Pothuajse një vit pas votimit të referendumit për Brexit, më në fund nisën negociatat
Vetëm pas zhvillimit të një referendumi, zgjedhjeve dhe 12 muaj më vonë, negociatat e Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian më në fund filluan më 19 qershor. David Davis, sekretari i Brexit, shkoi në Bruksel për t’u takuar me Michel Barnier, kryenegociatorin e BE-së. Të dy dukeshin të qeshur përpara kamerave teksa shkëmbyen edhe dhuratat për njëri—tjetrin, një bastun për z. Davis, punim artizanal nga Savoie. Ndërsa dhurata për z. Barnier ishte një libër i rrallë mbi ekspeditat franceze në Himalaja në 1950-n, një version në gjuhën franceze i firmosur nga vetë autori Marcel Ichac. Të dyja dhuratat ishin simbolike dhe shprehnin pasionin e tyre për alpinizmin.
Edhe biseda që u zhvillua midis tyre ishte shumë miqësore, shkruan The Economist. Të dy palët ngritën grupet e punës dhe ranë dakord të takoheshin çdo muaj. Ata vëzhguan qëndrimet e njëri-tjetrit në tri çështjet kryesore të fazës së parë të negociatave: Të drejtat e qytetarëve të BE-së që jetojnë në Britani (dhe anasjelltas); Detyrimet e pazgjidhura financiare të Britanisë ndaj BE-së dhe kufiri midis Irlandës së Veriut dhe Republikës Irlandeze.
Kur të 27-ta qeveritë e tjera të BE-së të bien dakord se secila prej këtyre çështjeve ka avancuar në mënyrë të mjaftueshme, gjë që shpresohet të arrihet gjatë vjeshtës, ata do të autorizojnë z. Barnier për të filluar bisedimet mbi një marrëveshje tregtare pas Brexit.
BE-ja ka publikuar synimet për të drejtat e qytetarëve dhe faturën e Brexit; Një propozim britanik për qytetarët do të pasojë më tej.
Dy pika kryesore mund të veçohen nga takimi i parë.
Së pari, spekulimet se Britania mund të kërkonte një Brexit “më të butë”, pas zhvillimit të zgjedhjeve jopërfundimtare në të cilën konservatorët humbën shumicën e tyre, nuk ekziston më tani për tani. Z. Davis konfirmoi se Britania do të largohet si nga tregu i vetëm i BE-së, ashtu edhe nga bashkimi doganor i saj. Philip Hammond, i cili si kancelar shpreh shqetësimet mbi koston ekonomike të Brexit, ka thënë të njëjtën gjë. Por Britania duket se do të luftojë ende për një Brexit të vështirë.
Lëvizja e dytë ishte shumë taktike. I pyetur se pse ai e kishte pranuar ndarjen në dy faza të BE-së, z. Davis iu përgjigj se ajo ishte në përputhje me qasjen e ndërmarrë nga Theresa May kur nisi nenin 50 në mars. Pastaj toni pajtues i kryeministrit u mirëprit nga zyrtarët e BE-së, ndryshe nga tubimi i saj gjatë fushatës zgjedhore.
Megjithatë, një pasiguri e madhe qëndron mbi të gjithë procesin e së ardhmes së znj. May. Në Londër gumëzhijnë zërat se Kryeministrja nuk do ta ketë shumë të gjatë. Një debat i hapur po shfaqet brenda kabinetit, ku z. Hammond ripohon pikëpamjen se ata që mbështetën Brexit nuk votuan për t’u bërë më të varfër.
Ai dëshiron një periudhë të gjatë tranzicioni pasi Britania të largohet nga BE në vitin 2019, për t’u mundësuar firmave vazhdimësinë. Por asnjë ndryshim i rëndësishëm nuk mund të ndodhë në politikën e Brexit, teksa znj. May është ende në krye të detyrës. Por edhe për sa kohë ajo do të jetë e aftë të rezistojë, askush nuk mund ta dijë.