Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka monitoruar tarifat me pakicë të telefonisë celulare, ku ka konstatuar rritje të papërfillshme të çmimeve, por shtim të ndjeshëm të njësive të internetit të ofruara, sidomos për paketat e biznesit (shiko tabelën në fund).
Në një njoftim zyrtar, AKEP bën të ditur se në zbatim të ligjit nr.9918/2008 “Për komunikimet elektronike në RSH” (Ligji) dhe Rregullores Nr.27, datë 21.09.2012, e ndryshuar, “Mbi Publikimin e informacionit për tarifat, si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike” (Rregullorja), Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vijuar monitorimin e ndryshimeve të planeve tarifore të sipërmarrësve edhe përgjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore (data 13 mars 2020 e në vijim).
Referuar detyrimeve që sipërmarrësit kanë në këtë kuadër kundrejt AKEP, vërehet se janë kryer njoftimet e nevojshme nëpërmjet sistemit RevZone brenda afatit 15-ditor që paraprin hedhjen në treg të paketave. Konform nenit 8, pika 4 të Rregullores nr. 27/2012, sipërmarrësit kanë vijuar edhe me njoftimet formale përkatëse, për 3 ditë radhazi, në mjetet masive të informimit publik. Më konkretisht, sipërmarrësit Vodafone Albania sh.a dhe Abcom sh.p.k gjatë muajve mars-prill 2020 kanë njoftuar për planet tarifore Autoritetin e Konkurrencës dhe AKEP në zbatim të vendimit nr. 676, datë 07.02.2020, “Mbi autorizimin me kushte dhe detyrime të përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë ABCom SHPK nga shoqëria Vodafone Albania SHA”.
AKEP, ndonëse i monitoron dhe i referon pranë Autoritetit të Konkurrencës, nuk përligjet për të miratuar paraprakisht paketat e reja me shërbime të kombinuara dhe çmimet përkatëse të tyre pasi tregu me pakicë i shërbimeve celulare nuk është në listën e tregjeve të përcaktuara për rregullim ex ante nga rregulloret përkatëse dhe nga Komisioni apo rregullatorët e BE. Nga krahasimi i paketave standarde vërehet se çmimet kanë shënuar një rritje të papërfillshme.
Nga ana tjetër, rezulton se shtimi i përmbajtjes së paketave duket qartësisht shumë më i favorshëm për pajtimtarët /individë në përgjithësi dhe pajtimtarët/biznes në veçanti, pasi konsiston në rritje të njësive të ofruara për sa u përket minutave kombëtare e ndërkombëtare kryesisht të njësive internet duke ofruar një vëllim të konsiderueshëm shtesë ne data/internet për pajtimtarët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.