Vizita në shtëpinë e Ana Frank është një përvojë kthjelluese për të rinjtë, duke dëshmuar gjithçka për sprovat dhe mundimet me të cilat u përballën hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore për shkak të nazistëve.
Kur Lufta e Dytë Botërore kishte filluar, adoleshentja Ana Frank po shkruante ditarin e saj të famshëm mbi mënyrat se si ajo dhe hebrenjtë e tjerë u fshehën nga nazistët.
Nëse dikush do të vizitojë Holandën për herë të parë, kjo shtëpi e vjetër historike duhet parë me patjetër. Ajo ndodhet në kanalin e njohur si Prinsengracht, i cili është afër Westerkerk, në pjesën qendrore të qytetit të Amsterdamit në Holandë.
Kjo shtëpi e shekullit të 17-të kishte një dhomë të fshehur që u quajt Aneksi Sekret, vendi ku Ana Frank u fsheh së bashku me katër persona të tjerë për dy vite. Mjerisht, Ana Frank vdiq para përfundimit të luftës në një nga kampet e përqendrimit të nazistëve, por ditari i saj u ruajt nga Otto Frank, babai i vajzës, pasi ai mundi t’i mbijetonte luftës.
Vizita në Shtëpinë e Ana Frank është një përvojë kthjelluese për të rinjtë dhe tregon gjithçka për sprovat dhe mundimet me të cilat u përballën hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, për shkak të Hitlerit dhe të nazistëve.
Ditari i adoleshentes filloi të lexohej nga shumë të tjerë në vitin 1947, dhe, rreth dhjetë vite më vonë u krijua Fondacioni i Ana Frank për të mbrojtur shtëpinë e famshme nga shkatërrimi. Tashmë, ajo është një nga atraksionet e shumta të Holandës.
Këtu janë dhjetë fakte në lidhje me një nga vendet më të vizituara në Holandë sot.
10. Shtëpia ka një hyrje misterioze
Dera e dhomës së fshehtë të Ana Frankut mbulohej nga një tryezë shkrimi që rrotullohej, e cila ishte ndërtuar pikërisht për këtë qëllim. Personeli, i cili ndodhej në shtëpi, arriti t’u siguronte personave të fshehur sendet e nevojshme të përditshme si ushqim, ujë, madje edhe i informonte ata për gjërat që po ndodhnin në botë.
Për fat të keq, kjo hapësirë u zbulua më 4 gusht të vitit 1944. Të gjithë njerëzit që ndodheshin brenda kësaj dhome, përfshirë Ana Frankun, u dërguan në kampe të ndryshme përqendrimi dhe Otto Frank ishte i vetmi që mbijetoi pas përfundimit të luftës.
9. Pema e famshme e gështenjës që u rrit përpara shtëpisë
Thuhej se Ana Frank kishte parë një pemë gështenje që ndodhej jashtë shtëpisë së saj.
Ajo shkroi për këtë pemë në ditarin e vet. Kur Këshilli Bashkiak i Amsterdamit mendoi ta hiqte këtë pemë në vitin 2007, gjykata votoi për ta mbajtur atë. Tre vite më vonë, kjo pemë u rrëzua nga një stuhi. Një fakt i çuditshëm që lidhet me pemën është se një gështenjë e vetme e marrë prej saj u vendos në eBay dhe ofertat për ta blerë filluan nga 700 dollarë, duke u rritur së tepërmi.
8. Struktura origjinale e shtëpisë përdoret edhe si sallë ekspozite
Shtëpia e famshme e Ana Frank ishte ndërtuar në dy pjesë: shtëpia kryesore dhe një shtesë. Pasi Otto Frank u shpëtua nga kampi i përqendrimit kur lufta mbaroi, ai u zotua që ta ruante shtëpinë.
Pas luftës, hyrja e shtëpisë u ofrua si një sallë ekspozite, por pavarësisht kërkesës së Otto Frank në lidhje me shtesën e shtëpisë, ajo mbeti bosh. Gjatë luftës, ky vend përdorej fillimisht për biznesin e Otto-s, por gjatë fazës së fshehjes ai u vendos atje së bashku me Ana, Fritz Pfeffer dhe familjen Van Pels.
7. Nuk ka asnjë mobilje apo send tjetër brenda shtëpisë së Ana Frank
Çuditërisht, dhomat brenda shtëpisë së famshme të Ana Frank nuk përmbajnë asnjë lloj orendie apo mobiljeje. Otto donte që ajo të shfaqej njësoj si gjatë luftës, pasi nazistët morën gjithçka prej saj.
Megjithatë, ditari i Ana Frank përmban informacione, së bashku me disa foto dhe filmime, në lidhje me disa nga gjërat që kanë ndodhur në shtëpi dhe orenditë që ndodheshin në të. Tani, vizitorët do të kenë mundësinë t’i shohin të gjitha këto materiale, së bashku me shumë objekte të tjera interesante nga ajo periudhë kohore, nëse zgjedhin të vizitojnë shtëpinë.
6. Dhoma e Ditarit të Ana Frank
Brenda kësaj dhome është vendi ku Ana Frank mori ditarin me kuadrate të kuqe kur mbushi 13 vjeç. Vetëm gjashtë muaj më vonë, e gjithë familja Frank duhej të izolohej, dhe disa nga shënimet në ditarin e saj janë mbajtur duke e gërvishtur atë, në mungesë të stilolapsit për të shkruar.
Ajo donte ta ruante ditarin për t’u treguar të tjerëve për përvojat e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi mësoi se zyrtarët publikë do të nxirrnin botime me kujtime nga koha e luftës. Ajo bëri një version të modifikuar të përbërë nga 215 faqe, disa prej të cilave ndonjëherë vendosen në ekspozitë për t’u lexuar nga vizitorët.
5. Disa faqe mungonjnë nga Ditari i famshëm
Bota mësoi në vitin 1998 se në ditarin e famshëm mungonin pesë faqe. Babai i saj, Otto, i hoqi sepse ato përmbanin informacione mbi marrëdhënien e Anës me nënën e saj, si dhe mendimet që ajo kishte për prindërit dhe për martesën e tyre.
4. Muzeu i Ana Frank është muzeu i dytë më i vizituar i Amsterdamit
Shtëpia e Ana Frank është e dyta më e vizituara në Amsterdam. Muzeu i parë me më shumë vizitorë është Muzeu Van Gogh. Shtëpia e Ana Frank ka shumë vizitorë të të gjitha moshave, dhe çdo vit numri i vizitorëve arrin në një milion e gjysmë. Rreth një e treta e këtyre vizitorëve janë më të rinj se 30 vjeç.
3. Ekziston një mundësi online për të vizituar shtëpinë e Ana Frank
Nëse dikush nuk mund të vijë në Holandë për të vizituar shtëpinë e famshme të Ana Frank, ajo mund të vizitohet virtualisht. Vizitorët mund të mësojnë gjithçka rreth Ana Frank përmes videove me 15 episode, të cilat mund të shihen edhe në YouTube.
Seritë e ngjarjeve, të njerëzve, të vendndodhjeve, etj. bazohen në letrat e ditarit që shkruante Ana Frank. Ekziston gjithashtu një aplikacion i veçantë ku mund të shikoni Shtëpinë e Ana Frank duke përdorur realitetin virtual.
2. Shtëpia e Ana Frank nuk është e aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara
Për shkak të natyrës së saj historike, Shtëpia e Ana Frank nuk është përshtatur për t’u aksesuar për personat me aftësi të kufizuara, por karriget me rrota janë të disponueshme. Gjithashtu, vizitorët nuk lejohen të sjellin çanta të mëdha shpine.
Ata mund të marrin një fletëpalosje falas për shtëpinë, e cila është e disponueshme në tetë gjuhë të ndryshme. Vizitorët nuk lejohen të filmojnë brenda shtëpisë, si dhe nuk mund të bëjnë asnjë lloj fotografie. Një vizitë në këtë shtëpi zgjat rreth një orë.
1. Ana Frank ia shkruante ditarin e saj Kitty-t
Pjesa më e madhe e ditarit origjinal të Ana Frank duket se është shkruar në formën e letrave që i adresohen dikujt që quhet “Kitty”.
Askush nuk e di nëse Kitty ishte një person real apo jo, dhe ky fakt është debatuar për shumë kohë. Dihej se, përpara luftës, Ana Frank kishte një shoqe që quhej Kitty, por shumë njerëz nuk mendojnë se letrat i referohen asaj.
Ashtu si dhe me disa nga faktet e tjera interesante, por të panjohura për Frank dhe ditarin e saj, bota nuk do ta dijë kurrë përgjigjen për këtë mister./ The Travel