Serbia po humbet çdo vit nga një qytet, si pasojë e rënies së popullsisë

21/02/2020 10:02 PM 0 komente

Uros Trainoviç kujton kur fshati i tij plot me miniera në lindje të Serbisë kishte plot 200 shtëpi, një shkollë të tijën, një doktor dhe një dyqan.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, ajo që ka mbetur prej tij është një fshat fantazmë me vetëm 8 banorë. “Është një fatkeqësi e madhe që të gjithë janë larguar. Edhe ata banorë që kanë mbetur këtu janë të moshuar, sepse të gjithë të rinjtë kanë ikur”, shprehet 71-vjeçari. Rënia e Blagojev Kamen nuk përbën aspak çudi në një vend që përjetoi vite lufte dhe sanksione të shumta në vitet ‘90 pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Fshatra të braktisura, me shtëpi të shkatërruara mund të shihen në të gjithë Serbinë, një simptomë e dukshme e tkurrjes së popullsisë që po ngre pyetje shumë të rëndësishme mbi mirëqenien ekonomike të vendit.

 

Nga një qytet çdo vit

Të dhënat janë alarmante. Sipas Bankës Botërore, popullsia e Serbisë, më pak se 7 milionë banorë, parashikohet të bjerë në 5.8 milionë deri në vitin 2050. Kjo do të shënonte një rënie prej 25% që nga viti 1990. Qeveria serbe thotë se ky vend ballkanik po humbet nga një qytet çdo vit, dhe se mbi 18 komuna kanë më pak se 10 000 banorë. Rënia po ndodh aq shpejt sa Kombet e Bashkuara kanë ndërhyrë për t’i ardhur Serbisë në ndihmë.

Programi i Zhvillimit dhe Fondi i Popullsisë së Kombeve të Bashkuara kanë krijuar një grup prej shtatë ekspertësh ndërkombëtarë me prejardhje dhe specialitete të ndryshme, që e kanë vendosur përgjegjës për një mision për gjetjen e fakteve. Ata vizituan Serbinë muajin e kaluar. Wolfgang Lutz, ekspert i demografisë në Institutin Ndërkombëtar për Analizën e Sistemeve të Aplikuara (IIASA), tha se problemi kryesor ka të bëjë me ata që largohen nga Serbia dhe jo me rënien e përgjithshme të popullsisë. Ai u shpreh për “Associated Press” se ata që largohen “janë më të arsimuarit, më të aftët dhe më të motivuarit” dhe që padyshim kjo mund të konsiderohet pa frikë si një rrjedhje e trurit.

 

Asnjë arsye për t’u kthyer në Serbi

Fshatra të tillë si Blagojev Kamen reflektojnë pasojat kryesore të krizës. Ai lulëzoi kur një minierë me ar aty pranë mbante gjallë të gjithë zonën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, por pasuritë ranë në mënyrë drastike kur miniera u mbyll në mesin e viteve ‘90.
Z. Trainoviç tha se në minierë ka ende ar dhe minerale të tjera, por se miniera ka nevojë për investime dhe njëkohësisht edhe për shumë punë të palodhur.

“Një nga djemtë e mi punon në Gjermani, ndërsa tjetri është në Austri”, tha ai. “Ata më vizitojnë shpesh mua këtu në Serbi, por nuk kanë asnjë arsye se përse të duan të kthehen për të jetuar dhe punuar në këtë vend”. Qeveria e Serbisë është përpjekur që ta frenojn sa më shumë të mundet këtë trend, duke ofruar përfitime financiare për çiftet me shumë fëmijë, fonde shtetërore të cilat shkojnë në drejtim të Farëzimit In Vitro, rinovimin e shkollave dhe qendrave të kujdesit ditor, ndihmë për familjet në zonat rurale dhe mbështetje për bizneset në fshatra. Ruth Finkelstein, një ndihmësprofesore nga Universiteti i Kolumbias, e cila është eksperte në fushën e plakjes së popullsisë dhe ndërlikimet e saj sociale, tha se Serbia gjithashtu duhet të përpiqet të gjejë një zgjidhje edhe për popullatën e saj, e cila po plaket gjithnjë e më shumë dhe të mos përqendrohet vetëm te të rinjtë.

 

Rënia e popullsisë së Ballkanit

Serbia nuk është i vetmi vend i Europës Lindore që është i shqetësuar nga rënia e popullsisë së saj. Kroacia, shteti i saj fqinj, që është njëkohësisht edhe anëtare e BE-së, e ka vendosur çështjen e “sfidave demografike”, në qendër të axhendës së saj, duke e konsideruar atë si më prioritaren. Zonat rurale të Kroacisë janë boshatisur në mënyrë drastike, ndërsa më shumë se 15 për qind e 4,2 milionë banorëve të Kroacisë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Bullgaria dhe Ukraina janë dy shtete të tjera që po përballen me rënien drastike të popullsisë së tyre.
Stjepan Sterc, një ekspert i njohur kroat në fushën e demografisë, mendon se përpjekjet për të trajtuar problemet që deri më tani kanë përfshirë të gjithë Ballkanin nuk janë të mjaftueshme dhe se sistemi tatimor duhet të jetë më i përqendruar në kthimin trendeve. “Demografia duhet të trajtohet si thelbi i zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të gjitha mjetet e rëndësishme të nxitjes të jenë të drejtuara drejt saj”, vazhdoi ai më tej.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of