Në ngërçin midis Brukselit dhe Beogradit, blloku nuk del i fituar, shkruan Aleks Eror për Politico.
Kur kancelari gjerman, Olaf Scholz, udhëtoi në Beograd para disa ditësh, ai tha se, si një shtet kandidat për në Bashkimin Europian, Serbia duhet t’u përmbahet sanksioneve që blloku vendosi kundër Rusisë për luftën në Ukrainë.
Vetëm dy vende europiane nuk kanë vendosur ende sanksione kuptimplota kundër Kremlinit: Bjellorusia dhe Serbia. Dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, vendi i të cilit sapo nënshkroi një kontratë të re trevjeçare me kompaninë ruse Gazprom në maj, i kundërshtoi kërkesat e kancelarit, duke qëndruar i palëkundur në refuzimin e tij për të ndërmarrë veprime kundër Moskës.
Kjo përplasje midis Brukselit dhe Beogradit, tani ka çuar në thirrjen për t’i dhënë fund procesit të pranimit të anëtarësimit të Serbisë. Dhe nëse kjo ndodh, Serbia do të jetë përgjegjëse.
Argumenti moral për sanksionet është i padiskutueshëm. Ajo që është e diskutueshme, është se sa dëm mund të shkaktojnë vërtet sanksionet serbe në makinën e luftës të Putinit dhe çfarë fiton saktësisht BE-ja, duke e shtyrë këtë çështje.
BE-së nuk i hyjnë në punë sanksionet e Serbisë. Në përgjithësi, rëndësia e Serbisë për ekonominë ruse është e papërfillshme dhe ndalimi i blerjeve do të ishte veçse një gjest simbolik që do të dëmtonte më shumë Beogradin, sesa Moskën.
Në vitin 2020, të ardhurat totale të eksporteve të Rusisë në Serbi ishin 330 miliardë dollarë. Eksporti kryesor rus në Serbi është nafta, nga shitja e së cilës Rusia fitoi 343 milionë dollarë atë vit – kjo është vetëm sa 0.1% e të ardhurave të saj totale.
Megjithatë, edhe pse qëndrimi i qeverisë serbe mund të jetë imoral, ai është logjik. Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga Rusia për energjinë, dhe megjithëse ekonomia e saj është e orientuar drejt BE-së, funksionimi i saj mbështetet në lëndët djegëse fosile ruse.
Një sondazh i fundit, tregon gjithashtu se 82.1% e serbëve janë kundër sanksioneve. Pra, jo vetëm që qeveria e Vuçiç do të zemëronte elektoratin, por rritja e çmimeve të karburantit gjithashtu mund të shkatërronte standardet e tyre të jetesës.
Përveç kësaj, Serbia ka mbështetjen e Moskës në bllokimin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, e cila është çështja më e diskutueshme në politikën serbe.
Serbia shpesh përshkruhet si një komb instinktivisht rusofil, por çështja e Kosovës është, në fakt, shtytësi më i madh i ndjenjës antiperëndimore në vend, më shumë se çdo faktor tjetër. Dhe nga frika se mund të humbasin mbështetjen e Rusisë, duke vendosur sanksione, shumë nuk mendojnë se ia vlen barra qiranë të rrezikohet. Në fakt, shumica do të parapëlqenin të qëndronin të palidhur me Perëndimin, ashtu si në kohën e lulëzimit të Jugosllavisë.
Një studim i fundit nga agjencia e sondazheve me bazë në Beograd, zbuloi se vetëm 21% e votuesve besojnë se Serbia duhet të mbështesë Rusinë në krizën e Ukrainës, ndërsa 50% mbështesin mosangazhimin.
Për Brukselin, e vërteta e pakëndshme është se ai thjesht nuk ka një ofertë mjaft të madhe për Serbinë, që kjo e fundit të ndryshojë pozicionin e saj.
Vetëm 5.1% e votuesve janë të gatshëm që të pranojnë pavarësinë e Kosovës, në këmbim të anëtarësimit në BE. Qeveria e Vuçiç është shumë e vetëdijshme për këtë dhe do të kishte frikë nga një reagim i brendshëm politik, më shumë se çdo hakmarrje e mundshme nga BE-ja.
Për më tepër, Vuçiç duhet të marrë parasysh edhe rrezikun e revoltës nga brenda partisë. Sipas analistit politik Dragomir Andjelkovic, presidenti “mund të kontrollojë majën e partisë, sepse ata njerëz kanë interesa të caktuara që janë të afërta me ato të Putinit, por nivelet më të ulëta nuk mund të kontrollohen lehtësisht”. Kjo “me siguri nuk do të ishte e mirë për stabilitetin e shoqërisë serbe dhe do të ndikonte në mbijetesën e qeverisë”.
Dhe paqëndrueshmëria në Serbi nuk do të ishte e keqe vetëm për Vuçiç, por edhe për BE-në.
Presidenti serb është kritikuar vazhdimisht për sundimin e tij jodemokratik, për të cilin kundërshtarët pretendojnë se mundësohet në mënyrë aktive nga BE-ja.
Ata pretendojnë se Brukseli ka shkëmbyer demokracinë me “stabilokracinë” në Serbi, duke mbyllur një sy ndaj autoritarizmit të udhëheqësit serb, sepse ai, të paktën, nuk ka treguar dëshirë për rikthim të konflikteve të armatosura në Ballkan dhe vepron si një mjet garancie në një rajon historikisht të paqëndrueshëm.
Progresistët në Serbi dhe në mbarë Europën mund të tallen me këtë justifikim, por e vërteta është se ka shumë mundësi më të këqija se Vuçiç dhe nuk ka alternativa të realizueshme.
Partitë pro-ruse, edhe më të djathta se ajo e Vuçiç, fituan 16 vende më shumë se opozita e moderuar e Serbisë në zgjedhjet e prillit. Dhe nëse duam të pranojmë se politika është arti i asaj çka është e mundur, atëherë Vuçiç është padyshim mundësia më pro-BE në Serbi.