Pandemia e Covid -19 i dha një goditje të rëndë sektorit të turizmit në të gjithë botën, por sidomos në Europë, e cila ishte më e goditura nga vala e infektimeve dhe kufizimet në lëvizje.
Shumica e tipologjive të turizmit shënuan rënie, por i rezistuan më shumë krizës udhëtimet në vendet izoluara dhe sidomos turizmi i brendshëm dhe ai i kampingjeve.
Eurostat publikoi disa të dhëna krahasuese ku u vërejt se rënia e frekuentimeve në udhëtimet me kampingje ka qenë më e lehte.
Në Rajon u vërejt se ecurinë e turizmit në kampingje e kishte më të mirë Maqedonia e Veriut. Gjatë vitit 2020 u regjistruan 54 mijë net të kaluara në kampingje kundrejt vetëm 9 mije netëve në Shqipëri. Në Maqedoni turizmi i kampeve shënoi rënie vetëm me 2.3 për qind vitin e kaluar ndërsa në Shqipëri më shumë se 70%.
Gjithashtu ky lloj turizmi shënoi rënie në Serbi me rreth 55 për qind. Edhe pse Serbia ka një popullsi tre herë më të madhe se Maqedonia nuk e ka mendësinë e të pushuarit në kampe pasi në vitin 2020 u harxhuan vetëm 13,938 net qëndrime. E njëjta mendësi duket se është edhe në Shqipëri.
Turizmi ishte ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19, megjithëse ndikimi ndryshon midis llojeve të turizmit, raporton Eurostat.
Gjatë pikut të sezonit turizmit (Prill – Shtator 2020), numri i netëve të kaluara në akomodimin turistik të BE regjistroi një rënie prej 56% krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019. Rënia ishte më e lartë për turizmin ndërkombëtar (-74%) sesa për turizmin e brendshëm (-38%).
Midis prillit dhe Shtatorit 2020, hotelet dhe institucionet e ngjashme regjistruan uljet më të larta (-63% krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019), pasuar nga akomodimi me qira për pushime (-49%).
Kampingu i BE-së ishte lloji më pak i prekur i akomodimit turistik (-38%). Ngjashëm me të gjithë sektorin, netët e kaluara në kampe ranë më shumë për turizmin ndërkombëtar (-57%) sesa turizmin vendas (-26%).
Netët e kaluara në kampe midis prillit dhe Shtatorit të vitit 2020 u ulën në të gjitha shtetet anëtare të BE-së krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019, me Greqinë që ishte më e prekura (-57%).
Estonia, Lituania, Kroacia dhe Spanja regjistruan ulje prej më shumë se 50% gjatë kësaj periudhe. Në skajin tjetër të shkallës, Çekia, Danimarka, Holanda dhe Gjermania vunë re ulje prej më pak se 5%.
Kur shikohet numri i netëve të kaluara në kampe të BE-së nga turistët vendas, situata ndryshon. Në ndryshim nga zhvillimi i përgjithshëm, numri i netëve të kaluara u rrit në 10 Shtete Anëtare të BE (me të dhëna të disponueshme) midis prillit dhe shtatorit 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019. Sllovenia regjistroi rritjen më të lartë (+ 76%), ndjekur nga Austria (+ 32%) dhe Belgjika (+ 25%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.