Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës Albpetrol njoftoi se tashmë ka lidhur kontratën me dy operatorët që u shpallën fitues në ankandin e shitjes së 120 mijë tonëve naftë.
Kalimi i kësaj hallke është i rëndësishëm për të siguruar avancimin e transaksionit pasi më herët Albpetrol ka pasur precedent të shpalljes së një fituesi dhe moslidhjes një kontrate duke kthyer kështu situatën në pikën zero.
Referuar njoftimit të fundit të Albpetrol kontrata e lidhur me bashkimin e operatorëve “Euro Petrol Durrës Albania” dhe “R.B.H. Belinë” parashikon që afati i evadimit të jetë 12 muaj.
Albpetrol hapi një ankand për shitjen e sasisë më të madhe të naftës viteve të fundit duke pritur oferta nga kompanitë e interesuara dhe në fund bashkimi operatorëve ofroi rreth 72 milionë euro për sasinë 120 mijë tonë naftë bruto. Kjo ofertë kishte në bazë një formulë të paraqitur më herët në dokumentet e ankandit.
Ky është ankandi i parë i suksesshëm pas shumë kohësh zhvilluar nga Albpetrol, ku në disa raste ato dështuan për shkak të mungesës së interesit.
Kjo erdhi edhe në kushtet e pandemisë, kur interesi për nxjerrjen e naftës apo përpunimin ra në minimum për shkak të kufizimeve dhe uljes së aktivitetit ekonomik globalisht. Kompanitë e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në botë dhe në vendin tonë njoftuan për ulje të prodhimit në minimum për shkak të leverdishmërisë së ulët në këtë proces.
Me heqjen e kufizimeve dhe rikthimin e normalitetit nafta dhe energjia pësuan rritje të dukshme që erdhi si efekt i kërkesës së lartë. Situata në Ukrainë nga ana tjetër i dha shtytjen finale çmimeve të cilët arritën nivele rekord dhe të paimagjinuara më parë në tregje.
Rritja e interesit për naftën duket se ka kthyer vëmendjen e qeverisë edhe për nxjerrjen për shprehje interesi të blloqeve të reja të kërkimit ku prej disa javësh Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës ka njoftuar se po pret interes për kërkim shfrytëzim në Bllokun C dhe Panaja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
E sistemojne me cmimet e reja. Nuk jane socialista tha ai miku por specialista