Banka Botërore është institucioni më i fundit financiar që ka ulur parashikimin për rritjen e ekonomisë kineze.
Prodhimi ekonomik i Kinës do të mbetet prapa pjesës tjetër të Azisë, për herë të parë që nga viti 1990, sipas parashikimeve të reja të Bankës Botërore që nxjerrin në pah dëmin e shkaktuar nga politikat “zero-Covid” të presidentit Xi Jinping dhe nga kolapsi i tregut më të madh të pasurive të paluajtshme në botë.
Banka Botërore ka rishikuar parashikimin e saj për rritjen e produktit të brendshëm bruto në ekonominë e dytë më të madhe në botë, duke e ulur atë në 2.8 për qind, krahasuar me rritjen prej 8.1 për qind të vitit të kaluar dhe me parashikimi e prillit, i cili ishte midis 4 dhe 5 për qind për këtë vit.
Nga ana tjetër, pritshmëritë për pjesën tjetër të Azisë Lindore dhe të Paqësorit janë përmirësuar. Rajoni, duke përjashtuar Kinën, pritet të rritet me 5.3 për qind në vitin 2022, nga rritja prej 2.6 për qind e vitit të kaluar, si rrjedhojë e çmimeve të larta të mallrave dhe rikthimit të konsumit të brendshëm pas pandemisë së koronavirusit.
“Kina, e cila ishte vendi që po udhëhiqte rimëkëmbjen nga pandemia dhe arriti të tejkalonte në një masë të madhe vështirësitë e krijuara nga varianti Delta i Covid, tani po paguan koston ekonomike për mbajtjen e sëmundjes infektive në kontrolle të rrepta,” tha Aaditya Mattoo, kryeekonomistja e Bankës Botërore për Azinë Lindore dhe Paqësorn.
Kina kishte vendosur një objektiv të PBB-së prej rreth 5.5 për qind për këtë vit, i cili do të përbënte rritjen më të ulët ekonomike në tre dekada. Por, perspektiva ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm përgjatë gjashtë muajve të fundit.
Politika e Xi për kontrollin e pamëshirshëm të infektimeve me koronavirus, përmes izolimeve të menjëhershme dhe testimeve masive, ka kufizuar lëvizshmërinë dhe ka dobësuar aktivitetin e konsumatorëve, ndërkohë që sektori i pasurive të paluajtshme në Kinë – i cili përbën rreth 30 për qind të aktivitetit ekonomik të këtij vendi – ka pësuar një kolaps historik.
Parashikimi i fundit i Bankës Botërore vjen pas vlerësimeve të ngjashme nga një sërë institucionesh financiare, duke përfshirë Goldman Sachs dhe Nomura, të cilat kanë ulur perspektivën ekonomike të Kinës për vitin e ardhshëm. Rritja e pesimizmit bazohet te pritshmëritë që Xi do të zgjasë politikën e tij zero-Covid edhe përtej vitit 2022.
Shumë ekonomistë dhe analistë kishin parashikuar se Pekini do të rriste ndjeshëm masat stimuluese për ekonominë, në përgjigje të rritjes së dobësuar ekonomike, duke përshpejtuar masat lehtësuese për të nxitur konsumin dhe për të ndihmuar në situatën e kolapsit të tregut të pasurive të paluajtshme.
Sidoqoftë, Mattoo tha se megjithëse Kina kishte “mundësi të jashtëzakonshme për të ofruar paketa stimuluese të fuqishme”, dukej se Pekini kishte arritur në përfundimin se stimujt fiskal nuk do të mund të jepnin ndikimin e tyre të plotë për shkak të kufizimeve “zero-Covid”.
Këto të dhëna vijnë në kushtet e disa rrethanave shqetësuese, ku Xi – i cili pritet të sigurojë një mandat të tretë të paprecedentë si lider i partisë komuniste kineze muajin e ardhshëm – po zhbën dinamizmin ekonomik që filloi në epokën e reformave të Deng Xiaoping.
Banka Botërore gjithashtu shprehu shqetësime se ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në sektorin e pasurive të paluajtshme përbën një problem të thellë “strukturor”. Për të reduktuar rrezikun e menjëhershëm të përhapjes në ekonomi të efekteve të “trazirave” në sektorin e pasurive të paluajtshme, banka tha se Pekini duhet të sigurojë më shumë likuiditet për ndërtuesit që gjenden në vështirësi, si dhe garanci financiare për përfundimin e projekteve. Megjithatë, në planin afatgjatë, nevojiten reforma fiskale për t’i dhënë pushtetit vendor burime të tjera të ardhurash përtej thjesht shitjes së tokës, duke përfshirë edhe një taksë mbi pronën./ Reuters