Të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese turistike për transportin e pasagjerëve mbi 100 pasagjerë, jahteve, varkave me vela për peshkim duhet të pajisen me certifikatë profesionale, sipas kategorive dhe zonave të caktuara të lundrimit.
Udhëzimi i Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjetikës, i botuar në Fletoren Zyrtare specifikon kriteret që duhet të plotësojnë drejtuesit e mjeteve lundruese të kategorive: A, B, C dhe D.
Udhëzimi përcakton se i lind e drejta për t’u pajisur me dëshmi aftësie të kategorive A, B,C dhe D pa qenë nevoja të kryejnë kurset e trajnimit personat që kanë kryer arsimin e lartë Bachelor për navigacion ose inxhinieri detare. Të gjithë të interesuarit për t’u pajisur me leje drejtimi duhet të kalojnë me sukses testimin teorik dhe praktik. Testimi teorik i kandidatëve do të mbikëqyret nga Komisioni i Testimit. Testimi praktik kryhet në det me mjetin e vogël lundrues të Qendrës së Trajnimi, nën mbikëqyrjen e të paktën njërit prej anëtarëve të komisionit. Kandidatët, të cilët rezultojnë jokalues në njërin nga testimet, kanë të drejtë që të ritestohen. Ritestimi do të kryhet vetëm për llojin e testimit që kandidati ka rezultuar jokalues. Afati kohor për ritestim nuk duhet të jetë më vonë se dy muaj.
Këto dëshmi aftësie lëshohen më afat vlefshmërie 5 vjet, me të drejtë rinovimi, shoqëruar me një raport mjekësor “i aftë për punë” për kategoritë A dhe B, ndërsa për kategoritë C dhe D, nevojitet raport mjekësor për shikimin dhe dëgjimin.
E drejta për tu pajisur me dëshmi aftësie kategoria A, B, C, D
– I lind e drejta të pajiset me dëshmi aftësie të kategorive “A” dhe “B”, pa qenë nevoja të kryejë kurset e trajnimit të përcaktuara në këtë udhëzim çdo personi, që: a) ka kryer arsimin e lartë Bachelor dega navigacion ose inxhinieri detare; është i aftë nga ana shëndetësore për “punë”; ose b) zotëron certifikatë kompetence II/1 ose II/2 ose II/3, sipas kodit STCW; ose; c) zotëron certifikatë të tipit II/5, III/1, III/2, III/3, sipas kodit STCË; është i aftë nga ana shëndetësore për “punë”, kalon me sukses vetëm testimin teorik të përcaktuar për këtë kategori. Pajisja me dëshmi aftësie e personave që plotësojnë kriteret e pikave “a” dhe “b”, të këtij neni, do të bëhet nga Sektori i Regjistrit të Mjeteve të Vogla Lundruese dhe Detarëve pasi të jetë grumbulluar dokumentacioni i kërkuar në këto pika.
-I lind e drejta të pajiset me dëshmi aftësie të kategorisë “C”, pa qenë nevoja të kryejë kurset e trajnimit të përcaktuara në ketë udhëzim, çdo personi, që: a) ka kryer arsimin e lartë Bachelor dega navigacion, është i aftë nga ana shëndetësore për “punë”, ka të paktën 3 muaj eksperiencë lundrimore, kalon me sukses vetëm testin teorik sipas kësaj kategorie; ose b) zotëron certifikatë kompetence II/1 ose II/2 ose II/3, sipas kodit STCË; ose c) zotëron certifikatë të tipit II/5, III/1, III/2, III/3, sipas kodit STCË, është i aftë nga ana shëndetësore për “punë”, ka të paktën 12 muaj eksperiencë lundrimore, kalon me sukses vetëm testin teorik sipas kësaj kategorie; ose d) ka të paktën 24 muaj eksperiencë lundrimi në anije përfshirë anijet e peshkim dhe anijet e shërbimeve portuale; kalon me sukses vetëm testin teorik sipas kësaj kategorie. Pajisja me dëshmi aftësie e personave që plotësojnë kriteret e pikave “a” dhe “b”, të këtij neni, do të bëhet nga Sektori i Regjistrit të Mjeteve të Vogla Lundruese dhe Detarëve pasi të jetë grumbulluar dokumentacioni i kërkuar në këto pika.
-I lind e drejta të pajiset me dëshmi aftësie të kategorisë “D”, pa qenë nevoja të kryhej kurset e trajnimit të përcaktuara në këtë udhëzim çdo personi, që: a) ka kryer arsimin e lartë dega navigacion, është i aftë nga ana shëndetësore kryesisht për shikimin dhe dëgjimin, ka të paktën 6 muaj eksperiencë lundrimore; ose b) zotëron certifikatë kompetence II/1 ose II/2, sipas kodit STCË; ose c) zotëron certifikatë të tipit II/3, II/5, III/1, III/2, sipas kodit STCË, është i aftë nga ana shëndetësore kryesisht për shikimin dhe dëgjimin, ka të paktën 24 muaj eksperiencë lundrimore. Kalon me sukses vetëm testin teorik sipas kësaj kategorie; ose d) ka të paktën 36 muaj eksperiencë lundrimi në anije përfshirë anijet e peshkimit dhe anijet e shërbimeve portuale, kalon me sukses vetëm testin teorik sipas kësaj kategorie. 2. Pajisja me dëshmi aftësie e personave që plotësojnë kriteret e pikave “a” dhe “b”, të këtij neni, do të bëhet nga Sektori i Regjistrit të Mjeteve të Vogla Lundruese dhe Detarëve pasi të jetë grumbulluar dokumentacioni i kërkuar në këto pika
Procedurat e testimit
-Testimi teorik i kandidatëve do të mbikëqyret nga Komisioni i Testimit.
-Testimi praktik kryhet në det me mjetin e vogël lundrues të Qendrës së Trajnimi, nën mbikëqyrjen e të paktën njërit prej anëtarëve të Komisionit.
-Vetëm kandidatët që përfundojnë me sukses testimin teorik kanë të drejtë të kryejnë testimin e praktikës në det.
-Vetëm kandidatët, të cilët përfundojnë me sukses testimin teorik dhe praktik, kanë të drejtë të pajisen më dëshmi aftësie për drejtimin e mjeteve të tjera të vogla lundruese, sipas kategorisë së testimit.
Mbajtësi i dëshmisë së aftësisë
Kategoria A :Të drejtojë një mjet të vogël lundrues jo më shumë se 1 milje nga bregu
Kategoria B: Të drejtojë një mjet të vogël lundrues jo më shumë se 3 milje nga bregu
Kategoria C: Të drejtojë një mjet të vogël lundrues, anije peshkimi, anije me vela, jaht, anije për shërbime portuale, të drejtojë një mjet detar për transportin e brendshëm dhe turistik të pasagjerëve me jo më shumë se 100 pasagjerë dhe jo më shumë se 6 milje nga bregu.
Kategoria D: Të drejtojë një mjet të vogël lundrues për qëllime ekonomike, anije peshkimi, anije me vela, jaht, anije për shërbime portuale, të drejtojë një mjet detar për transportin e brendshëm dhe turistik të pasagjerëve mbi 100 pasagjerë dhe jo më shumë se 12 milje nga bregu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.