Kanë rënë me gati 10% dhe importet e “ushqimeve, pijeve dhe duhanit”, çka tregon se kriza ka prekur deri dhe shpenzimet jetësore të një familjeje. ..
Importet kanë rënë me 9.4% me bazë vjetore në dy muajt e parë të këtij viti, duke vazhduar prirjen tkurrëse të konstatuar gjatë 2012-s, çka reflektoi një tkurrje të konsumit në vend, nga njëra anë, dhe frenimin e investimeve nga bizneset shqiptare (rënia e importeve të makinerive pajisjeve, materialeve të ndërtimit e metaleve).
Importet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë shënuan tkurrjen më të madh në janar-shkurt me 32%, në 12 miliardë lekë, sipas INSTAT. Megjithatë ky zë është mjaft i ndikuar nga ecuria e prodhimit të energjisë elektrike në vend (rritja e prodhimit zvogëlon importet e energjisë)
Megjithatë, në tkurrje kanë qenë dhe dy grupmallra, që janë tregues të rëndësishëm të nivelit të investimeve në vend:
-Importet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve ranë me rreth 5% në gati 5 miliardë lekë;
-Blerjet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit nga jashtë u reduktuan ndjeshëm me 11%, duke zbritur në 12.5 miliardë lekë.
Në një kohë kur prodhimi sezonal vendas është i ulet, kanë rënë me gati 10% dhe importet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit, çka tregon se kriza ka prekur deri dhe shpenzimet jetësore të një familjeje.
BUrimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.