7 taksat që paguajnë sot shqiptarët

12/02/2019 4:47 PM 0 komente

Nafta është një nga produktet ku janë integruar një numër i lartë taksash nxitur kjo së pari nga lehtësia e vjeljes. Por vit pas viti, pesha e taksave në çmimin final në raport me peshën që zë produkti është rritur në mënyrë dramatike. Sot 65% e këtij çmimi shkon për taksa nga ato të zakonshmet deri tek ato indirekte të cilësuara si të çuditshme. Sot, në një litër naftë paguhet 37 lekë si akcizë për këtë produkt, 27 lekë taksë qarkullimi si dhe 3 lekë taksë karboni.

Nga ana tjetër, ndryshimi i kushteve për rilicencimet që rriti kostot për kompanitë është një tjetër zë që reflektohet në çmimin final. Operatorët e tregut llogarisin një kosto prej më shumë se 7 lekësh pikërisht për tarifën e licencimit që paguajnë pranë institucioneve shtetërore.

Sikur të mos mjaftonin këto, vit pas viti janë shfaqur taksa apo tarifa indirekte që vijnë si efekt i koncesioneve të miratuara nga qeveria. I pari ai i markimit me 1 lekë për litër që qeveria ia dha GFI Albania pak vite më parë. Po kështu rreth 1.5 lekë është taksa e skanimit për çdo një litër karburant, edhe ky një koncesion i kundërshtuar në masë, por funksionon prej vitesh.

Të gjitha këto taksa paguhen në hallka të ndryshme nga shoqëritë e hidrokarbureve por që në finale paguhen nga konsumatori në faturën e tij. Kjo e fundit ka të shtuar edhe taksën e shtatë që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar e llogaritur si 20 për qind e çmimit final. Në total, pesha e taksave është rreth 110 lekë për litër.

Nëse listës do t’i shtohen edhe dy tarifat në tentativë, sigurisht që pesha e taksave në çmimin final do të jetë edhe më e lartë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of