Politika ka një shans të dytë, të artë, që t’ju tregojë shqiptarëve se Reforma në Drejtësi do të ndodhë ashtu si ata e presin.
Megjithëse Vetting-u i famshëm u përbalt shpesh gjatë rrugës deri sa u miratua, konsensusi i dhënë me pahir nga klasa politike në Parlament i qetësoi ujërat dhe reforma nisi udhë.
Për momentin janë krijuar disa nga strukturat e reja dhe reforma po i afrohet njërit prej kulmeve të saj institucionale. Kryeprokurorit aktual po i mbaron mandati dhe, siç parashikohet në dispozita kalimtare, në vend të tij do të vendoset një tjetër i përkohshëm, derisa të plotësohet e gjithë arkitektura e re e Vetting-ut, e cila i jep në vijim fuqinë ligjore vendimit për të zgjedhur një prokuror të ri, me mandat të plotë.
Por debati politik për këtë çështje në Kuvend po ndjek gati të njëjtën udhë që ndoqi përpara se Vetting-u të votohej. Palët po tregojnë se,as nuk duan të gjejnë pika të përbashkëta dhe retorika e përdorur është “kriminalizuar” mjaft. Mungesa e dukshme e konsensusit jep për publikun të njëjtën shije të hidhur që provoi me procesin pararendës themelues i reformës në drejtësi, që u arrit në momentet e fundit, kur lëvizi gjuha “kërcënuese” e ndërkombëtarëve.
Situata e përsëritur dhe e papërligjur po fillon të japë shqetësime se mos vallë edhe prokurori i ri, ai i Vetting-ut, do të jetë produkt politik dhe jo produkt i nevojës publike për drejtësi?
Në 27 vjet, në Shqipëri, janë ngritur dhe kanë rënë mjaft kryeprokurorë.
Gati asnjë prej tyre nuk i ka hapur dhe as i ka mbyllur dosjet e mëdha. Asnjë zyrtar i lartë, apo “peshk i madh”, siç kanë qejf t’i thërrasin shpesh, tani, edhe ndërkombëtarët, nuk i është dorëzuar drejtësisë. Por megjithatë, me shumë pak ndryshime, emërimi dhe shkarkimi i tyre, nuk ka ndodhur për arsye profesionale, por për motive politike. Stërkëmbëshat politikë kanë qenë të koklavitur dhe sado i spikatur të ketë qenë integriteti i kryeprokurorit, ai dhe drejtësia bashkë me të, janë dobësuar dhe janë kapur nga politika.
Gjithnjë procesi i hetimit ka ecur sipas humorit të politikës dhe rastet e ndëshkimit kanë qenë rastet e hakmarrjes politike. Kjo që ka ndodhur me kryeprokurorët ka qenë pasqyrim i klimës së tejnxehur, agresive e konfliktuale të politikës gjatë gjithë këtyre viteve dhe suksesi apo mossuksesi janë varur nga politika në këtë tranzicion të dhimbshëm shqiptar.
Këto qëndrime të dyanshme sot në këtë fazë të reformës në drejtësi, mund të jenë të frymëzuar nga qëllime politike ende të panjohura, por shqiptarëve nuk ka çfarë ju duhet kjo, se ata kanë vetëm një shqetësim tjetër: A do të ketë kryeprokurori i ri këllqe të çojë përpara drejtësisë çdokënd që shkel ligjin, pavarësisht se sa pushtet ka ai. Që kjo të fillojë të ndodhë, historia ka treguar se si parakusht është i domosdoshëm konsensusi. Edhe pse me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri mund të mos krijohen ngërçe, vota konsensuale do t’i japë drejtësisë së nisur“këllqet” që deri më sot i kanë munguar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.