Rreth 100 vjet më parë, numri i kuajve në SHBA u rrit rreth 26 milionë. Që atëherë, natyrisht, ka pasur një rënie konstante, veçanërisht falë rritjes së makinave. Sot është ndezur një debat mbi punëtorët dhe faktit nëse edhe ne mund të vjetrohemi, ndërkohë që shoqëria automatizohet.
Frika se mos robotët zëvendësojnë punët është reale. Por lajmi i mirë është se disa sektorë të veçantë nuk do të pësojnë të njëjtin fat si kuajt. Cilët janë ata? Lexoni më poshtë. Por së pari, le të flasim për punët që rrezikohen të zëvendësohen nga automatizimi.
PUNËT QË RREZIKOHEN MË TEPËR
Punët që kërkojnë veç një diplomë të shkollës së mesme janë më shumë në rrezik. Marrim për shembull të gjithë ata që punojnë në kasa apo operatorët. Këto lloj punësh nuk kërkojnë shumë analizë njerëzore dhe mund të kryen lehtësisht nga makineritë.
Disa operatorë në autostrada janë zëvendësuar që tani nga sisteme të automatizuara si E-ZPass, i cili përdoret në 16 shtete. Ndërkohë, sipas një studimi nga kompania për shërbime financiare Cornerstone Capital Group, 7.5 milionë vende pune në retail rrezikohen nga automatizimi dekadën e ardhshme,
Ndryshimi po ndodh. CVS ka instaluar automate në 448 vende. McDonald’s (MCD) dhe Wendy’s kanë instaluar automate në disa restorante, duke u dhënë mundësinë konsumatorëve të bëjnë porosinë nëpërmjet një ekrani me prekje. Në dhjetor, Amazon vuri në lojë një video të konceptit të ri të dyqanit Amazon Go, me seli në Seattle, ku ju nuk duhet të prisni më në radhë te kasa për të paguar. Procesi i pagimit është i automatizuar nëpërmjet smartphone. Në këtë mënyrë, klienti hyn dhe del nga dyqani dhe nuk i duhet të presë në radhë për të paguar.
“Procesi i retail-it është duke kaluar një krizë ekzistenciale”, – tha Robert Hetu, analist në Gartner, për CNN Tech. Është e nevojshme të eliminojmë shumë procese manuale, të cilat sektori i retail i ka përdorur prej dekadash”.
Disa nga kompanitë më të mëdha në botë janë duke investuar miliarda për të ndërtuar robotë, me qëllim zëvendësimin e njerëzve. Shembulli më i qartë janë makinat me vetëdrejtim.
Kompanitë automobilistike dhe ato teknologjike janë në një garë të ethshme për të arritur të parët. Në momentin që makinat dhe kamionët do ta drejtojnë vetë veten, do të jetë më pak e nevojshme që një drejtues të drejtojë një taksi, Uber apo kamion.
Vivek Wadhwa, autor i “The Driver in the Driverless Car,” vlerëson se rreth 5 milionë vende pune (shoferë) do të zhduken rreth vitit 2020, ndërkohë që makinat do të fitojnë autonominë.
Megjithatë industria autonome e automjeteve ka të ngjarë të krijojë vende të reja pune, si për shembull menaxherë që mbikëqyrin flotën e makinave.
Byroja e Punës dhe Statistikave ka vlerësuar se 80 mijë vende punë në sektorin e fastfood-eve do të zhduken brenda vitit 2024. Rritja e pagës minimale në shumë shtete është një arsye më shumë për kompanitë që t’i zëvendësojnë punëtorët me makineri.
Sipas Information Technology & Innovation Foundation (Fondacioni për Teknologjinë e Informimit dhe Inovacionin), punët në fastfood renditen në vendet e para që rrezikohen nga automatizimi.
“Është më ekonomike të blesh një krah të robotizuar 35 mijë dollarë se sa të punësosh një punonjës që me zor fiton 15 dollarë në orë”, tha Edward Rensisad, ish-drejtues ekzekutiv për Fox Business Network në vitin 2016. Ai tha se numri i personave që punojnë në një McDonald’s është reduktuar në gjysmë për shkak të automatizimit – që kur ai ka filluar të punojnë në kompani në vitet ‘60.
PUNËT MË PAK TË RREZIKUARA
Një prekje njerëzorë është gjithnjë e rëndësishme në kujdesin shëndetësor, duke i bërë profesione si mjekët dhe infermierët më pak të rrezikuar të zëvendësohen nga robotët. Fondacioni për Teknologjinë e Informimit dhe Inovacionin, që ka analizuar më shumë se 800 lloje punësh që rrezikohen nga automatizimi, i vlerëson këto pozicione të sigurta. Kompjuterët po bëhen gjithnjë e më të zotë të japin diagnoza mjekësore, por pacientët nuk duan të marrin diagnoza nga një kompjuter.
“Në këtë situatë, ata kanë nevojë për një person që të tregojë dhembshuri, që të mund t’i ndihmojë të kuptojnë dhe pranojnë shpesh lajme të vështira”, shkruajnë kërkuesit Andrew McAfee dhe Erik Brynjolfsson në librin e tyre “Machine Platform Crowd.”
Por automatizimi po luan një rol të rëndësishëm në disa fusha të mjekësisë. Radiologët janë ndër të parët të prekur nga automatizimi, të cilët analizojnë imazhet mjekësore, si për shembull grafi.
Sipas McAfee e Brynjolfsson, punët që lidhen me drejtimin dhe frymëzimin e të tjerëve nuk rrezikohen nga automatizimi.
Në rastin e një trajneri të rinjsh, arritja e një fitoreje nuk është gjëja më e rëndësishme e punës.
“Çfarë ka rëndësi është aftësia e të bërit bashkë të vajzave, për të arritur një objektiv, t’u mësojnë të mbështetësin njëra-tjetrën dhe të zhvillojnë personalitetin e tyre nëpërmjet atletikës” – shkruajnë ata.
Është e pamundur që një robot të identifikojë një lider, të drejtojë njerëz me karakter të vështirë dhe të ndihmojë një skuadër të krijojë një lidhje”.
“Besojmë se aftësia për të punuar në mënyrë efikase me njerëz të ndryshëm do të mbetet një aftësi tërësisht njerëzore për shumë kohë”, shkruajnë ata.
Sipas renditjes së Fondacionit për Teknologjinë e Informimit dhe Inovacionin, parukierët dhe kozmetologët bëjnë pjesë në ato profesione që kanë pak gjasa të preken nga automatizimi.
“Robotët janë të dobishëm, por ata nuk janë mbinjerëzorë, – shprehet Rob Atkinson, president i Fondacioni për Teknologjinë e Informimit dhe Inovacionin. – Ka rreth 150 mijë qime në kokën e një njeriu dhe secila prej tyre duhet të pritet në një gjatësi të saktë dhe të ndryshme. A do të jenë në gjendje shkencëtarët dhe inxhinierët të projektojnë një robot në gjendje të kryejë këto veprime?
Disa muzikantë janë duke i kërkuar ndihmë Inteligjencës Artificiale në procesin e tyre krijues. Taryn Southern, e cila u shfaq në“American Idol” në vitin 2004, u mbështet në Inteligjencën Artificiale për të krijuar melodinë, por tekstet ishin të gjitha krijim i saj. McAfee dhe Brynjolfsson besojnë se kompozitorët nuk rrezikohen nga automatizimi.
“Do të befasoheshim nëse ndonjë kompozitor dixhital do të krijonte tekste të mëdha dhe të besueshme si Cole Porter, Joni Mitchell apo Jay Z”, shkruajnë ata. “Në pjesën më të madhe, kreativiteti lind, nga kuptimi i gjendjes njerëzore. Nuk shohim asgjë që të na tregojë se kompozitorët rrezikohen nga automatizimi” .
Inteligjenca Artificiale ka prekur sektorë të tjerë. Një program kompjuterik i Automated Insights, për shembull, shkruan artikuj mbi raporte të kompanive financiare dhe sportive. Yahoo Sports përdor teknologjinë për të siguruar një raport javor për Ligën e saj imagjinare të Futbollit.
Byroja e Punës dhe Statistikave ka vlerësuar se punët që lidhen me shëndetin mendor dhe asistentët socialë që punojnë me persona që kanë varësi nga substanca narkotike do të rriten me 19 për qind brenda vitit 2024.
Koha që kalojmë para ekraneve po rritet. Ndërveprimet njerëzore po zvogëlohen, kështu që ne të gjithë i vlerësojmë ato më shumë. Dhe njerëzit që janë në gjendje t’i realizojnë këto marrëdhënie kanë një vend të sigurt në të ardhmen.
“Duhet të marrim frymë thellë”, shkruan Atkinson në raportin e tij. “Sa herë që të lexoni diçka tjetër mbi ‘apokalipsin e punës’, mendoni se sa e vështirë është të automatizosh punë si inxhinierë minierash, rojtarë dhe dentistë.
Burimi: CNN