Moska mund t’i përgjigjet sanksioneve europiane ndaj naftës ruse duke kërkuar për blerës të tjerë për naftën e saj të papërpunuar ose duke ulur prodhimin për të rritur sa më shumë çmimet. Veprimet e saj do të kishin një ndikim ekonomik global – nëse nuk ndërhyn OPEC.
Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të hënën që të ndalojnë në masën e 90% importet e naftës së papërpunuar ruse deri në fund të këtij viti, si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të bllokut ndaj Rusisë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
“Përgjigjja e Rusisë padyshim që do të jetë e mirëmenduar,” tha të martën Helima Croft, drejtuesja e strategjisë globale për lëndët e para në RBC Capital Markets.
Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë, pas SHBA-së dhe Arabisë Saudite, dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës së papërpunuar pas Arabisë Saudite, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
“Ajo që po ndodh tani do të ndryshojë tregtinë e naftës dhe të gazit natyror në të ardhmen. Çmimet e naftës nuk do të bien në planin afatshkurtër, ndërsa pasojat e sanksioneve ndaj Rusisë do të ndihen për disa vite”, tha Hossein Askari, profesor në Shkollën e Biznesit të Universitetit George Washington. “Shtetet e Bashkuara duhet të kishin përdorur sanksione të forta parandaluese ndaj Rusisë dhe të ishin treguar më të ashpra me prodhuesit e naftës të OPEC-ut, në mënyrë që ata të rrisnin prodhimin e naftës”.
Kërkimet për blerës të tjerë
Fakti nëse Rusia do të arrijë të shesë naftën e saj të papërpunuar që tashmë ndodhet nën sanksionet e Perëndimit, si dhe sasia që do të mund të shesë, do të ndikojnë në çmimet e naftës në rang global. Rreth 36% e importeve të naftës së BE-së vijnë nga Rusia.
Mikhail Ulyanov, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, tha se vendi i tij do të kërkojë blerës të tjerë për naftën.
“Siç tha me të drejtë dje, ‘Rusia do të gjejë importues të tjerë’,” tha Ulyanov në Twitter, duke iu referuar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Dërgesat e kësaj nafte në Indi, Kinë dhe Turqi, mund të varen nga fakti nëse BE-ja vendos të targetojë transportin dhe shërbimet e sigurimit dhe nëse SHBA vendos sanksione dytësore si ato ndaj Iranit”, shkroi Croft nga RBC.
Moska tashmë ka dy blerës të mundshëm për naftën e saj të papërpunuar: Kinën dhe Indinë. Këto vende kanë blerë naftë nga Rusia me ҫmime shumë të favorshme dhe ekspertët e industrisë thonë se kjo situatë duket se do të vazhdojë.
Megjithëse India tradicionalisht ka importuar sasi shumë vogla nafte të papërpunuar nga Rusia – vetëm rreth 2% deri në 5% në vit – blerjet e saj janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit.
India bleu 11 milionë fuçi naftë në muajin mars. Kjo shifër u rrit në 27 milionë në prill dhe në 21 milionë në maj, sipas të dhënave nga kompania Kpler. Ky është një kontrast i madh me sasinë prej 12 milionë fuçi naftë që vendi bleu nga Rusia gjatë gjithë vitit 2021.
Kina ka qenë tradicionalisht blerësi më i madh i naftës ruse, por edhe blerjet e saj janë rritur së tepërmi gjatë kohëve të fundit. Nga marsi në maj, Kina bleu 14.5 milionë fuçi naftë – një rritje me gati trefishin e sasisë që bleu në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Kpler.
Reduktimi i prodhimit
Rusia gjithashtu mund të reduktojë prodhimin dhe eksportet e naftës së papërpunuar, për të zbutur goditjen ndaj financave të saj. Të dielën, nënkryetari i firmës ruse të naftës Lukoil, Leonid Fedun, tha se vendi duhet të ulë prodhimin e naftës deri në 30% për të rritur çmimet dhe për të shmangur shitjen e naftës me ҫmime kaq të ulëta.
“Zyrtarët në Uashington kanë shprehur shqetësimin se Moska mund të bëjë disa lëvizje për të reduktuar eksportet gjatë verës, duke shkaktuar kështu dëmin maksimal ekonomik në Europë dhe duke testuar vendosmërinë e përbashkët të vendeve anëtare për të mbrojtur Ukrainën,” tha Croft të martën.
Duke pasur parasysh nivelet e ulëta të magazinimit dhe mungesën e kapaciteteve të rafinimit, reduktimi i eksporteve të Rusisë mund të ketë një ndikim shumë të dëmshëm ekonomik këtë verë, shtoi ajo.
“Për Rusinë, ne mendojmë se ndikimi i reduktimit të eksporteve për këtë vit do të kompensohet kryesisht nga rritja e çmimeve,” shkroi të martën Edward Gardner, ekonomist për lëndët e para në Capital Economics. Ai parashikoi se prodhimi dhe eksportet e naftës ruse mund të bien me rreth 20% deri në fund të vitit.
Teksa nafta e papërpunuar Urals, përzierja kryesore e naftës që eksporton Rusia, po tregtohet me një ҫmim më të ulët nga standardet globale, ajo aktualisht ka çmimin 95 dollarë për fuçi – ende shumë më shtrenjtë nga sa ishte një vit më parë, sipas Gardner.
Por, nëse prodhimi i naftës ruse bie, ka lojtarë të tjerë që mund të hyjnë në lojë për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve. Financial Times raportoi të enjten, duke cituar burime, se Arabia Saudite është e përgatitur për të rritur prodhimin e naftës së papërpunuar nëse reduktohet ndjeshëm prodhimi i Rusisë pas sanksioneve të Bashkimit Europian./ CNBC