Paketa e fundit e ndihmave përfshin municione dhe sisteme anti-blindimi për të ndihmuar në rimarrjen e Khersonit nga forcat ruse.
SHBA do të dërgojë 1 miliard dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, sasia më e madhe e pajisjeve ushtarake që do të dërgohen që nga fillimi i luftës.
Kjo paketë e fundit do të përfshijë municione shtesë për sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (Himars), dhjetëra mijëra predha artilerie dhe municione mortajash, sisteme anti-blind dhe mjete të blinduara për trajtimin mjekësor të trupave ushtarake.
Duke përfshirë edhe këtë paketë, SHBA-ja tani ka dhënë rreth 9.8 miliardë dollarë ndihma në fushën e sigurisë për Ukrainën, që kur presidenti Joe Biden ka marrë detyrën e tij.
Ndihma e re e SHBA-së vjen në një kohë kur Kievi po përgatitet për të ndërmarrë një ofensivë të re në jug të vendit, nga e cila shpreson të rimarrë përsëri qytetin e Khersonit dhe t’i japë fund përdorimit të lumit Dnipro nga Rusia si një pengesë natyrore.
“Shtetet e Bashkuara janë bashkë me aleatët dhe partnerët nga më shumë se 50 vende, për të ofruar ndihma jetike për sigurinë që do të mundësojnë mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë”, tha në një deklaratë sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
“Teksa kjo luftë vazhdon, guximi dhe forca e ushtrisë së Ukrainës dhe popullit të saj po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe më e jashtëzakonshme. Së bashku, ne do të vazhdojmë të konsultohemi me Ukrainën dhe do të ofrojmë sisteme të reja dhe mbështetje shtesë, të llogaritura me kujdes, për të bërë një ndryshim në fushën e betejës dhe për të forcuar pozicionin e Ukrainës në tryezën e negociatave,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, ditën e hënë, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar njoftoi se do t’i ofrojë qeverisë ukrainase 4.5 miliardë dollarë shtesë për të mbuluar një pjesë të deficitit të saj buxhetor. Qeveria ukrainase do të marrë këstin e parë prej 3 miliardë dollarësh në gusht. Pasi të shpërndahen edhe këto fonde, SHBA-ja do të ketë dhënë 8.5 miliardë dollarë mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për Kievin.
Forcat ukrainase kanë rifituar tashmë disa territore në rajonet jugore përgjatë muajve të fundit. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka fituar shumë terren, në një luftë rrënuese që ka arritur në pikën e dueleve të përgjakshme të artilerive, si në jug, ashtu edhe në rajonin e largët lindor të Donbasit, që nga momenti kur forcat ruse nuk arritën të kapnin kryeqytetin, Kievin, në fillim të pushtimit.
Colin Kahl, nënsekretari për politikat e mbrojtjes së SHBA-së, tha se Moska kohët e fundit kishte raportuar disa “avancime në rritje” në pjesën lindore të Ukrainës, në Donbas, por me kosto tepër të larta për ushtrinë ruse, e cila ka raportuar një numër të lartë viktimash. Ky ishte rezultat i “performancës së mirë të ushtrisë ukrainase dhe i të gjithë ndihmës që ushtria ukrainase ka marrë”, tha ai.
“Tani, gjendja në lindje të vendit është stabilizuar dhe fokusi po zhvendoset drejt jugut. Pjesërisht, kjo ka ardhur për shkak të faktit se ukrainasit kanë filluar të ushtrojnë presion në jug dhe rusët janë detyruar të dislokojnë forcat e tyre në këtë rajon,” shtoi ai.
Kahl tha se rusët kishin pasur një “numër të jashtëzakonshëm” viktimash: “Mendoj se do të ishte e sigurt po të thonim se rusët kanë pasur ndoshta 70,000-80,000 viktima, ku përfshihen të vrarët dhe të plagosurit”.
Mykhailo Podolyak, një këshilltar në administratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se perëndimi duhej të ofronte më shumë artileri dhe raketa me rreze më të gjatë, si dhe tanke dhe avionë, në mënyrë që Ukraina të mund të rimarrë Kherson.
“Ne duhet të rrisim ndjeshëm numrin e sistemeve të raketave Himars ose M270,” tha Podolyak në një intervistë përpara njoftimit të SHBA. “Nëse sot kemi 20-30 të tilla, atëherë duhet të ketë 80-100 në mënyrë që të jemi efektiv.”
“Përndryshe, kjo do të jetë një luftë e zgjatur… dhe me shumë kosto”, shtoi ai./ Financial Times