Intervistë me Akan Ajdini, Drejtor i Përgjithshëm i IuteCredit
Tregu i kredisë është i larmishëm dhe veçanërisht në segmentin e mikrofinancës në vitet e fundit vërehet rritje e konkurrencës.
Akan Ajdini, Drejtor i Përgjithshëm i IuteCredit, thotë se institucionet financiare jo banka kanë avantazhin e të qenët më të shpejta, me një prani më të gjerë gjeografike dhe, mbi të gjitha, gatishmërinë për të marrë përsipër më shumë rrezik.
Sipas tij, rreziku më i lartë është një nga arsyet kryesore pse këto institucione kanë norma mesatare interesi më të larta krahasuar me bankat.
Çfarë pjese zënë sot institucionet financiare jobanka në tregun e kredisë?
Tregu i kredisë sot përbëhet nga institucionet financiare banka dhe jo banka. Nëse një individ, fermer ose biznes kërkon të marrë kredi, atëherë do t’u drejtohet bankave, të cilat sot janë 12 dhe institucioneve financiare, që ofrojnë kredi të vogla, të cilat sot janë më shumë se 10. Nëse do t’i referohemi kredisë në total, pra të gjithë degëve të ekonomisë si industri, bujqësi, arsim, shëndetësi, peshkim, kredia për individë, etj., atëherë mund të themi se IFJB në volum zënë një pjesë të vogël të stokut të kredisë që ka Shqipëria, duke qenë afro 10% të këtij stoku. Pjesën tjetër, prej afro 90% të stokut të kredisë, e zënë bankat. Dukshëm kemi të bëjmë me një treg shumë të larmishëm.
Sa konkurrues është sot tregu i kredisë konsumatore? Cilët janë faktorët kryesorë të suksesit për një institucion financiar jobankë, në raport me institucionet e tjera të ngjashme, apo edhe me bankat?
Tregu i kredisë konsumatore ka ekzistuar që prej fillimit të sektorit financiar në vend. Pjesë e tij, siç e thamë më lart, janë bankat dhe institucionet financiare jobanka. Bankat i qasen këtij tregu nëpërmjet produkteve si kredi konsumatore e shumave të ndryshme që variojnë nga 10,000 – 2,000,000 lekë, me ose pa kolateral, por edhe me produkte të tjera si overdraft personal, bazuar mbi pagën dhe kartë krediti. Mund të themi me bindje të plotë se tregu i kredisë konsumatore në Shqipëri është mjaft konkurrues dhe me shumë aktorë të cilët shpalosin strategjitë e zhvillimit.
IFJB, në raport me bankat, por edhe mes tyre, kanë dalluar për nga pasja prioritet ose jo të kredisë konsumatore dhe fokusimi në segmente të ndryshme të kredisë konsumatore. Me sukses ka rezultuar modeli i financimit të kredive konsumatore, ku klienti ka akses në disa kanale shitje, jo vetëm degë, procesim të shpejtë të kërkesës për kredi me dokumentacion minimal, me qëllim përfshirjen e sa më shumë kredimarrësve në përfitimin e kredisë.
Në çfarë produktesh të huasë është i specializuar kryesisht sektori i institucioneve financiare jobanka?
Pothuajse të gjitha institucionet financiare jobanka e shërbejnë kredinë konsumatore, duke e ofruar atë në një larmi produktesh. Pjesa më e madhe gjithashtu ka prioritet kredinë e biznesit të vogël e të mesëm, si dhe kredinë bujqësore.
Pavarësisht nga produktet ku janë fokusuar, disa nga karakteristikat e përbashkëta të IFJB-ve janë: vendimmarrja e shpejtë, dokumentacioni minimal dhe i marrë me deklarim nga klienti, marrje përsipër e një risku më të lartë se bankat duke financuar grupe klientësh, të cilët në banka e kanë shumë më të vështirë financimin, shtrirje më kapilare në territorin e vendit, etj.
Pse normat e interesit që ofron mikrofinanca janë mesatarisht më të larta se ato që ofron sektori bankar?
Minimalisht, për dy arsye shumë të thjeshta: Së pari, IFJB financohen pjesërisht nga vetë bankat, pra, kanë kosto më të lartë fondesh se bankat. Së dyti, IFJB marrin përsipër risk më të lartë se bankat, duke pasur normë miratimi më të lartë dhe duke financuar, siç thamë më lart, grupe klientësh me profil risku më të lartë. Ka dhe arsye të tjera, siç është kosto më e lartë operacionale për kredi, etj.
Pse mikrofinanca është e rëndësishme për të përmbushur nevojat e sektorit privat për financim, në tregje si Shqipëria?
Së pari, për klientin, aksesi në marrjen e financimeve është më i lartë tek IFJB, pasi Bankat kanë praktika më konservatore në kredidhënie. Pra, e thënë thjesht, ka shumë klientë të cilët tek IFJB kualifikohen për të marrë një kredi, ndërsa po të njëjtët klientë në bankë refuzohen.
Së dyti, në një ekonomi ende gri si ajo e jona, në rast pamundësie të mbajtjes së bilanceve të rregullta të biznesit, një biznes i vogël që kërkon kredi në bankë refuzohet, pasi i kërkohen pasqyrat e rregullta financiare. Mikrofinanca e ndërton bashkë me klientin informacionin e nevojshëm për të marrë kredi, duke e ndihmuar të kapërcejë hendekun e mosnjohjes së mbajtjes së raporteve të rregullta financiare.
Së treti, mikrofinanca operon në terrene dhe zona më të thella se bankat, që përkthehet sërish në mundësi financimi për njerëz që e kanë të pamundur të vizitojnë bankat, ose e kanë të mundur me një kosto shumë më të lartë.
Së katërti, mikrofinanca është më e shpejtë në vendimmarrjen për kredi. Ka shumë biznese dhe individë, të cilët e duan kredinë në një moment të caktuar dhe këtu mikrofinanca ka treguar se është shumë më e shpejtë në dhënien e një përgjigje ndaj një aplikimi për kredi.
Çdo rritje e financimit çon në rritje të konsumit dhe rrjedhimisht të ekonomisë, rritje të investimeve, rritje të vendeve të punës, krijimit të një mjedisi më konkurrues, formalizim të ekonomisë, përfshirje në sektorin financiar të njerëzve, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.