Ato janë modele biznesi që kanë arritur të sfidojnë krizën dhe gjenerojnë fitime, edhe kur diku tjetër kanë munguar. Në Shqipëri numri i tyre është modest, por tendenca është pozitive .
Nga Elona Bedalli
Era e asaj që njihet si “lëvizja e biznesit social” ka nisur të fryjë edhe në Shqipëri. Dy vjet pas mbërritjes së këtyre nismave në vendin tonë nga ai që njihet si “babai” i saj në botë, ekonomisti Muhammed Yunus, fitues i çmimit “Nobel” për paqen në vitin 2006, numri i bizneseve sociale dalëngadalë po rritet. Gjenden kryesisht në Tiranë, por brenda 2014-s do të krijohen edhe disa biznese sociale të tjera, duke zgjeruar, jo vetëm gjeografinë e shtrirjes së tyre, por edhe sektorin. Edhe qeveria shqiptare e sheh biznesin social si një mënyrë për nxitjen e biznesit dhe investimeve, kjo nisur dhe nga fakti që një nga drejtimet e reja të politikave të BE-së është ekonomia sociale e tregut, pra mbështetja e krijimit të këtyre lloj sipërmarrjeje. Mendohet se krijimi dhe fuqizimi i tyre ndihmon në punësim, sidomos në zonat gjysmë-urbane, urbane, por edhe më pak të zhvilluara në vend. Në Shqipëri, bizneset sociale nuk janë të rregulluara me ligj të veçantë, ato operojnë si biznese tradicionale, ndërsa në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë gjendet drafti për ndërmarrjet sociale sipas modelit italian.
Një biznes ndryshe…
Kjo nismë në Shqipëri nisi në vitin 2012 edhe pse përpjekjet për ta sjellë kanë qenë më të hershme. Gjithçka nisi me takimin e drejtuesve të atëhershëm të qeverisë me prof.Muhammad Yunus, nobelisti për Paqen që themeloi institucionin e mikrokredisë “Grameen Bank” në Bangladesh, e quajtur ndryshe “banka e te varfërve”. “Grameen Bank” nisi me dhënien e huave në grup në shuma shumë të vogla, 25 dollarë. Në fillim ishte një grup shumë i vogël grash, por tashmë kredimarrësit, që janë edhe aksionaret e saj kryesore numërohen në disa milion dhe 96% e tyre janë gra. Yunus pa se kjo formë mikrokredie për të varfrit funksionoi. “Grameen Bank” është institucioni financiar i mikrokredisë që ka numrin e kredive të këqija më të vogël në botë në 2%, një shifër kjo shumë e ulët veçanërisht në këtë kohë krize ekonomike dhe financiare. Yunus besoi dhe pa se të varfrit nuk ishin ata që
s’kthenin kredinë apo ishin debitorë të këqij ndaj mendoi për një model të ri për zbutjen e varfërisë, që të nxiste disa forma biznesi ne gjendje qe te mbahen vete dhe që t’i përfshinte grupet e margjinalizuara, për të zgjidhur problemet ekonomike ashtu edhe sociale.
Yunus Social Business është një organizatë, inkubator biznesi social, që ndihmon me këshillim në fusha të ndryshme të biznesit, duke ngritur inkubatore biznesi social si dhe fonde investimi për bizneset sociale. Kjo organizate me president dhe aksionar kryesor Muhammad Yunus punon aktualisht me qeverinë, organizata zhvillimi ndërkombëtar ose kombëtare si dhe banka zhvillimi, por edhe sipërmarrës socialë, për nxitjen dhe krijimin e iniciativave kombëtare të biznesit social.
Ermira Repaj, konsulente biznesi pranë “Yunus Social Business Albania”, thotë se biznesi social që të jetë i tillë, duhet të plotësojë disa kushte: të gjenerojë fitime për të mbuluar kostot, pra biznesi të mos jetë i varur nga donacione, që të mos jetë e nevojshme që të injektohet herë pas here likuiditet, por të arrijë të sigurojë fitime. Kjo është pika ku biznesi social ngjan në formë me atë tradicional. Një kusht tjetër është se duhet të adresojë një problem/nevojë sociale. Këtu, ajo sjell rastin e “Grameen Danone”, ku Danone, një kompani e njohur në prodhimin e kosit të frutave në bashkëpunim me “Grameen” krijoi një biznes social në Bangladesh, që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit të kequshqyerjes dhe të plotësimit me nevojat ushqimore ditore, të fëmijëve të varfër të Bangladeshit. Ideja ishte që të prodhohej një lloj i veçantë kosi që kishte përbërës të rëndësishëm ushqimorë brenda tij dhe që mund të konsumohej nga kjo kategori me një çmim të ulët rreth 0.06 euro për një porcion. Duhet të kemi parasysh se të ardhurat për frymë në Bangladesh janë rreth 1 dollar në ditë, si dhe rreth 56% e fëmijëve nën moshën 5 vjeç vuajnë nga kequshqyerja. Në këtë mënyrë u krijua një njësi e cila arriti të funksiononte si biznes, por që i vinte në ndihmë kategorive të ndryshme. Gjithashtu biznesi kontribuoi edhe në krijimin e rreth 1600 vendeve të reja të punës.
“Kushti tjetër që duhet të plotësojë një biznes social është se të ardhurat që gjenerohen, fitimet, nuk duhet të shkojnë te xhepat e pronarëve, por të kthehen përsëri në biznes. Pra nuk shpërndahet dividend. Kjo për të rritur biznesin, për të hapur vende të reja pune, por edhe për të ndihmuar kategori të ndryshme personash në nevojë. Qëllimi kryesor është rritja e ndikimit social dhe jo maksimizimi i fitimit. Pra, një biznes social duhet të mbulojë kostot, të jetë i qëndrueshëm ekonomikisht dhe të adresojë një problem social. Në Shqipëri, rruga ishte e vështirë në fillim dhe është akoma, sepse njerëzit nuk janë të njohur me këtë biznes dhe nuk janë të ndërgjegjësuar. Shoqëria është më e prirur që të shkojë drejt një biznesi që maksimizon fitimet, pra është e vështirë që t’i thuash dikujt që ta transformojë një biznes tradicional në social, i cili synon të rrisësh edhe përfitimet për komunitetit ku jeton. Kjo qasje është e vështirë për t’u konceptuar dhe më pas për t’u zbatuar”, thotë konsulentja e biznesit pranë “Yunus Social Business Albania”. Në Shqipëri, por jo vetëm, është shumë e vështirë që transformosh një biznes konvencional në social, ndaj më së shumti kemi të bëjmë me fillime të reja (start-ups).
Por, si mund të ngrihet një biznes social? Ermira Repaj thotë se nisma mund të jetë edhe thjesht e një personi, që niset nga një problem që e shqetëson në lidhje me komunitetin. Në çdo rast, thotë ajo, duhet të bëhet një analizë fizibiliteti, të hartohet një plan biznesi, si dhe të ndiqen të gjitha hapat që ndjek çdo sipërmarrje e zakonshme.
“‘Yunus Social Business Albania’ përpiqet t’i ndjekë këto biznese në fillim, por edhe gjatë vazhdimësisë së tyre, për të siguruar qëndrueshmëri. “Ne ndihmojmë që nga krijimi i idesë, në analizën e detajuar për të kuptuar nëse ky biznes do të mund të funksionojë ose jo për të gjeneruar fitime dhe jo vetëm të ketë ndikim social. Nëse nuk siguron qëndrueshmëri, atëherë është e vështirë që të realizojë një produkt apo shërbim dhe si rrjedhojë të gjenerojë të ardhura.
Ne fillojmë me shqyrtimin e idesë, nëse ekziston impakti social apo jo, vijojmë me analizën e fizibilitetit, pra për të parë nëse ka një model biznesi, nëse ky model mund te funksionoje logjikisht dhe në cilën pikë arrin te mbuloje kostot e veta”, shpjegon zj.Repaj.
Gjithçka përfundon me krijimin e një plani biznesi, duke përfshirë edhe parashikimet financiare. Kuptohet që e gjithë kjo analizë dhe plani i biznesit do të duhet të realizohen në bashkëpunim me sipërmarrësin, pasi është ai që më shumë se kushdo duhet të njohë mirë biznesin e tij, problemin social që ky biznes duhet të zgjidhë, si dhe të dhënat financiare të biznesit. “Pas përfundimit të planit të biznesit ne i japim mundësinë sipërmarrësit që të marrë një kredi, natyrisht me norma me te zbutura interesi se ato që zbatohen aktualisht nga bankat e nivelit të dytë. Kryesisht, si kolateral shërbejnë mjetet e biznesit, pra jo domosdoshmërish sipërmarrësi vë në dispozicion pasuritë personale. Rreziku është i lartë nga të dyja palët, ndaj dhe shqyrtohet me kujdes profili i sipërmarrësit dhe historiku i tij, në mënyrë që të arrihet një besueshmëri në marrëdhënien mes palëve, në mënyrë edhe që të sigurohemi për jetëgjatësinë e ekzistencës së biznesit social si i tillë. Kuptohet që kjo marrëdhënie vuloset me kontratën e investimit dhe dokumentet ligjore përkatëse që theksojnë qartë formën e biznesit social, sipas përkufizimit të Muhammad Yunus”, thotë znj Repaj.
Në Shqipëri biznesi social nuk ekziston ende si formë ligjore. Format e para ekzistojnë nën formën e OJQ-ve që realizojnë aktivitete ekonomike, ose në formën e biznesit sipas ligjit për shoqëritë tregtare Aktualisht po lobohet nga grupet e interesit për të hartuar një kuadër ligjor në lidhje me ndërmarrjet sociale, duke marrë në konsideratë modelin italian. Për këtë qellim është krijuar një draft ligj, që është paraqitur edhe në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, por që ka mbetur ende i tillë. Një nga pikat më të diskutuara mbetet ajo e lehtësimit fiskal.
Vende të ndryshme kanë përvoja të ndryshme në lidhje me këtë aspekt, me forma të ndryshme ligjore dhe organizimi, ku format më të përhapura janë kooperativat sociale, të quajtura me terma të ndryshëm në varësi të vendit, por me qëllim kryesor nxitjen e punësimit. P.sh. në Francë sektori i ndërmarrjeve sociale zë rreth 10% të PBB-së dhe numërohen mbi 200,000 ndërmarrje të tilla. Në Britani ky sektor sa vjen e po rritet, duke numëruar rreth 230,000 ndërmarrje. Në Itali, forma e kooperativave sociale është aktualisht forma më e përhapur e organizimit .
Konsulentja e biznesit pranë “Yunus Social Business Albania”, thotë se “tre bizneset sociale që janë krijuar deri më sot me mbështetjen e Yunus Social Business janë të regjistruara si biznese tradicionale, si sh.p.k, por në statutin e tyre është e përcaktuar qartë se ato janë biznese sociale që i përgjigjen një problemi social dhe qe nuk shpërndajnë dividend, dhe si të tilla do funksionojnë deri ne fund te ekzistencës se tyre”.
Bizneset sociale në Shqipëri kanë premisa të zhvillohen në sektorë të ndryshëm, sidomos në ato sektorë ku mungojnë format e organizimit, siç është bujqësia apo industritë përpunuese. Një biznes social shumë i mirë mund të ishte një biznes që bën lidhjen mes prodhuesve lokal dhe konsumatorit, pra që ndihmon në ndërtimin dhe forcimin e zinxhirit të vlerës në sektor.
Po si mund të nxitet krijimi i bizneseve sociale? Znj. Repaj thotë se ka disa forma, në varësi edhe të aktorëve që i zhvillojnë këto iniciativa. Aktualisht Yunus Social Business po mbështet iniciativat e biznesit social me konsulence dhe me akses ne financim. Disa prej bashkëpunimeve që mund të prodhojnë iniciativa të biznesit social janë bashkëpunimi me organizatat joqeveritare që zhvillojnë aktivitete në mbështetje të një grupi të caktuar social, bashkëpunimi me bizneset që mund të ofrojnë ekspertizën e tyre për ndërtimin e një biznesi social, bashkëpunimi me universitetet dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta për ndërgjegjësimin e të rinjve në drejtim të kësaj mundësie të re të ofruar, bashkëpunimi me autoritetet qendrore dhe lokale, etj.
Një formë tjetër është përmes konkurseve të planeve të biznesit apo konkurset e ideve te biznesit. Aktualisht, ajo thotë se po përfundon një konkurs me ide biznesi, përfshi këtu edhe ato të biznesit social, që po realizohet me mbështetjen e PNUD, në nxitje të iniciativave të sipërmarrjes tek të rinjtë. “Nëse ka ide të mira që vlejnë si ide biznesi dhe që mund të kenë ndikim social, atëherë sipërmarrësit do të mbështeten për zbatimin e idesë dhe financimin e saj”.
Në nxitjen e krijimit të bizneseve sociale, roli i shtetit është mjaft i rëndësishëm për futjen e kësaj filozofie në strategjinë e zhvillimit, krijimin e kuadrit ligjor që u jep këtyre bizneseve një status ligjor të veçantë, në promovimin e këtyre nismave, por edhe në futjen e kësaj kulture në arsimin e lartë. Gjithashtu të vlefshme shihen nismat për lehtësitë fiskale, por kuptohet duhet të gjenden format dhe instrumentet e përshtatshëm të ndërhyrjes, te lidhur ngushte me kuadrin dhe formën ligjore të këtyre bizneseve.
Për të ardhmen shihet një tendencë pozitive për krijimin dhe rritjen e numrit te bizneseve sociale. Ermira Repaj thotë se gjithnjë e më shumë njerëzit po ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka krijimi i këtyre bizneseve, në lidhje me hapjen e vendeve të reja të punës për shtresa të ndryshme në nevojë, por edhe si mundësi vetëpunësimi.
Kushtet që duhet të plotësojë një biznes social:
Të adresojë një problem social
Të mos shpërndajë dividend/të ri-investojë fitimin
Të jetë i qëndrueshëm dhe të ketë ndikim social
Modelet shqiptare
Përpjekjet për të ngritur biznese sociale në Shqipëri edhe pse modeste, flasin për hapa të parë optimistë. Konsulentja e biznesit pranë “Yunus Social Business Albania”, Ermira Repaj, thotë se së shpejti, tri bizneseve sociale që janë të ngritura tashmë do t’i bashkohen edhe dy të tjerë. Bëhet fjalë për ngritjen e një fabrike reçeli në Dibër dhe Korçë, prodhimi i të cilave në fillim do të jetë për tregun e brendshëm e më pas do të synohet eksporti. Biznesi do të synojë të integrojë fermerët e këtyre zonave në grumbullimin e frutave dhe më pas përpunimin e tyre dhe hedhjen në treg. Ideja tjetër ka të bëjë me ngritjen e një biznesi fason në Shkodër, ku synohet të punësohen rreth 80 persona nga sipërmarrës që aktualisht veprojnë në këtë sektor dhe kanë të punësuar rreth 250 veta. Sikundër shihet nismat dhe idetë nuk mungojnë, ndërsa tri prej tyre kanë nisur tashmë rrugëtimin.
“Rozafa”, histori tradite
Janë 100 gra nga Jugu në Veri që me duart e tyre realizojnë produkte artizanale që shpesh arrijnë të depërtojnë në tregje si ai i Francës, Brazilit apo edhe SHBA-së. Ato punojnë në 13 qendra me qëllimin e thjeshtë që të prodhojnë sende të pëlqyeshme në filozofinë e të cilave qëndron kreativiteti dhe baza folkloristike. Iniciativa e këtyre grave të varfra tashmë e organizuar, funksionon si një biznes social me qendër në Shkodër. “Rozafa” është krijuar në gusht 2013 dhe tregton produkte artizanati të prodhuara nga punishtet e grave, në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ajo aktualisht po zhvillon aktivitetin ekonomik, të nisur nga fondacioni “Rozafa”, që punon dhe mbështet këto grupe grash që nga viti 2008.
Biznesi social “Rozafa” numëron 15 punishte në të gjithë Shqipërinë dhe punëson rreth 120 gra vulnerable, në punimet artizanale. Këtyre punishteve iu ofrohen njohuri në fushën e marketingut dhe shitjeve, trajnime, lidhje me klientë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Në këtë mënyrë “Rozafa” arrin të sigurojë punësim dhe të ardhura të qëndrueshme për këto gra, ndihmon në ruajtjen e aftësive, teknikave dhe kulturës së artizanatit të këtyre zonave. Punishtet e “Rozafës” prodhojnë një gamë të gjerë produktesh tekstili të qëndisura apo endura me tezgjah, me material pambuku, leshi apo linoje, si dhe një sërë produktesh të tjera, si: qilima, tapete, mbulesa krevati, tavoline, këllëfë jastëku, shalle, çanta, etj. Çdo produkt i këtyre punishteve ka një cilësi të lartë, të krahasueshme me ato të tregjeve të tjera konkurrente që përftohet duke përdorur teknikat e vjetra të artizanatit, të kombinuara me dizajne moderne.
Tregu i produkteve të artizanatit mbetet i vështirë për vetë natyrën e tij dhe ai lokal ka vështirësi në thithjen e tyre. Në tregjet e Europës është arritur të depërtohet jo vetëm falë cilësisë, por edhe origjinalitetit dhe motiveve të veçanta në dizajn.
“E Jona”, një kafene ndryshe në Bllok
Sot, në Shqipëri janë rreth 137,000 persona me aftësi të kufizuara. Këta persona përballen me sfida nga më të ndryshmet në jetën e tyre të përditshme, të punësimit, edukimit, të mungesës së aksesit ndaj shërbimeve shëndetësore apo të aspekteve të jetës sociale (teatër, kinema, muze, bar-kafe, etj.). Të qenët të barabartë me të tjerët për ta shpesh përbën një sfidë, në një kohë kur duhet të jetë një e drejtë. Edhe Blloku, zona më e frekuentuar nga të rinjtë në Tiranë shpesh përkthehet si një sfidë për ta, por jo për Suelën dhe koleget e saj që i kanë shtuar kësaj zone shumë të populluar një bar të veçantë, ku makiatoja gjithashtu mund të porositet edhe me gjuhën e shenjave. Kjo është “E Jona”, një bar kafe (biznes social) që u ndërtua me qëllimin e thjeshtë dhe të qartë të nxitjes së integrimit social të rinisë shqiptare me aftësi të kufizuar në komunitet. E krijuar nga Suela dhe koleget e saj, “E Jona” ishte fituesja e konkursit të Planit të Biznesit Social, organizuar nga “Yunus Social Business Albania”, si dhe përfituesja e një kredie të butë nga ky institucion.
Ideja e themelueseve të biznesit ishte krijimi i një ambienti ku të rinjtë me aftësi të kufizuara të kenë mundësi të punojnë, të shoqërohen lehtësisht me miqtë e tyre, si dhe të shijojnë aktivitetet kulturore. Dëshira e tyre është që të nxisin shpirtin e përfshirjes, si dhe krijimin e mundësive që shoqëria të kuptojë sesa e bukur, sa frymëzuese dhe unike mund të jetë jeta e një personi me aftësi të kufizuar.
Ky bar kafe ka një atmosferë të veçantë, të ngrohtë dhe me shumë ngjyra. Një ambient që tregon se jeta është e tillë, me shumë ngjyra, ku diversiteti gjithashtu është pjesë dhe pranimi si i tillë është vlerë për shoqërinë. Çdo gjë e bën më të lehtë ndërveprimin dhe shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave mes vizitorëve me dhe pa aftësi të kufizuar. Bar-kafeja, në zonën e ish–Bllokut, është e përshtatur teknikisht për të gjitha aftësitë e kufizuara, që përfshijnë lehtësi në akses dhe lëvizshmëri në ambient. Ky ambient është plot dritë dhe ka atmosferë miqësore, në të mund të organizohen aktivitete të ndryshme me qëllim përfshirjen dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuar dhe shprehjen e talenteve të tyre në fusha të ndryshme të artit, si ekspozimi i pikturave, skulpturave, netëve live me këngëtarë apo instrumentistë nga ky grup. Duke organizuar evente tërheqëse, me çmime të pranueshme dhe shërbim cilësor, “E Jona” kërkon që të pozicionohet ndaj konkurrencës, duke treguar që nuk është thjesht një bar-kafe për njerëz me aftësi të kufizuara, por edhe një ambient i këndshëm që mund të frekuentohet nga të gjithë.
Aktualisht ky biznes social ka të punësuar gjashtë persona, dy nga të cilët janë persona me aftësi të kufizuar. Të gjitha fitimet e realizuara nga ky biznes social do të riinvestohen në biznes, me qëllim punësimin e më shumë të rinjve me aftësi të kufizuar, ose në biznese të tjera sociale në mbështetje të aftësisë së kufizuar. Themelueset e biznesit janë katër vajza mjaft aktive në shoqërinë civile e që mbështeten nga “Yunus Social Business Albania”.
Te “Shtëpia e Zotërinjve”
Çdo vit, në shërbimin social shtetëror, paraqiten mbi 120 kërkesa nga të moshuar për të përfituar nga shërbimet rezidenciale shtetërore. Në një kohë kur kërkesat janë të mëdha, mundësitë që ofrohen janë të ulëta. Por, edhe në ato raste kur mundësitë financiare ekzistonin, ishte e vështirë që të gjendej një zgjidhje e duhur dhe cilësore për akomodimin e moshës së tretë sipas nevojave të tyre. Daklea Shtylla, kishte kohë që po mendonte se kësaj kategorie i mungonte një shërbim i tillë, që do të mund të ishte më shumë se një qendër ku thjesht të sigurohej qëndrimi, por të krijoheshin kushte për socializim. Përvoja e gjatë e fituar në poste drejtuese në administratën publike do ta ndihmonte në krijimin e qendrës “Mike” që erdhi si rezultat i bashkëpunimit edhe me Caritas-in italian, atij shqiptar, Komunës së Romës dhe Bashkisë së Tiranës. “Ideja fillestare ishte të mbështeteshin gratë me një ide biznesi, ndaj ne aplikuam me një plan biznes për të ndërtuar këtë qendër me tre shërbime bazë, që janë: qendra ditore, formimi profesional dhe projekte për grupet e marxhinalizuara. Ky ishte një projekt që mbështetej nga Komisioni Europian, i cili së fundmi e ka vënë theksin fort te biznesi social, si një alternativë që rezultoi e suksesshme, veçanërisht që pas krizës ekonomike dhe financiare të vitit 2008”, thotë znj. Shtylla. Ecuria e qendrës kishte konfirmuar edhe nisjen e biznesit social. Ajo tregon se kjo përvojë nuk kishte kaluar pa u vënë re dhe ndaj dhe në postën elektronike të saj nuk vonoi të vinte një mesazh nga zyrat e profesor Yunus, ku thuhej se ai do të vizitonte Shqipërinë dhe do të ofrohej mundësia për të rritur bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm. “Ata e pëlqyen modelin e ‘Mike’ dhe na propozuan të zgjeronim shërbimet. Ne aplikuam te ‘Yunus Social Business’ për mundësi financimi. Meqenëse ‘Mike’ ka në fokus krijimin e shërbimeve të sociale, ne kishim kohë që po mendonim për të krijuar një shtëpi për të moshuarit ndaj dhe projekti ynë këtë synoi. Ne përgatitëm plan-biznesin dhe projektin e prezantuam para një komisioni ku nga 50 projekte u klasifikuan vetëm 12, të cilët hynë në garë me njëri-tjetrin, me ide-bizneset, ku gjithashtu u ra dakord me kushtet që kërkonte aplikimi. Kjo do të thoshte se në planin tonë të biznesit duhet të përfshinim si aksionerë edhe ‘Yunus Social Business’, nga ana tjetër të gjithë fitimin që do të gjeneronim, të mos e ndanim tek aksionerët, por ta riinvestonim në përmirësimin e këtij shërbimi, apo edhe në krijimin e alternativave të tjera. Gjithashtu ne hymë në një konkurs edhe në një program televiziv, ku mbrojtëm idenë tonë të biznesit. Nga 12 ide, dy arritën të ishin fituese, ku njëra prej tyre ishim ne”,- thotë znj. Shtylla. Ajo tregon se “Yunus Social Business” i ka mbështetur me një kredi me terma disi të buta dhe që duhet të shlyhet për 7 vjet, me maturim 18-mujor.
“Duke qenë se ishte një start-up biznes, ishte shumë e vështirë që një bankë të ofronte kredi, ndaj dhe kjo u pa si një mënyrë e mirë për të përfituar financime. Kusht ishte edhe vendosja e një buxheti nga ana e ‘Mike’”, thotë drejtoresha ekzekutive e “Shtëpia e Zotërinjve”. Por, a ka avantazhe në termat e mirëfillta të një biznesi, biznesi social?
Zonja Shtylla thotë se në aspektin social, kontribuon në punësimi e personave të papunë. “Ne kemi pasur në fokus gra dhe persona me aftësi të kufizuar, por jo vetëm. Ofron një shërbim me standarde dhe të gjithë marrim një pagë dhe pjesa e fitimit nuk shpërndahet te aksionerët, por riinnestohet. Nuk mund të flasim për avantazhe të mirëfillta sa u përket lehtësive fiskale, sepse ne operojmë si çdo biznes tjetër, paguajmë në shtet të gjitha detyrimet që lindin. Tarifat që ne kemi vendosur për shërbimet që ofrojnë duhet të mbulojnë kostot, por në fund të fundit, duhet të gjenerojnë edhe një fitim për të mirëmbajtur atë që kemi krijuar, por edhe për të realizuar investime të reja. Në situatën ekonomike ku ndodhemi dhe në kushtet e një krize të gjerë në Europë, por edhe në Ballkan, çdo biznesmen i zgjuar do ta bënte një gjë të tillë, pra do të hapte një biznes social, nëse gjithçka do të ecte mirë atëherë ai do të arrinte të siguronte edhe të ardhura për veten, por edhe do të krijonte kushte për rritjen e biznesit.
Qëllimi në këtë rast nuk është maksimizimi i fitimeve, por të arrijmë që të sigurojmë aq fitime sa të çojmë përpara biznesin, duke riinvestuar”, – thotë znj. Shtylla.
Modeli që është krijuar edhe nga prof. Yunus është ai që njerëzit me pak gjëra të mund të arrijnë diçka të mirë dhe paraja të mos përqendrohet në banka apo në duart e disa personave, por të kontribuojmë të gjithë në dobi edhe të komunitetit.
“Shtëpinë e Zotërinjve” e konsideron një investim që është afër pritshmërive, nisur edhe nga interesi i shfaqur. “Tashmë në dyert e kësaj shtëpie kanë mbërritur klientët e parë dhe është një fillim shumë i mirë për një biznes që sapo ka filluar. Aktualisht kemi dy rezidentë dhe brenda muajit numri mund të shkojë në gjashtë. Në të ofrojmë dy lloj shërbimesh, rezidencial dhe ditor që kanë ndryshime të ndjeshme në çmim. Shërbimi ditor është krijuar për ata të moshuar që nuk kanë nevojë të rrinë 24 orë në ‘Shtëpinë e Zotërinjve’, por mund të kalojnë një ditë në socializim, mund të hanë drekën, mund të bëhen pjesë e aktiviteteve në grup siç është fizioterapia, danci dhe aktivitete të tjera fizike, mund të realizojnë udhëtime brenda dhe jashtë vendit, mund të luajnë, mund të bisedojnë, të lexojnë etj. Është një mënyrë e kalimit të kohës aktive sesa një person i moshuar që bën një jetë jo shumë aktive, larg zhurmës, smogut dhe ndotjeve të tjera.
Oborri jashtë të ofron mundësinë për të qëndruar në qetësi dhe në mjedise të gjelbëruara, me ajër të pastër. Është i menduar për të krijuar sa më shumë socializim. Gjithashtu ne ofrojmë edhe shërbimin e transportit për ata të moshuar që do të duan të kalojnë ditën e më pas të kthehen në shtëpi”, thotë drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre.
Ajo thotë se është duke menduar që ta ofrojmë këtë shërbim edhe për ata të moshuar që nuk kanë mundësi të lëvizin, janë të paralizuar, në mënyrë që t’iu jepet një mundësi për ta jetuar jetën disi më ndryshe, larg monotonisë dhe të qenët brenda katër mureve.
Po cila është tendenca e biznesit social në Shqipëri?
Ajo thotë se në biznes gjërat nuk duhen bërë për “fashion”, apo për inerci.
“Në radhë të parë duhet t’i jepet përgjigje pyetjes nëse një gjë e tillë dëshirohet vërtet, nëse janë kapacitetet për ta ngritur dhe për ta vazhduar. Ky biznes kërkon një analizë shumë të hollësishme. Duhet të kesh shkallën e përgjegjësisë shumë të madhe, sepse në këtë kundërt do të përballeni me sfida shumë të vështira. Nga ana tjetër duhet të shmanget zhgënjimi i klientelës, e cila në këtë rast është sociale. Duhet të kuptohet shumë qartë se çfarë është biznesi social që nënkupton se je i punësuar dhe jo pronar, punon shumë më shumë se të tjetër për të bërë të mundur gjenerimin e fitimit, i cili në fund nuk do të shkojë në xhepat e aksionerëve, por do të riinvestohet. Nuk është vetëm ana materiale që të jep kënaqësi, por edhe ajo që merr kur ndihmon grupe të caktuara e që janë më vulnerabël”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pershendetje Jam nga Elbasan Do me pelqente te hapja nje biznes social ku ne fakt kam nje lokal 100 m2 dhe ta shfrytezoja per persnonat me Ak per ti ardhur ne ndihme per cdo lloj problemi kesaj categorie e cila has veshtiresi te medha per ti lehtesuar sadopak problemet e tyre Doja nje mbeshtetje se si mund ta filloj
Mendoj se bisnesi social do te jete koperimi mei madhe ne vendin tone e pikerishte per kete kemi nevoje une kam dy projekte efikase qe me njerin sapo kam filluar por mendoj qe te operoj me ju shpresoj qe ikemi mundesit te bejme pune .ju falenderoj.