Flet Mario Scarfalloto, Menaxher i SEWS Cabind Albania
Industria automotive në Shqipëri ka marrë vëmendje vitet e fundit me rritjen e vazhdueshme të kompanive të huaja. E fundit që iu shtua këtij grupi është SEWS Cabind Albania, një kompani pjesë e grupit japonez Sumitomo.
Edhe pse në kohë pandemie, kompania e re ka hyrë në një fazë intensive punësimi dhe zgjerimi, për të finalizuar planin e biznesit, që parasheh 2500 të punësuar. Mario Scarfalloto, menaxher i SEWS Cabind Albania, në një intervistë për “Monitor” tregon planet e zgjerimit dhe efektet e pandemisë në tërësi në industrinë automotive.
SEWS Cabind Albania (SEWS CA) është pjesë e grupit SEWS Cabind, një kompani që kontrollohet plotësisht nga SEI (Sumitomo Electric Industries) dhe SWS (Sumitomo Wiring System), pjesë e grupit Sumitomo, kompani japoneze e themeluar më shumë se 400 vite më parë nga familja Sumitomo, në prodhimin e bakrit.
Sot që flasim, grupi ynë është i pranishëm në tregje ndërkombëtare, me pesë segmente biznesi: automotive, materiale industriale, elektronike, info-komunikim, mjedis dhe energji.
Vetëm në biznesin automotiv nëpër botë, ka më shumë se 100 kompani të shpërndara në 33 vende me qendra shitjeje, fabrika prodhimi e kërkimi dhe zyra zhvillimi. Zyrat qendrore të Grupit SEWS Cabind ndodhen afër Torinos në Itali, ndërkohë që ka më shumë se 8 mijë të punësuar në fabrikat e Marokut, Polonisë dhe Shqipërisë, në bashkëpunim me kompaninë tjetër simotër CON-TEC Cabind në Meksikë.
Produktet tona kryesore janë pajisjet kabllore dhe konsiderohemi Tier 1 (furnizues të nivelit të parë që prodhojnë sisteme apo nënsisteme e komponentë tërësisht të përfunduar) për prodhuesit e makinave. SEWS CA do të jetë një fabrikë prodhimi për klientët tanë kryesorë, grupin FCA dhe CNH, duke synuar zgjerimin me më shumë se 2500 punonjës, staf dhe operatorë direktë.
A mund të kemi disa detaje për planin tuaj të biznesit që po zbatoni aktualisht? Si i sheh fazat e rritjes në Shqipëri kompania juaj?
Projekti në Shqipëri, për Sumitomo, është vërtet i rëndësishëm. Për këtë arsye u vendos që nga fillimi të investohet në fabrikë pothuajse me të gjithë makineritë dhe pajisjet e reja, të cilat llogariten me kosto diku te 5 milionë euro. Në afat 4-5-vjeçar, kjo pritet të arrijë në vlerën 28 milionë euro për pjesën mekanike, kurse për shërbime në katër vitet e ardhshme të kanalizohen 11 milionë euro.
Sikurse e përmenda, grupi ynë beson që Shqipëria është vendi i duhur për të instaluar një njësi të re prodhimi, duke synuar që në të ardhmen të ketë zgjerim. Ky qëllim është zgjerimi në vendin ku ushtrojmë sot aktivitetin (Kamëz) dhe në të ardhmen të shohim mundësi të reja për zgjerim në zona të tjera.
Pse zgjodhët Shqipërinë për të investuar?
Nuk mendoj se është vetëm një arsye që e bindi Ishii San (CEO i Grupit SEWS Cabind), Blanco San (CFO i Grupit) dhe të gjithë Menaxhimin e Lartë të SEI/SWS për të nisur diskutimin lidhur me zhvendosjen e prodhimit dhe nisjen e një njësie të re në Shqipëri.
Sigurisht në fillim, secili prej nesh mendoi që nuk do të ishte një sfidë e lehtë, për shkak se Shqipërisë i mungon e kaluara në sektorin automotiv, por jemi të bindur dhe koha e tregoi këtë që është e mundur t’ju mësosh pjesën automotive dhe kulturën japoneze operatorëve tanë.
Po kështu është edhe pozicioni gjeografik i vendit, shumë afër me Italinë, ku ndodhet klienti ynë kryesor, gjë që na jep një mundësi të mirë dhe avantazhe në terma të dorëzimit, krahasuar me fabrikën tonë në Marok dhe në Poloni.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, konkurrueshmëria e vendit kontribuoi në vendimin tonë final. Si Sumitomo, qëllimet tona janë që të ndihmojmë vendin të përmirësojë këtë treg dhe t’u japim punonjësve tanë një mundësi të re për të mësuar sa i takon punës dhe jetës sociale.
Në lidhje me punësimin, a ka qenë e lehtë për ju të gjeni punonjës apo e vështirë?
Sinqerisht, në fillim menduam që punonjësit do të ishin pjesa më e vështirë e industrializimit në fabrikë, gjithsesi nga marrja në punë e punonjësit të parë kemi pasur një përgjigje shumë pozitive nga njerëzit. Kur filluam aktivitetin, kemi marrë shumë kërkesa dhe mbi të gjitha, ajo që vlerësuam ishte gatishmëria për të mësuar një punë të re, e cila ndiqet edhe nga një kulturë e re.
Njerëzit kanë nevojë të ndryshojnë vazhdimisht metodologjinë e punës, për shembull biznesi automotiv përkufizohet nga puna me 2-3 turne, çka për industritë e tjera këtu nuk është diçka e zakonshme. Megjithatë, jam i sigurt me kohën dhe këmbënguljen, kjo do të bëhet rutinë normale për të gjithë punonjësit tanë.
Ju keni nisur operimin në Shqipëri që nga gushti 2019. A e ka prekur kriza e COVID-19 planin tuaj të prodhimit për këtë vit dhe si paraqitet situata në industrinë automotive globale në përgjithësi për 2020?
Kur erdha në Shqipëri nga Polonia, më shumë se një vit më parë, nuk mund të imagjinoja situatën në të cilën bota po jeton sot. COVID-19 nuk ndryshoi vetëm jetën tonë, qasjet tona, por sigurisht ndryshoi edhe metodën tonë të punës dhe, mbi të gjitha, ka pasur ndikim të madh në planin tonë të industrializimit.
Ishim të detyruar të shtynim fillimin e linjave me 5-6 muaj nga data fillestare e planifikuar, por në të njëjtën kohë ia dolëm me sukses në disa raste që të vazhdonim të punonim në distancë (smart working). Kur kishte mundësi, ndonjëherë dhe në fabrikë. Falë përpjekjeve të të gjithë ekipit tonë, mund të themi se ia dolëm me sukses të nisnim 3 linja (prodhimi) dhe të vazhdonim punën për të tjerat, duke ndjekur planin fillestar.
Sa i takon industrisë automotive, si të gjithë industritë e tjera në fillim të pandemisë, situata pati ndikim të fortë me reduktimin e porosive dhe ngadalësim të aktivitetit. Gjithsesi, tani mund të vëmë re një rinisje të fortë dhe jam i sigurt që në vitin 2021, të gjitha aktivitetet do të kthehen në situatën normale të tregut.
Si e parashikoni vitin 2021 për kompaninë tuaj në Shqipëri sa i takon prodhimit dhe punësimit, duke qenë se ka ende paqartësi në tregje, pavarësisht lajmit të mirë të vaksinës?
Fundi i këtij viti dhe fillimi i 2021 janë shumë ambiciozë dhe me intensitet për SEWS CA. Kemi planifikuar të rrisim numrin e punonjësve tanë muaj pas muaji, diçka që në fakt ka nisur që nga 20 tetori. Thjesht për t’ju dhënë një ide, kemi kaluar nga 40 njerëz në shtator në 140 sot (më pak se dy muaj) dhe synimet tona janë që të arrijmë në fund të periudhës 1-vjeçare (që për aktivitetin tonë është marsi i 2021) me më shumë se 250 njerëz.
Do të vazhdojmë zgjerimin në 2021, me linja dhe projekte të reja, për të arritur targetin tonë të parë, i cili parashikon 1000 të punësuar staf dhe operatorë direktë. Nuk mendoj se COVID-19 do të ketë ndonjë ndikim të madh në planin tonë. Ekipi ynë i di shumë mirë objektivat që duhet të arrijë dhe kemi parashikuar të gjithë procedurat, në mënyrë që të menaxhojmë edhe këtë situatë.
Parashikohej që pandemia të sillte ndryshime në zinxhirët e furnizimit dhe shumë kompani do t’i ndërtonin ato më afër se më parë. A keni vënë re ndryshime në zinxhirët e furnizimit?
Keni shumë të drejtë. Në këtë situatë, gjithkush mendon që sa më e shkurtër të jetë distanca mes prodhimit dhe konsumatorit final, aq më e mirë është zgjidhja për të shmangur bllokimin e zinxhirit në industrinë e bërjes së makinave.
Gjithsesi, duhet të mendojmë në mënyrë pozitive. Jam i bindur që, nëse njerëzit e kuptojnë situatën dhe respektojnë rregullat e thjeshta të cilat shmangnin përhapjen e virusit, situata në vitin 2021 do të fillojë të ndryshojë dhe do të bëhet e mundur që të kthehemi të punojmë në rrjedhën normale. Po kështu, kini parasysh që tani shpresa për një vaksinë duket se është një realitet.
Zinxhiri ynë i furnizimit mund të them se është i strukturuar mjaft mirë dhe që në fillim vendosëm një lidhje mes SEWS Cabind Albania e Sews Cabind Italy dhe klientit tonë, gjë që na mundëson të dorëzojmë produktet tona të përfunduara edhe në një situatë pandemie, sigurisht me disa kufizime, për shkak të mbylljes së kufijve, kufizime të cilat tani duket se janë zhdukur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Bravo u qofte per punen we Beni dhe vizionin we keni.