SHBA, dy trilion dollarë për të luftuar efektet ekonomike të COVID-19; Trump shpreson se amerikanët do të jenë në punë për Pashkë

25/03/2020 10:58 AM 0 komente

Dy trilion dollarë është paketa e ndihmës për të luftuar efektet ekonomike nga shpërthimi i koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria amerikane dhe Kongresi kanë rënë dakord për paketën për të ndihmuar bizneset, punonjësit dhe sistemin e kujdesit shëndetësor.

Masa prej 2 trilionë dollarësh (1,85 trilionë euro) është paketa më e madhe ekonomike në histori që ka për qëllim të parandalojë shkuarjen drejt një recesioni të mundshëm të ekonomisë nga shpërthimi i virusit.

“Ky është një investim i nivelit të luftës për kombin tonë,” tha drejtuesi i shumicës së senatit Mitch McConnell.

Paketa e shpëtimit është më e madhe se sa paketa e shpëtimit të bankave për vitin 2008 dhe akti i rimëkëmbjes së vitit 2009.  Nga kjo paketë do të përfitojnë drejtpërdrejt 1,200 dollarë të rriturit në SHBA dhe 500 dollarë femijët.

Gjithashtu paketa përfshin mbi 130 miliardë dollarë (120 miliardë euro) për të financuar spitalet, infermierët, mjekët dhe  azilet dhe kompensimin e papunësisë për punëtorët që janë larguar nga puna.

Paketa tani duhet të miratohet në Kongres dhe të nënshkruhet nga Presidenti i SHBA Donald Trump.

Nga ana tjetër presidenti Donald Trump thotë se ai shpreson se amerikanët do të jenë në gjendje të kthehen në punë në më pak se tre javë – një deklaratë kjo në kontrast me zyrtarëve shëndetësorë të botës, të cilët thonë se SHBA mund të bëhet epiqendra e re e pandemisë së koronavirusit.

“Unë jam besimplotë që amerikanët do të jenë në punë … deri në Pashkë. Mendoj se kjo mund të ndodhë për Pashkë”, tha Trump, duke iu referuar 12 Prillit.

“Çdo vendim që marrim është i bazuar vetëm në shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarët tanë “.

Deklaratat e Trump erdhën në të njëjtën ditë kur zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO) Margaret Harris tha se bazuar në një “nxitim shumë të madh” në rritjen e numRit të rasteve me koronavirus në SHBA, vendi ka “potencialin” për t’u bërë epiqendra e radhës.

Të nxitur nga paralajmërime të ngjashme të lëshuara nga zyrtarë amerikanë të shëndetësisë, qeveritarët në të gjithë vendin kanë vazhduar të nxjerrin masa agresive në përpjekjet për të ndaluar rritjen e vazhdueshme të rasteve.

Të paktën 704 amerikanë deri më tani kanë vdekur nga virusi dhe më shumë se 52.970 janë infektuar.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of