Nga Floreta Luli Faber*
Marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Amerikës nuk janë një realitet vetëm i post ‘90. Në vitin 1922, qeveria e mbretit Zog nënshkruante me përfaqësuesit e qeverisë amerikane marrëveshjen për statusin e Kombit më të Favorizuar. Dallëndyshet e para të një marrëdhënieje që po mbush një shekull janë parë me fillimin e emigrimit të shqiptarëve në kontinentin amerikan, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe janë transformuar në marrëdhënie të bashkëpunimit dhe partneritetit për çështje që lidhen me forcimin e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon dhe në botë.
Formalizimi i marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve në vitin 1922 u shoqërua me marrëveshje që sollën një rritje të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Rreth viteve ‘30 shikohet një rritje e interesit të kompanive amerikane në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare dhe paralelisht një rritje e emigrimit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe për rreth pesë dekada me radhë, ka pasur një ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike dhe shifra të ulëta në marrëdhëniet ekonomike. Sot, janë në fuqi rreth 24 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-së në fusha të ndryshme.
Pas vitit 1991, SHBA kanë mbështetur Shqipërinë në çdo hap të rëndësishëm të zhvillimit të saj në drejtim të rritjes dhe forcimit të demokracisë, në procesin e integrimit euroatlantik, në krijimin dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut, si dhe në përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, terrorizmin, krimin e organizuar, e fusha të tjera.
Një hapësirë e gjerë me potencial të pashfrytëzuar plotësisht është rritja e shkëmbimeve ekonomike, rritja e investimeve reciproke, por sidomos rritja e investimeve amerikane në Shqipëri. Marrëveshjet ekzistuese mes dy vendeve, eksplorimi i potencialit të tyre si dhe lidhja e marrëveshjeve të reja, ndoshta në fushën e mostaksimit të dyfishtë apo në lehtësimin e sistemit të vizave, krijojnë premisa për rritjen e interesave ekonomike amerikane në Shqipëri. Të gjitha këto përpjekje duhet të shoqërohen me një realitet të përmirësuar të klimës së biznesit, sistemit të drejtë dhe funksional ligjor, vendosjen e elementëve nxitës për rritjen e interesit të investimeve të huaja në Shqipëri.
Marrëveshjet e nënshkruara deri në vitin 1939
Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe traktateve mes dy vendeve ka filluar që me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në vitin 1922. Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara deri në vitin 1939 janë në fuqi. Nga këto marrëveshje është interesante vendosja e Statusit të Kombit më të Favorizuar, që në vitin 1922. Që më parë se të arrihej zyrtarisht njohja mes dy vendeve, komisioneri amerikan Maksuell Blejk shkëmbeu letra me ministrin e Punëve të Jashtme, Xhafer Upi, për të siguruar statusin e kombit më të favorizuar në mënyrë të dyanshme ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Tiranë në korrik 1922 dhe hyri në fuqi më 28 Korrik 1922. Ndërsa për qeverinë shqiptare, kjo marrëveshje hyri në fuqi më 28 Dhjetor 1925, pas votimit në Parlamentin shqiptar dhe firmosjes nga Presidenti i Republikës Ahmet Zogu po atë dhjetor. Në vijim u nënshkruan një sërë marrëveshjesh si “Marrëveshja mbi shkëmbimin e notave për heqjen e taksave për vizat e zakonshme” (1 Qershor 1926); “Marrëveshja monetare” (1 Korrik 1933); Traktati i Arbitrimit (12 Shkurt 1929); apo Traktati i Natyralizimit, që u nënshkrua në Tiranë më 5 Prill 1932, por hyri në fuqi më 22 Korrik 1935; apo Traktati i Ekstradimit (14 Nëntor 1935).
Marrëveshjet pas Luftës së Dytë Botërore
Siç u theksua edhe më parë, pas Luftës së Dytë Botërore, njohja e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kushtëzua nga njohja e marrëveshjeve të firmosura me qeverinë shqiptare deri në vitin 1939. Plotësimi i këtij kushti nuk u arrit dhe marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën pas 52 vjetësh.
Gjithsesi, pas dëbimit të trupave okupuese gjermane dhe italiane, Shtetet e Bashkuara firmosën një marrëveshje me trupat ushtarake të Shqipërisë, duke u premtuar mjete për lehtësimin e situatës së pasluftës, përmes trupave ushtarake. Marrëveshja për Ndihmat Humanitare u nënshkrua në Tiranë, më 11 Prill 1945. Sipas marrëveshjes, qeveria amerikane dhe ajo angleze i ofruan ndihmë Shqipërisë përmes një organizate ushtarake “Military Liaison” – ML (Shqipëri), e cila kishte në përbërje oficerë amerikanë dhe britanikë, dhe mjete britanike. Si pjesë e marrëveshjes, këto ndihma humanitare do të lëvroheshin nga ML (Shqipëri) deri sa UNRRA të mund të kryente operacione të pavarura ndihme.
Marrëveshjet e nënshkruara pas vitit 1991
Pas vitit 1991, Shqipëria hyri në një periudhë të rëndësishme të zhvillimit, një periudhë që kishte në themel sfidën e vendosjes së rendit demokratik. Në rrugën drejt konsolidimit, institucionet demokratike duhet të mbronin të gjitha interesat e vendit, por edhe të zhvillonin ekonominë e lirë të tregut. Në gjithë këtë rrugë të gjatë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithnjë përkrah Shqipërisë, gjë që është materializuar edhe në një sërë marrëveshjesh dhe traktatesh mes dy vendeve, të cilat janë të fokusuara në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes dhe fushës së kulturës. Në mënyrë të veçantë, mund të përmenden “Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e parandalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe forcimit të marrëdhënieve ushtarake dhe të mbrojtjes”; Karta e Adriatikut dhe Integrimi Euroatlantik; “Marrëveshja në lidhje me dorëzimin e personave në Gjykatën Ndërkombëtare Penale”. Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ashtu siç mbështeti në çdo hap anëtarësimin e saj në NATO.
Një pjesë e marrëveshjeve pas vitit 1991 u fokusuan në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit dhe në rritjen e biznesit dhe investimeve mes dy vendeve. Marrëveshjet si ajo për “Asistencën ekonomike dhe teknike” (10.06.1992); “Traktati për inkurajimin dhe mbrojtjen reciproke të investimit” (nënshkruar më 11.01.1995); “Marrëveshja për zbatimin e ligjit” (10.1.2002); “Marrëveshja e grantit të objektivit strategjik për të luftuar korrupsionin, në kuadër të programit fillestar të vlerësimit të sfidës së mijëvjeçarit” (3.04. 2006); apo të gjitha marrëveshjet në kuadrin e USAID-it apo Korpusit të Paqes, kanë qenë një shtyllë e fortë e mbështetjes në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në të gjithë vitet e periudhës së tranzicionit. Një listë e të gjitha marrëveshjeve mes dy vendeve është paraqitur në Aneksin nr. 1, në fund të këtij punimi.
Marrëveshjet me Karakter Ekonomik
Njohja e Shqipërisë si shtet në vitin 1922 (28 Korrik 1922), siç u paraqit dhe më lart, u shoqërua paralelisht me terma që mbështesnin rritjen e prezencës ekonomike të kompanive amerikane në Shqipëri si dhe lehtësimin e udhëtimit të shtetasve shqiptarë drejt Amerikës. Ky fakt është i qartë në dokumentin e parë që i dërgohet qeverisë shqiptare të asaj kohe, ku paraqitet një njohje e statusit të trajtimit të kombit më të favorizuar në mënyrë të dyanshme (ndërsa qeveria shqiptare e njohu zyrtarisht këtë fakt në vitin 1925). Menjëherë pas kësaj, heqja e pagesave për marrjen e vizave për joemigrantët shqiptarë, që kërkonin të udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara (7.05.1926), apo dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Arbitrazhit (12.02.1929) treguan për një fokus të zhvillimit të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Edhe realiteti i asaj kohe flet për një numër kompanish amerikane, të cilat treguan interes në Shqipëri, sidomos në fushën e naftës dhe të kërkimeve, mbështetjen e arsimit shqiptar me shkollën teknike, apo shkëmbimet në fushën e kulturës.
Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve, më 15 Mars 1991, u shoqërua menjëherë me përpjekjet për nënshkrimin e një marrëveshjeje ekonomike, ku përmes të tjerave të ritheksohej statusi i kombit më të favorizuar. Marrëveshja ekonomike dypalëshe midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u nënshkrua dhe hyri në fuqi më 10.06.1992. Kjo marrëveshje nënshkruhej ndërsa të dyja palët binin dakord që zhvillimi i institucioneve dhe forcimi i sektorit privat do të ndihmonte në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me interes të dyanshëm, rritjen e mirëqenies, hapjen e tregjeve, si dhe forcimin e të gjitha marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.
Marrëveshja ekonomike e vitit 1992 u fokusua në trajtimin e çështjeve që lidhen me statusin e kombit më të favorizuar dhe jodiskriminimin. Marrëveshja u fokusua në të drejtën e bizneseve nga të dyja vendet për të pasur akses në tregjet, prodhimet dhe shërbimet e ofruara në vendin tjetër, mundësinë e zgjerimit të bizneseve nga një vend në tjetrin, nxitjen e tregtisë mes dy vendeve dhe krijimin e lehtësirave nga të dyja palët. Një pjesë e madhe e kësaj marrëveshjeje shtrihet në mbrojtjen e së drejtës së pronësisë intelektuale, duke theksuar të gjitha fushat ku kjo e drejtë vepron, si: mbrojtjen efektive të markave, patentave, së drejtës së autorit, sekreteve tregtare, hartave industriale apo formulave për qarqet e integruara.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje është për t’u theksuar edhe ngritja e një Komisioni të Përbashkët Tregtar mes dy vendeve. Ky Komision do të nxiste bashkëpunimin në fushën ekonomike, rishikimin periodik të vetë marrëveshjes ekonomike, dhe herë pas here të mund të bënte rekomandime për përmirësimin e marrëveshjes në mënyrë që të arriheshin sa më mirë qëllimet e saj. Paralelisht, ka rëndësi të veçantë që marrëveshja parashikon që dy vendet duhet të shikojnë hapësirat e mundura për të arritur marrëveshje dypalëshe, për çështjet e taksimit të investimeve, duke përfshirë edhe kthimin në vendin e origjinës të fitimeve apo transferimin e kapitaleve.
Në vijim të Marrëveshjes Ekonomike, dhe nën frymën e saj, u nënshkrua në vitin 1995 (dhe hyri në fuqi më 4 Janar 1998) “Marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve”. Kjo marrëveshje u nënshkrua me qëllim nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, nxitjen e lëvizjes së kapitaleve private mes vendeve, krijimin e një kuadri ligjor që maksimizon përdorimin e burimeve ekonomike dhe përmirësimin e jetesës në të dyja vendet. Në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje kërkonte të rriste nivelin e të drejtave të punëtorëve, apo dhe ruajtjen e nivelit të trajtimit të shëndetit, sigurisë në punë apo kërkesave ndaj ambientit. Marrëveshja e Investimeve ka të parashikuar një afat 10-vjeçar, i cili do të zgjatet automatikisht nëse nuk tërhiqet nga palët, dhe ka një efekt prapaveprues po 10-vjeçar, në rast se kjo marrëveshje përfundon.
Ndërkohë, informacionet e përditësuara vënë në dukje se të dyja këto marrëveshje të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe të biznesit mes dy vendeve janë ende në fuqi.
Në fokus të vëmendjes këto vitet e fundit është dhe një marrëveshje shumëpalëshe apo programe të qeverisë amerikane me disa shtete, ku përfshihet dhe Shqipëria, si për shembull programi i Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave.
Marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë kanë filluar për më shumë se një shekull më parë dhe me gjithë shkëputjen që kanë pasur për gjysmë dekade, gjithnjë e më shumë zhvillohen si marrëdhënie të shumanshme, partneriteti strategjik dhe vullneti pozitiv i dyanshëm për një marrëdhënie afatgjatë. Mbështetja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat në këto më shumë se 20 vite demokraci, si dhe aleanca e palëkundur që i ka ofruar Shqipëria kësaj lidhjeje, sidomos në fushën e rritjes së sigurisë ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit, duhet të përkthehen gjithnjë e më shumë në një interes ekonomik të dyanshëm, rritjen e tregtisë mes vendeve, rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri e anasjelltas.
Rritja e tregtisë dhe e investimeve në vendin tonë ndeshet ende në problematikat ekzistuese, të cilat duket se një nga një kanë filluar të adresohen nga qeveria shqiptare, por që normalisht do të duan kohën e vet për t’u reflektuar, si: korrupsioni, sistemi i dobët i drejtësisë, problemet me të drejtën mbi pronën, mungesa e një infrastrukture sipas standardeve, përdorimi në shkallë të gjerë i çmimeve të referencës apo ndryshimet e shpeshta të legjislacionit në fuqi. Përmirësimi i secilit nga këto elemente, shfrytëzimi i mundësive reale që ofron Shqipëria në disa sektorë të ekonomisë, si: shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe nxjerrja e mineraleve, shfrytëzimi i pozitës gjeografike, i kapaciteteve hidrike në prodhimin e energjisë, investimet në sektorin publik apo privatizimet e mundësitë për koncesione; sektori i shëndetësisë, telekomunikacionit, agro-përpunimi apo turizmi – të gjitha këto mund të shoqërohen me një numër marrëveshjesh nxitëse.
Si pjesë e Marrëveshjes Ekonomike të vitit 1992, duket se kanë ngelur pa u eksploruar disa hapësira. Së pari, sugjerohet rishikimi i mundësisë së rivitalizimit të Komisionit të Përbashkët Tregtar mes dy vendeve (sipas Nenit XIV, pika 1). Ky Komision mund të nxisë bashkëpunimin në fushën ekonomike, zgjerimin e tregtisë dhe ofrimin e projekteve konkrete për investitorët e mundshëm.
Po sipas kësaj marrëveshjeje, duhet parë çdo mundësi e eksplorimit të mëtejshëm të ngritjes së interesit dhe fillimit të bisedimeve për një marrëveshje që adreson çështjen e taksave dhe mundësisht heqjen e taksimit të dyfishtë, marrëveshje që tashmë Shqipëria e ka të ratifikuar me 37 vende, gati për t’u firmosur me 4 vende, dhe në proces me 10 vende.
Paralelisht, duhen nxitur dhe eksploruar programe të tilla si Programi i Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave, apo duhen shfrytëzuar potenciale si komuniteti shqiptaro-amerikan që jeton në Amerikë, rritja e shkëmbimeve mes Dhomave të Tregtisë në secilin prej vendeve, dhe krijimi i mundësive dhe ofrimi i projekteve konkrete, që do sillnin rritjen e interesit të investimeve amerikane në Shqipëri.
*Drejtore Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri/Artikulli është këndvështrim personal i Floreta Luli-Faber
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.