Ishte 29 qershor 2007 kur u hodh në treg iPhone i parë. Ja se çfarë ka ndryshuar në këto dhjetë vjet dhe si do të ndryshojë në dekadën e ardhshme
Dhjetë vjet për jetën e një njeriu mund të jenë pak, por për një pajisje elektronike janë shumë. Merrni për shembull iPhone: në dhjetë vjet, smartphone “revolucionar” i prezantuar nga Steve Jobs ka ndryshuar krejtësisht fytyrë. Ishte 29 qershor 2007 kur iPhone i parë doli në treg dhe në dhjetë vjet mund të themi se ky telefon ka ndryshuar jetën tonë dhe ka krijuar një sektor që fiton miliarda euro çdo vit.
Nëse në sytë e njerëzve, iPhone i parë dukej si një telefon që kishte ardhur nga e ardhmja, në duart e adoleshentëve të sotshëm do të dukej një telefon i vjetër. Dhe si mund të mos u japësh të drejtë. Ekrani i modelit të parë iPhone ishte vetëm 3,5 inç dhe, pavarësisht pranisë së sistemit operativ iOS, ishte e pamundur që të instaloheshin aplikacione. Për Millenials të cilët janë rritur me ekranë gjigante dhe me mundësinë për të instaluar aplikacione falas, tanimë flitet për një tjetër epokë. Dhe të mendosh, kanë kaluar vetëm dhjetë vjet…
Të mendosh se si do të jetë iPhone pas një dekade është vërtet e ndërlikuar, por disa të dhëna i kemi në dispozicion. Flitet për një ekran të përthyeshëm dhe realitet virtual. Vihet bast që në dekadën e ardhshme, iPhone do t’i disponojë këto teknologji. Por a jemi të sigurt se në dhjetë vitet e ardhshme do të flasim për smartphone apo për iPhone? Vështirë të japësh një përgjigje…
Si ishte iPhone 10 vjet më parë
Ishte 9 janari i vitit 2007, kur Steve Jobs u ngjit në skenën e Macworld Conference & Expo në San Francisko dhe i prezantoi gjithë botës iPhone-n e parë. CEO i atëhershëm i Apple u la takim të gjithë të pasionuarve të Apple më 29 qershor 2007, dita zyrtare e hedhjes në treg të iPhone.
iPhone i parë ishte një pajisje revolucionare, përveçse një telefon, ai mund të lidhej me internetin dhe kishte një ekran me prekje. Dhjetë vjet më parë kjo ishte diçka e jashtëzakonshme. Por nuk mungonin defektet si për shembull sistemi operativ iOS i cili nuk u përshtatej kërkesave të përdoruesve.
Si është iPhone tani
Në dhjetë vjet shumë gjëra kanë ndryshuar – dizajni, sistemi operativ dhe po ashtu funksionet që ofron. Por një gjë ka mbetur e njëjtë – kompania nuk prezanton më shumë se dy smartphone në një vit. iPhone mbetet një pajisje e menduar për përdoruesit, por nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha. Ndryshimet e mëdha zakonisht ndodhin në tre-katër vjet.
Ekrani i iPhone të parë ishte 3,5 inç krahasuar me 5,5 që është aktualisht. Tashmë, sistemi operativ iOS i përshtatet nevojave të përdoruesve dhe mbi të gjitha vë në dispozicion më shumë se 2 miliardë aplikacione. Gjatë dhjetë vjetëve, Apple ka ndërtuar një sektor që më parë nuk ekzistonte – atë të aplikacioneve dhe zhvillimin e tyre.
Si do të jetë iPhone në të ardhmen
Pas një dhjetëvjeçari të parë të suksesshëm, të gjithë do të prisnin që edhe vitet e ardhshme të ishin të tillë. Po a jemi të sigurt që në vitin 2027 do të flasim për iPhone? Sektori i smartphone-ve ndryshon çdo vit, dhe po i afrohemi një epoke në të cilën smartphone-t, tablet-ët dhe asistentët personalë do të bëhen bashkë në një pajisje të vetme.
Dhe Apple sigurisht nuk do të qëndrojë në vend por me siguri do të prezantojë edhe në këtë rast pajisjen e vet.