Kushtet e aktivitetit privat po përmirësohen, ndërsa konsumatori shqiptar është ende i stepur.
Depozitat në rritje flasin për më shumë mundësi kreditimi nga sektori bankar. Dhe këto të fundit pritet të afrojnë sipërmarrësit “e mirë”.
BSH: Mund të stimulohet konsumi
Me gjithë “ftesën” e Bankës së Shqipërisë (BSH) për rritje të konsumit dhe kushteve financiare të përmirësuara, konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të jenë të kujdesshëm në
shpenzime. Sipas raportit të fundit të politikës monetare të BSH-së, edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, konsumatorët shqiptarë shtuan prirjen e tyre drejt kursimeve.
Guvernatori i BSH-së Ardian Fullani, vlerëson se, “në mënyrë të natyrshme, kjo sjellje përbën një korrektim strukturor të modelit të konsumit të shfaqur gjatë viteve të shkuara,
por ecuria e ngadaltë e shpenzimeve konsumatore reflekton njëkohësisht edhe pasigurinë e shtuar për të ardhmen”.
Ndërsa korrektimi i strukturës së konsumit është i mirëpritur, ngadalësimi i shpenzimeve mund dhe duhet të korrigjohet. Kjo sipas Bankës së Shqipërisë, për faktin se konsumi familjar ka hapësira të rritet e të stimulohet në periudhën afatshkurtër e afatmesme.
Duke u nisur nga pesha e madhe e konsumit në PBB, ecuria e tij do të kushtëzojë dukshëm rritjen ekonomike në këtë horizont kohor.
Ecuria e dobët e konsumit privat në gjysmën e parë të vitit, sipas Bankës së Shqipërisë erdhi për shkak të nivelit ende të ulët të besimit konsumator. Ndonëse janë rritur të ardhurat e disponueshme dhe është përmirësuar financimi bankar,
sikurse tregohet nga zgjerimi i punësimit, rritja e pagës reale dhe shtimi i kredisë për konsum e banesa, besimi konsumator ka qenë në nivele të ulëta.
Rritja e numrit të të punësuarve vlerësohet 1.7% krahasuar me një vit më parë, ndonëse norma e papunësisë ka mbetur konstante (13.4%).
Në këtë periudhë, paga reale, e deflatuar me indeksin e çmimit të konsumit, pësoi një rritje vjetore prej 3.1 %, me rritjen më të madhe të shënuar në sektorin e post-telekomunikacionit dhe në administratën shtetërore.
Nga kahu i kërkesës, aktiviteti ekonomik është mbështetur më shumë nga kërkesa e huaj
dhe shpenzimet publike, ndërkohë që kontributi i sektorit privat ka qenë i vogël.
Presione të forta inflacioniste, pritet ulje
Tashmë, kur kaluan muaj që Banka e Shqipëri rriti normën e interesit, ekspertët e kësaj banke janë edhe më të bindur për hapin që ndërmorën.
Ata vlerësojnë se presionet inflacioniste që u shfaqën veçanërisht në dy muajt e parë të vitit, mbetëm më të qëndrueshme se ç’pritej edhe në muajt në vazhdim.
Në këtë periudhë u rritën çmimet e prodhimeve bazë. Norma e inflacionit për tremujorin e dytë të këtij viti, arriti në 4.1% nga 4% që shënoi në tremujorin e parë. Faktori kryesor,
sipas BSH-së ishte rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe produkteve bazë, kryesisht nafta.
Ndonëse ka ulur peshën në total, inflacioni i kategorisë “Ushqime të përpunuara-drithëra dhe mallra të akcizës” përbën 60% të inflacionit total.
Një ndikim të madh në rritje dhanë “mallrat e konsumit jo-ushqimor”, si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve dhe medikamenteve (13% e inflacionit total).
Ndikimi i “çmimeve të administruara” (7% e inflacionit total) vazhdoi të bjerë, si pasojë e zhdukjes graduale të efektit që pati rritja e çmimeve të kësaj kategorie në tremujorin e parë të vitit 2010.
Inflacioni i importuar në tremujorin e dytë 2011 është rritur, por në krahasim me fillimin e vitit ai është në trend rënës. BSH pret që të zbutet më tej ndikimi i këtij inflacioni në muajt e ardhshëm.
Në tërësi, “pritjet inflacioniste në ekonomi, edhe pse shfaqën një rritje të moderuar, vazhdojnë të jenë të ankoruara rreth objektivit”, vlerëson BSH.
Rritja që erdhi nga shpenzimet fiskale
Ndërsa biznese e konsumatorë ishin më të tkurrur në shpenzimet e tyre në muajt e parë të vitit, shpenzimet fiskale mbështetën rritjen ekonomike.
Sipas BSH-së, shpenzimet fiskale arritën 28.4% të PBB-së krahasuar me 28.2% të vërejtur në vitin 2010.
Investimet private vlerësohen të jenë rritur në ritme të ulëta edhe gjatë tremujorit të dytë. Ato dhanë një kontribut pozitiv në kërkesën agregate, por,
Banka vlerëson se, rritja ekonomike u mbështet në një masë të konsiderueshme nga stimuli fiskal, si në drejtim të rritjes së shpenzimeve kapitale ashtu dhe në ato korente.
Kjo rritje ka kompensuar ecurinë më të dobët se ç’pritej të konsumit dhe investimeve, të cilat megjithatë vlerësohen të jenë zgjeruar.
Shpenzimet konsumatore janë ndikuar nga pasiguria për të ardhmen dhe rrjedhimisht, nga sjellja më e kujdesshme e konsumatorëve në kryerjen e shpenzimeve dhe nga rritja e tendencës së tyre për të kursyer.
“Duke faktorizuar reagimin e konsumatorëve, investimet private kanë qenë të ngadalta, ndërkohë që procesi i prodhimit është karakterizuar nga ekzistenca e kapaciteteve të pashfrytëzuara si në faktorin kapital ashtu edhe në faktorin punë”,
vlerëson BSH. Kushtet e financimit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, gjithashtu kanë qenë më pak favorizuese se sa pritej gjashtë muaj më parë. Eksportet janë një tregues tjetër i rëndësishëm i dinamikës ekonomike.
Rritja e eksporteve (23.3% pesë mujor) u mbështet më së shumti nga kërkesa e huaj për mallra dhe shërbime shqiptare. Por, BSH, vë në dukje se ritmi i rritjes së tyre është ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar.
Në vitin 2010 eksportet u rritën 62%. Një tregues në rënie janë të ardhurat nga emigrantët. Remitancat vlerësohen të kenë rënë me 11.7% në tremujorin e parë të vitit dhe papunësia ende e lartë në Eurozonë,
nuk sinjalizon për rikuperim të tyre edhe në tremujorin e dytë.
Për sa u përket investimeve private direkte, BSH vëren se janë rritur flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte krahasuar me vitin e kaluar pavarësisht rritjes së kundërshtisë ndaj rrezikut në nivel botëror.
Kushtet e brendshme për financime kanë vijuar të jenë relativisht të shtrënguara, si rezultat i pasigurisë rreth ambientit të brendshëm e të jashtëm.
Megjithatë, rritja e depozitave dhe përmirësimi i likuiditetit dhe bilanceve të sistemit bankar, kanë krijuar hapësira për kreditim të sektorit privat të ekonomisë.
Sipas BSH-së, investimet ishin në rigjallërim edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2011. Ecuria e investimeve është ndikuar pozitivisht nga kërkesa e jashtme dhe nga përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorin prodhues.
Gjithashtu, lejet e ndërtimit të miratuara gjithsej për ndërtesa banimi dhe inxhinierike, të cilat paraprijnë rritje të investimeve në sektorin e ndërtimit, kanë shënuar rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të vitit 2010.
Më shumë depozita
Në pjesën e parë të këtij viti u vërejt një rritje e depozitave në total, sipas të dhënave të sistemit bankar. Vetëm në muajt prill dhe maj depozitat pësuan një rritje prej rreth 12.6 miliardë lekë,
nga të cilat rreth 7.5 miliardë në lekë dhe 5.1 miliardë në valutë, vlerëson BSH. Zgjerimi i depozitave në monedhë vendase është e shpërndarë në formë të balancuar midis muajve,
ndërsa rritja e depozitave në valutë është përqendruar në muajin prill. Në terma vjetorë, depozitat në lekë shënuan rritje me 15.7% mesatarisht, ndërsa ato në valutë me rreth 20.4%,
duke reflektuar ndër të tjera forcimin e besimit të agjentëve ekonomikë në sistemin bankar. Sipas ekspertëve të BSH-së, rritja e depozitave reflekton zgjerimin më të madh të depozitave me afat të individëve në lekë.
Ata vërejnë një tendencë drejt depozitave me afat më të gjatë. Biznesi privat pati një rol më të kufizuar në rritjen e depozitave. Madje, në tre muajt e parë të vitit, Banka e Shqipërisë vuri në dukje se depozitat e biznesit ranë ndjeshëm,
pasi sipërmarrësit i kanë përdorur ato për fonde pagesash.
Rezultatet e vrojtimit të besimit për tremujorin të dytë të vitit 2011, sinjalizojnë se pagat do të mbeten të pandryshuara në këtë periudhë.
“Treguesit cilësorë nga vrojtimet e besimit konfirmojnë gjallërim të investimeve private në ekonomi.
Bazuar në vrojtimin e besimit të bizneseve të organizuar në tremujorin e parë të vitit 2011, balanca e investimeve të reja të kryera gjatë gjashtë muajve të fundit është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me gjashtë muaj më parë”,
sqaruan ekspertët e Bankës së Shqipërisë.
Megjithëse, edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011, norma e shfrytëzimit të
kapaciteteve i është afruar mesatares së saj historike, norma relativisht e lartë e
papunësisë sugjeron se ekonomia ende operon ndjeshëm nën potencialin e saj. Vlerësimet
për ecurinë e pritshme të investimeve, kushtëzohen edhe nga aftësia e bizneseve për t’iu
përgjigjur në kohë nevojës për ristrukturim të ekonomisë, në drejtim të rritjes së
konkurrueshmërisë. Vrojtimet tregojnë se rreth 43 % e bizneseve të pyetura kanë
ndërmarrë ristrukturimin ose mendojnë ta kryejnë atë në të ardhmen për t’iu përgjigjur
kushteve të tregut. Në këto kushte, zgjerimi i investimeve në disa sektorë mund të nxisë ekonominë.
Nga ana tjetër, shfrytëzimi i kapaciteteve në ekonomi erdhi në rënie në këtë tremujor, duke zbritur në nivelin 67.2 % dhe duke qëndruar rreth 4.6 % nën nivelin mesatar.
Kontributi negativ i inventarëve në rritjen ekonomike vlerësohet se do të vijojë edhe në tremujorin e parë të vitit 2011. Bazuar në të dhënat nga vrojtimet e besimit të bizneseve gjendja e inventarëve ka vazhduar të ulet edhe gjatë këtij tremujori.
Pritjet-pozitive
Ringjallet biznesi privat
Shenjat e para të rimëkëmbjes kanë filluar edhe në sektorin e ndërtimit. Sipas BSH, deri në fund të vitit, biznesi privat pritet të marrë në dorë “timonin” drejt rritjes ekonomike. Sipërmarrjet konfirmojnë.
Gjysma e dytë e këtij viti pritet të shënojë një rritje të aktiviteti ekonomik të ndërmarrjes private.
Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, por edhe përfaqësues të biznesit privat i shohin me më shumë optimizëm muajt e ardhshëm.
Në raportin e saj të fundit monetar BSH, vlerëson se, “zhvillimet monetare gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011 do të kenë në fokus rritjen e kërkesës për mjete monetare nga agjentët ekonomikë private”.
Sipas BSH-së, kushtet monetare pritet të nxisin kërkesën agregate dhe të mbështesin rigjallërimin e ekonomisë.
“Përmirësimi i pritshëm i klimës makroekonomike, lehtësimi i kushteve të kreditimit nga ana e bankave tregtare si dhe rritja e likuiditetit bankar,
njëkohësisht të shoqëruar me aktivitetin e shtuar ekonomik pritet të stimulojnë një zgjerim të kreditimit të ekonomisë gjatë pjesës së mbetur të vitit 2011” vëren raporti i stabilitetit financiar për tremujorin e dytë 2011.
Hajredin Fratari, president i Konfindustrisë Shqiptare, sipërmarrës në ndërtim, shprehet për “Monitor”, se, “pas stanjacionit të vërejtur katër muajt e parë të këtij viti, është rritur kërkesa e blerësve për apartamente.
Janë kryesisht familje të reja”. Ai është shumë më optimist për muajt e ardhshëm. Fratari, pret që gjysma e dytë e këtij viti të jetë jo vetëm më e mirë se muajt e kaluar, por edhe se gjysma e dytë e vitit 2010.
Më aktive pritet të jenë kompanitë eksportuese, veçanërisht ato të mineraleve e metaleve. Përfaqësuesit e një prej kompanive kryesore në eksportin e mineraleve të bakrit “Beralb”,
tregojnë se kanë në plan të eksportojnë më shumë në muajt e ardhshëm, falë rritjes së kapacitetit të prodhimit dhe çmimit të favorshëm në treg. Edhe agropërpunuesit kanë rritur planet e prodhimit, pas një ulje të lehtë të çmimeve të lëndëve të para.
Një pjesë e sipërmarrësve të pyetur nga Monitor tregojnë se janë më të gatshëm për të marrë kredi për të investuar në rritjen e prodhimit, krahasuar me një vit më parë.
Nga vrojtimet e Bankës së Shqipërisë rezulton se sektori financiar në vend ka një prirje për të përzgjedhur klientët e mirë e për t’u ofruar atyre më shumë mundësi kreditimi.
“Kredia për sektorin privat vlerësohet të rritet në terma vjetorë për vitin 2011, me rreth 12%, nga të cilat 25 miliardë në lekë dhe rreth 30 miliardë, në monedhë të huaj”, vlerëson raporti i politikës monetare për tremujorin e dytë 2011.
Gatishmëria e bankave për të financuar është ndjerë edhe nga bizneset. Z. Fratari, tregon se ka arritur të marrë kredi sa herë ka pasur nevojë, por mendon se kostot e kredive për biznesin mbeten të larta.
BSH: janë përmirësuar kushtet
Nisur nga ecuria e deritanishme dhe pritshmëritë e faktorëve kryesorë që përcaktojnë rritjen ekonomike, ritmet pozitive të rritjes së aktivitetit ekonomik gjykohet se do të
mbarten gjatë gjithë këtij viti. “Stabilizimi i situatës politike në vend pritet të rigjallërojë investimet dhe konsumin, të cilët do të mund të përfitojnë nga përmirësimi i likuiditetit të sistemit bankar
dhe orientimi më i madh i bankave drejt gjenerimit të fitimit. Ekzistenca e forcave të lira të punës, ka krijuar hapësirë për bizneset,
që të zgjerojnë prodhimin pa rritur pagën, ndërkohë që përmirësimi i treguesve të punësimit pritet të ndikojë në rritjen e konsumit”, vlerëson BSH.
Sipas raportit të saj monetar, në përmbushje të objektivave të borxhit publik dhe deficitit buxhetor, kontributi i shpenzimeve fiskale pritet të ulet ndjeshëm gjatë pjesës së mbetur të vitit 2011,
duke krijuar kështu më shumë hapësirë për financimin e sektorit privat nga sektori bankar. Kontributi i kërkesës së huaj mund të jetë më i ulët se ai i parashikuar gjashtë muaj më parë, si rrjedhojë e pasigurisë së lartë që rrethon ekonomitë e vendeve partnere.
Megjithatë, zgjerimi i bazës së eksporteve dhe tendenca rritëse e produktivitetit të punës
mund të lehtësojnë efektin e rënies së kërkesës.
Punësimi, pritet rritje
Pritjet për punësimin, bazuar në të dhënat e vrojtimeve të besimit për tremujorin e dytë
2011, janë optimiste. Bizneset e industrisë dhe të shërbimeve shprehen pozitivisht për
punësimin në tremujorin e dytë dhe presin përmirësime të mëtejshme në tremujorin
pasues. Bizneset e ndërtimit dhe të tregtisë janë pesimiste mbi situatën aktuale dhe të
pritshme të punësimit.
Analizat e deritanishme, kanë treguar se të dhënat e statistikave afatshkurtra nga
INSTAT, në përgjithësi, kanë konfirmuar sinjalizimet e marra nga vrojtimi i besimit të
bizneseve. Rezultatet e vrojtimit të besimit për tremujorin të dytë të vitit 2011,
sinjalizojnë se pagat do të mbeten të pandryshuara në këtë periudhë.
Përgatiti: Albana Muçaj
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.