Rikthehen në Shqipëri të gjithë të prekurit nga tërmeti që ishin strehuar në Prizren

11/12/2019 11:00 PM 0 komente

Ramush Haradinaj, kryeministri në detyrë, ka thënë se nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në Shqipëri edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren.

 

Nga Parku Inovativ Trajnues kosovaro-gjerman në Prizren, janë kthyer për në Shqipëri edhe personat e fundit që kishin mbetur, të cilët erdhën pas tërmetit të fuqishëm.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook thotë se kështu u mbyll edhe një etapë e akomodimit e strehimit.

“Edhe njëherë ju falënderoj secilin nga ju, për çdo kontribut dhe angazhim që dhatë, për t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve tanë nga Shqipëria, pas tërmetit me pasoja tragjike qe goditi këtë vend. Sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren. Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike”, shkruan Haradinaj.

Haradinaj thotë se puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdojë, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend. Edhe njëherë falënderoj Institucionet tona, të gjitha pa dallim, që u angazhuan pa ndalë për të ndihmuar në çdo nevojë operacionet e kërkim-shpëtimit, dhënien e ndihmave dhe strehimit. Falënderoj, Institucionet e Shqipërisë për bashkëpunimin, vullnetarët e shumë, shoqatat humanitare, organizatat joqeveritare, autoritetet Komunale, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, GIZ dhe çdo vullnetmirë, që hapën dyert dhe zemrat e tyre në gjithë këtë mision. Ne do vazhdojmë të jemi të gatshëm, për çdo ndihmë dhe angazhim të nevojshëm, që Qeveria e Shqipërisë mund ta ketë”, përfundon Haradinaj.

Kujtojmë se ditë më parë Haradinaj ka kërkuar ndihmë për t’i kthyer në Shqipëri ata që ikën nga tërmeti.

“Kosova ka hapur dyert dhe zemrat, për t’i strehuar dhe ndihmuar gjithë bashkëkombësit tanë, pas tërmetit me pasoja tragjike që preku Shqipërinë. Tani pas kësaj faze emergjente të përkrahjes dhe akomodimit, ne po hyjmë në një fazë tjetër, të rikthimit të të gjithë banorëve të Shqipërisë në vendlindjen e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se secili qytetarë, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of