Njëmbëdhjetë nga dymbëdhjetë kompanitë e sigurimeve në tregun shqiptar e mbyllën vitin 2022 me fitim. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se viti 2022 për tregun e sigurimeve u mbyllën me një fitim rekord prej 1.63 miliardë lekësh, në rritje vjetore me 171%. Të dhënat e detajuara të Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes 2022 tregojnë se performanca ishte përgjithësisht pozitive edhe në nivel të kompanive të veçanta, si në tregun e Jetës, ashtu edhe në atë të Jo-Jetës.
Në tregun më të madh, atë të sigurimeve të Jo-Jetës, u raporua një fitim neto prej 1.44 miliardë lekësh dhe shtatë nga tetë kompanitë që veprojnë në treg e mbyllën vitin me fitim.
Pjesën më të madhe në “tortën” e fitimit e mori kompania më e madhe, SIGAL UNIQA Group Austria, me 467 milionë lekë, ose 31% të fitimit total të tregut për vitin e kaluar.
Fitimi i SIGAL u rrit me afërsisht 25% krahasuar me vitin 2021. Sigal është gjithashtu edhe kompania me vlerën më të madhe të fitimeve të mbartura në bilanc nga vitet e mëparshme, me rreth 1.47 milardë lekë deri në fund të vitit 2022
Fitimin e dytë më të lartë e raportoi kompania Albsig, me 302 milionë lekë ose 20% të fitimit total neto të regjistruara nga të gjitha kompanitë. Fitimi i Albsig u rrit me 26% krahasuar me një vit më parë. Edhe Albsig raportonte në llogarinë e kapitalit fitime të mbartura nga vitet e mëparshme, për një shumë totale prej 690 milionë lekësh.
Fitimin e tretë më të lartë vitin e kaluar e raportoi Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group (SIVIG), me 277 milionë lekë ose 18% të totalit të tregut. Fitimi neto i SIVIG u rrit me 94% krahasuar me vitin 2021/ Rezultati i vitit 2022 bëri që SIVIG të rekuperonte humbjen e vogël prej afërsisht 3 milionë lekësh, të mbartur nga vitet e mëparshme.
Vijon Eurosig, me një fitim neto prej 208 milionë lekësh ose 14% të fitimit total të tregut.
Fitimi i Eurosig shënoi një rritje të lehtë me 1% krahasuar me një vit më parë.
Kompania e fundit që arriti fitim neto sipër vlerës së 100 milionë lekëve. Fitimi i Intersig arriti në 110 milionë lekë ose 7% e totalit të tregut.
Me fitim e mbyllën vitin 2022 edhe Atlantik, në vlerën e 83 milionë lekëve dhe Insig, në vlerën e 79 milionë lekëve, duke marrë secila afërsisht 5% të fitimit neto të tregut për vitin e kaluar.
E vetmja kompani që e mbylli vitin 2022 me humbje ishte Ansig. Humbjet e Ansig arritën vlerën e 83 milionë lekëve. Humbjet e Ansig u rritën me 170% krahasuar me vitin 2021. HUmbjet e mbartura nga vitet e mëparshme në bilanc kishin vlerën e 377 milionë lekëve.
Në tregun më të vogël, atë të sigurimit të Jetës, të gjitha kompanitë e mbyllën vitin 2022 me fitim, për një vlerë të përgjithshme prej 186 milionë lekësh.
Edhe në tregun e Jo-Jetës SIGAL dominoi strukturën e fitimeve, me 86 milionë lekë ose 46% të totalit. Fitimi i SIGAL Life u rrit me 3% krahasuar me një vit më parë.
Kompania e dytë për nga vlera e fitimit neto të realizuar u rendit Albsig Jetë, me 70 milionë lekë ose 38% të totalit. Megjithëse është kompania më e re në tregun e sigurimit të jetës, Albsig Jetë ka arritur të fitojë terren shpejt dhe në terma të përfitueshmërisë pozicionehet më mirë se dy kompanitë e tjera më të vjetra në këtë treg. Fitimi i Albsig Jetë u rrit me 210% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Insig Jetë e mbylli vitin 2022 me një fitim në vlerën e 23 milionë lekëve ose 12% të totalit të treguit, ndërsa Sicred raportoi një fitim modest në vlerën e afërsisht 8 milionë lekëve ose 4% të fitimit të tregut të sigurimit të Jetës./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.