju njoftoj që kemi arritur që me një përpjekje të madhe të ruajë sasinë e konsiderueshme të vaksinave që duhet të vinin dje por që është bllokuar për shkak të kësaj greve dhe do të vijë sot rreth orës 15:00 ku më pas do të nisë shpërndarja sipas planit.
Dua të informoj gjithë qytetarët që janë të interesuar që do të jetë e pamundur në këto momente që të kemi fluturime komerciale pra avionë civilë por gjatë ditës do të punohet për të arritur në një zgjidhje edhe të këtij problem shumë të madh që sipas të gjitha planeve tona do të mitigohet ditën e nesërme. Kështu që ditën e nesërme që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës do të fillojmë të kemi fluturime në aeroportin e Rinasit për udhëtarët e fluturimeve komerciale.
Pra gjithë fluturimet që janë të skeduluara si edhe kompanitë charter që operojnë në Shqipëri. Kjo situatë e rëndë dhe e jashtëzakonshme na ka bërë të kuptojmë se ka qenë një plan i organizuar për një bllokim deri ditën e zgjedhjeve megjithatë janë marrë të gjitha të dhënat për të bërë një verifikim edhe më të thellë të situatës dhe për të arritur në konkluzione. Rëndësi ka që ka nisur puna dhe do të vazhdojmë dhe në orët në vazhdim në bashkëpunim edhe me grupet e punës së TIA për të vënë në funksion të gjitha njësitë dhe për të kthyer gjithçka në normalitet. Nga ky moment në pistën e TIA do nisin të ulen në të gjithë ata avione që fluturimi futet në kategorinë esenciale”, tha Balluku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.