Drejtuesit e rreth 144 mijë automjeteve që nuk kanë paguar taksat, me ligjin e ri të fshirjes së detyrimeve parashikohet të kenë 6 muaj afat për të mbajtur makinën në qarkullim.
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor llogarit se për rreth 144 mijë mjete, efekti financiar nga drafti i fshirjes së detyrimeve në total është rreth 15 milionë dollarë.
Gazeta boton tabelën me numrin e makinave debitore për periudhën 2011 deri në 2014, dhe procedurat që duhet të zbatojnë drejtuesit e mjeteve që duan të mbajnë makina në qarkullim.
Sipas Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, detyrimet e papaguara, duke përfshirë edhe gjobat deri në dhjetor të 2010-s, llogariten rreth 11 milionë dollarë.
Për periudhën nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2014, për makinat që do të paguajnë taksat gjobat që do të falen llogariten rreth 3,6 milionë dollarë.
AFATI PËR FALJEN E GJOBAVE
Ligji i fshirjes parashikon 6 muaj afat që debitorët të shlyejnë taksat e makinave, me qëllim që mjeti të mos çregjistrohet. Sipas draftit të qeverisë, qytetarët që paraqiten në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit, pra kërkohet që ai të mbahet aktiv, u fshihen të gjitha detyrimet tatimore, para dhjetorit të 2010-s, me kushtin që pronari i makinës të paguajë detyrimet e papaguara për periudhën janar 2011 deri në dhjetor të 2014-s.
Nëse ai paguan të plota detyrimet pas dhjetorit të 2010-s deri në 2014, atij jo vetëm që i fshihen detyrimet e më- parshme, por i falen edhe gjobat e kamatëvonesat e krijuara si rezultat i mospagimit të taksave, por edhe makina nuk i del nga qarkullimi.
Bëhet fjalë për pagimin e taksës vjetore të regjistrimit të makinës, taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura dhe taksat e mjeteve luksoze. Në rast se qytetari nuk kërkon ta mbajë makinën në qarkullim, ai duhet të paraqitet në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit për të kryer çregjistrimin.
Procedura e çregjistrimit është pa pagesë. Në rast të kundërt, nëse ai nuk paraqitet në Drejtorinë e Transportit, 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit makina e tij do të çregjistrohet. Më pas targa e makinës do t’i dërgohet Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ku në rast se mjeti do të vazhdojë të qarkullojë, do të bllokohet.
MAKINAT
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, makinat që kanë paguar taksën e fundit në vitin 2011 janë gjithsej 22,888 dhe gjobat që u falen, nëse paguajnë taksën e katër viteve, janë 182,423,070 lekë.
Makina që kanë paguar taksën e fundit në vitin 2012 janë gjithsej 10,588 mjete dhe gjobat që u falen, nëse paguajnë taksën e 3 viteve, janë 56,259,338 lekë.
Makina që kanë paguar taksën e fundit në vitin 2013 janë gjithsej 14,427 mjete dhe gjobat që u falen, nëse paguajnë taksën e 2 viteve, janë 77,189,124 lekë.
Në vitin 2014 janë gjithsej 16,850 makina, që kanë paguar taksën e fundit në 2014 dhe gjobat që u falen, nëse paguajnë taksën për këtë vit, janë 44.766,238 lekë. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, efektet financiare i ka llogaritur me taksën mesatare të vitit 2014, që është 10,627 lekë.
/Panorama
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.