Fondi Shqiptar i Zhvillimit nisi zbatimin për projektin e rikualifikimit dhe sistemimit të lumit Gjanica (faza e dytë).
Ndërhyrja për rehabilitimin e segmentit të dytë të lumit Gjanica nis nga ish-Ura me Shkallë deri tek Ura e Sheqit, pjesë e cila kalon përgjatë qendrës së qytetit dhe vazhdon deri në hyrje të qytetit. Vlera e projektit është 630,5 milionë lekë dhe kohëzgjatja e punimeve në kontratë parashikohet 18 muaj.
Punimet rehabilituese do të prekin disa lagje të qytetit, si: në Veri lagjen “Liri”; në Jug “1 Maji” dhe “Sheq i Vogël”; në Lindje lagjen “Sheqi i Madh” dhe në Perëndim lagjen “Kongresi i Përmetit”.
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, aktualisht punimet janë përqendruar në proceset e gërmimit dhe zgjerimit të trasesë së rrugës. Zona është pastruar nga mbeturinat ndërtimore dhe do të punohet edhe më tej për pastrimin e lumit dhe për filtrimin e ujit.
Ky investim me financim nga Qeveria Shqiptare dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorin e turizmit. Rikthimi i të gjithë gjatësisë së lumit në një hapësirë rekreative me shëtitore, ambiente pushimi, parqe dhe sheshe i jep mundësinë të gjitha grupmoshave të kenë këndin e tyre të argëtimit.
Parashikohen disa tipologji ndërhyrjesh hapësirash publike përgjatë shtrirjes së projektit. Hapësirat publike në formë shkallare, ato në formë ballkonesh si dhe 2 shëtitoret nga të 2 anët e shpateve të lumit, gjithashtu krijohen hapësira publike “xhep” mes objekteve të ndërtimit përgjatë shtrirjes së projektit.
Hapësirat publike të ndërmjetme transformojnë hapësirat e mbipërdorura dhe të panevojshme për qarkullimin e makinave në hapësira publike. Këto hapësira publike rikonfigurojnë kryqëzime dhe rrugica që janë të pasigurta apo të papërdorura, duke i rivitalizuar.
Ndërtimi i shesheve, janë konceptuar, si pika qendrore të projektit duke i pasuruar edhe me elemente të tjerë arkitektonik, si shakllare dhe ballkone panoramike për përjetimin e gjithë hapësirës në disa nivele. Shkallaret janë menduar, si pika grumbullimi dhe pushimi me gjelbërim të shtuar dhe elemente të dizenjimit urban. Kjo hapësirë do jetë në shërbim të qytetit për aktivitete të ndryshme si dhe mund të shërbejë për instalacione urbane, duke e kthyer sheshin në një hapësirë me rekreative.
Kjo hapësirë do të shtrohet me pllaka guri dhe betoni me ngjyra të ndryshme sipas parashikimeve në projekt. Hapësirat ulëse janë një element tjetër shumë i rëndësishëm në përdorimin e hapësirave publike nga qytetarët e të gjitha grupëmoshave dhe si e tillë, në projekt janë pozicionuar stola çdo 10 m distance mes njëri-tjetrit.
Projekti synon të shndërrojë lumin Gjanica në një nga asetet më të rëndësishme natyrore të qytetit të Fierit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.