Normat e rritjes së çmimeve arritën një nivel të ri në maj për shkak të kafesë, çokollatës dhe mallrave jo ushqimore.
Konsorciumi Britanik i Shitje me Pakicë (British Retail Consortium, BRC) dhe NielsenIQ thanë se norma e përgjithshme e inflacionit në mallrat ushqimore arriti në 9%.
Ndërsa çmimet për ushqimet e freskëta kanë rënë paksa, kostoja e mallrave të tilla si kafeja dhe kakaoja është rritur.
Qeveria është në bisedime për t’u kërkuar supermarketeve, të kufizojnë çmimet e artikujve ushqimorë, për të ndihmuar me koston e jetesës.
Një marrëveshje vullnetare, do të kufizonte koston e ushqimeve bazë, si buka dhe qumështi.
Por BRC ka deklaruar se qeveria, duhet të përqendrohet në uljen e burokracisë, në mënyrë që burimet të mund të “drejtohen në mbajtjen e çmimeve sa më të ulëta”, në krahasim me “rikrijimin e kontrolleve të çmimeve të stilit të viteve 1970”.
Të hënën, Sainsbury’s uli koston e më shumë se 40 produkteve të markës së vet, duke përfshirë djathin, kosin dhe qumështin.
“Sa herë që paguajmë më pak për produktet që blejmë nga furnitorët tanë, ne do t’ua kalojmë ato kursime klientëve,” tha Rhian Bartlett, drejtori tregtar i ushqimit.
Shifrat e BRC dhe NielsenIQ, për javën ndërmjet 1 dhe 6 majit, tregojnë se inflacioni i përgjithshëm i ushqimeve ishte 15.4%, më poshtë se niveli 15.7% deri në prill.
Pavarësisht rënies, shifra është norma e dytë më e lartë e inflacionit të ushqimeve në rekord.
Një rënie në shkallën e rritjes së çmimeve, nuk do të thotë se kostot e ushqimit kanë rënë, thjesht do të thotë se ato po rriten me një ritëm më të ngadaltë.
Ndërkohë, ritmi i rritjes së çmimeve për mallrat joushqimore, u rrit nga 5.5% në vit në prill në 5.8% në maj.
Kjo ndodh pavarësisht nëse supermarketet bëjnë “zbritje të mëdha” në mallra të tilla si këpucë, libra dhe argëtim në shtëpi, sipas Helen Dickinson, drejtuese ekzekutive e BRC.
Prodhimet e freskëta treguan një ngadalësim të rritjes së çmimeve, nga 17.8% në 17.2% në maj.
Në prill, supermarketet ulën çmimin e qumështit me 5 pikë përqindjeje. Sidoqoftë, ky është ende pothuajse dyfishi i çmimeve para Covid, në Mars 2020.
Rritja e çmimeve për ushqimet e ambientit – të cilat janë mallra, që mund të ruhen në temperaturën e dhomës – u rrit deri në maj nga 12.9% në 13.1%. Është rritja më e shpejtë e regjistruar e çmimeve të ushqimeve të ambientit.
Dickinson tha: “Çmimi i çokollatës dhe kafesë u rrit, si pasojë e kostove të larta globale të vazhdueshme për këto mallra.”
Javën e kaluar, shifrat zyrtare treguan se norma totale totale e inflacionit, kishte rënë ndjeshëm në 8.7% në prill – hera e parë që ra nën 10% që nga gushti.
Megjithatë, rënia ishte më e vogël se sa prisnin ekonomistët dhe investitorët, pasi rritja e çmimeve të ushqimeve mbeti afër normës më të lartë në 45 vjet.
Është gjithashtu më shumë se katërfishi i normës së synuar të inflacionit prej 2% të Bankës së Anglisë. Banka ka ngritur normat e interesit 12 herë radhazi, në 4.5% në përpjekje për të qetësuar rritjen e çmimeve.
Por pas shifrës më të lartë se sa pritej për muajin prill, disa analistë spekuluan se normat e interesit mund të arrijnë në 5.5% deri në fund të vitit.
Kostot e prodhimit të ushqimit janë rritur për shkak të një sërë faktorësh, duke përfshirë koston e energjisë, e cila u rrit pas përfundimit të bllokimeve të Covid, gjë që rriti kërkesën, si dhe për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Rusia, e cila është një prodhues i madh i naftës dhe gazit, u sanksionua rëndë.
Ukraina – e njohur si shporta e bukës së Europës – është një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë, dërgesat e të cilit janë ndërprerë rëndë për shkak të luftës.
Kushtet e pafavorshme të motit në disa pjesë të Europës dhe Afrikës, ndikuan gjithashtu te perimet e freskëta në fillim të këtij viti, duke çuar në vendosjen e kufizimeve të klientëve nga supermarketet në shitjet e specave, domateve dhe kastravecit.
Çmimet e gazit me shumicë kanë filluar të bien, por shitësit pohojnë se rënia e kostove të prodhimit kërkon kohë, për t’u filtruar në raftet e supermarketeve, për shkak të kontratave afatgjata që ata zakonisht nënshkruajnë me prodhuesit e ushqimit.
Mike Watkins, nga NielsenIQ, tha: “Shitja me pakicë e ushqimeve në veçanti është konkurruese, kështu që shpresojmë se ulja e fundit e çmimeve në ushqimet e freskëta, është një shenjë se inflacioni tani ka arritur kulmin, megjithëse inflacioni i produkteve të ambientit, mund të ketë nevojë për pak më shumë kohë për t’u ulur.” / BBC