Amazon mbush 25 vjeç. Kuriozitete nga historia e saj, nga krijimi e deri tek divorci…

05/07/2019 2:21 PM 0 komente
Credit: Michael Prince/Forbes

25 vitet e para të Amazon

Amazon feston 25 vitet e para të aktivitetit: më 5 korrik 1994 u themelua ajo që sot është kompania më e madhe e ecommerce në botë. Gjithçka nisi kur Jeff Bezos, sot 55 vjeç, vendosi të braktisë punën e tij, në sektorin financiar të Wall Street, për t’u transferuar me gruan MacKenzie Tuttle, në brigjet perëndimore të SHBA.

Ai e la punën si zv.drejtor i fondit të investimeve D. E. Shaw & Co, për të ndjekur një ëndërr. Në Seattle, atëherë 30 vjeç, i dha jetë kompanisë së tij, duke shitur fillimisht libra.

Lexoni më poshtë mbi rrugëtimin, sot 25-vjeçar, që e ka bërë Bezos njeriun më të pasur të botës. Në shtator 2018, vlera e kapitalit të Amazon preku shifrën 1000 miliardë dollarë. Pak javë më parë, Amazon u cilësia si marka me vlerën më të lartë në botë….

Emri i parë nuk ishte Amazon

Në fillim, Jeff Bezos mendoi një emër ndryshe për kompaninë e tij. Sipërmarrësi zgjodhi në fakt Cadabra për aktivitetin e tij online. Megjithatë, një prej këshilltarëve të tij të parë ligjor i tha se si ky emër ishte i ngjashëm, në mënyrë të trishtë, me “cadaver” ose kufomë. Kjo nuk ishte një zgjedhje e gëzueshme për dikë që dëshironte të afronte sa më shumë njerëz në ecommerce e tij.

Si lindi emri Amazon

Duke ndjekur këshillën e këshilltarit ligjor, Bezos e ndryshoi emrin e kompanisë në Amazon. Nga njëra anë, Bezos donte një emër që të fillonte me A, në mënyrë që të shfaqej në vendet e para në renditje, nga ana tjetër dëshironte që aktiviteti i tij online të ishte imponues si lumi i Amazonës, prej nga e ka marrë emrin shoqëria.

Origjina e logos

Logo aktuale është në përdorim që prej fillimit të viteve 2000. Shumë pyesin se çfarë kuptimi ka shigjeta portokalli poshtë emrit Amazon. Nga një anë cilësohet si një buzëqeshje, – buzëqeshja e klientit pasi ka përdorur shërbimin. Në anën tjetër shihet si një shigjetë që nis nga germa A dhe përfundon te Z, gjë që simbolizon se përdoruesi mund të gjejë çfarëdolloj produkti, pikërisht nga A te Z-ja.

Zyra e parë

Ashtu si Apple dhe Google, aventura e Jeff Bezos nisi në një hapësirë të vogël. Në zyrën e tij, përveç tryezës, kompjuterit dhe një morie kabllosh, bie në sy Amazon.com e shkruar me spray në një panel plastike. Me aktivitetin e sapohapur, Bezos dhe gruaja e tij nuk mund të shpenzonin asnjë qindarkë – duke menaxhuar aspekte të tilla si kontabiliteti dhe shpërndarja.

Objektivi i parë, shitja e librave online

Edhe pse kompania u themelua në vitin 1994, vetëm në vitin 1995 faqja doli online. Në muajin e parë, Bezos ia doli të shesë libra në të 50 shtetet e SHBA dhe në 45 vende të tjera në botë. Në vitin 2003, Amazon shiti 1,3 milionë kopje të librit Harry Potter and the Order of the Phoenix.

Shumë skeptikë

Kur Amazon e nisi aktivitetin, shumë e nënvlerësuan kompaninë në atë që do të mund të bëhej. Jo vetëm kompanitë konkurrente të drejtpërdrejta, por edhe shtypi amerikan e shihte këtë kompani me skepticizëm. Në një artikull të vitit 1997, Slate Magazine pyeste se si mund të bëhej Amazon libraria më e madhe në botë.

Mbërritja e Amazon Prime

Amazon, shërbimi ecommerce më i përdorur në botë, ka treguar gjithnjë kujdes të madh ndaj klientëve, edhe në lidhje me kohën dhe mënyrën e dërgesës. Në 2005, prezantoi Amazon Prime, shërbimin me abonim vjetor ose mujor, i cili lindi fillimisht për të garantuar dërgesa brenda dy ditëve në Shtetet e Bashkuara dhe për të eliminuar kostot e transportit.

Nga librat te muzika

Prime Music është shërbimi muzikor në streaming që ofrohet nga Amazon, pa kosto shtesë nëse regjistrohesh në Amazon Prime. Klientët kishin në dispozicion 2 milionë këngë, por në rast se nuk u mjaftonin, mund të regjistroheshin në shërbimin me pagesë Amazon Music Unlimited

Deri tek serie tv

Prime Video është shërbimi video streaming, konkurrent, ndër të tjera i Netflix, i prezantuar në SHBA në vitin 2006.

Dhe më pas vijnë ebook

Prime Reading është shërbimi kushtuar atyre që zotërojnë një Kindle, duke u regjistruar në Amazon Prime. Me lexuesin ebook është e mundur të marrësh hua disa libra që azhurnohen periodikisht. Për mundësi më të mëdha zgjedhjesh, Amazon vë në dispozicion Kindle Unlimited, për 9,99 euro në muaj.

Edhe shpenzimet

Për t’i dërguar edhe më shpejt produktet në shtëpinë e klientit, në vitin 2015 Amazon prezanton në Shtetet e Bashkuara, shërbimin Prime Now, falë të cilit produktet e porositura vijnë brenda dy orësh.

Përdorimi i dronëve

Në vitin 2013, Amazon njoftoi se po punon për shërbimin e dërgesave nëpërmjet dronëve në SHBA. Bëhet fjalë për Amazon Air Prime – objektivi është dërgimi i produkteve më të vogla (maksimumi 5 kg) brenda 30 minutash, duke shfrytëzuar këto mjete pa pilot. Për momentin nuk ka një datë se kur do të nisë ky projekt, pasi Amazon duhet të arrijë edhe marrëveshjet mbi patentën dhe logjistikën me qeverinë amerikane.

Revolucioni i eReader

Kindle është lexuesi i ebook i prezantuar nga Amazon në SHBA në vitin 2007.

Lind Alexa

Alexa është asistenti personal i përfshirë në brendësi të pajisjeve të linjës Echo të Amazon. Është i krahasueshëm me Siri-n.

Fuqia e Cloud

Amazon Web Services, e njohur si AWS, është një platformë cloud computing dhe web services e lançuar në vitin 2002. Nga të dhënat e tremujorit të fundit, Amazon ka fituar 59,7 miliardë dollarë, 12% të të cilave nga Amazon Web Services.

Sa fiton Bezos

Jeff Bezos është njeriu më i pasur në botë, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 156 miliardë dollarë. Në vitin 1999, ai u shpall “Njeriu i Vitit” nga “Time”, e cila e cilësoi “mbreti i cybercommerce”. Kjo ishte një kënaqësi e madhe për Jeff Bezos, atëherë 35 vjeç, duke qenë se në ato vite, ky privilegj u jepej Papëve apo Presidentëve.

Një shoqëri 1000 miliardëshe

Në shtator 2018, pas Apple, Amazon bëhet shoqëria e dytë që kap kuotën e kapitalizimit prej 1000 miliardë. Në atë vit, e mbylli qarkullimin me 233 miliardë dollarë.

Amazon Robotics

Kur flitet për qendra shpërndarje duhet të përmendim edhe të ashtuquajturit Amazon Robotics. Bëhet fjalë për robotë të vegjël portokalli që
ndihmojnë operatorët në magazinë.

Blerjet

Falë rritjes konstante, me kalimin e kohës Amazon nisi një seri blerjesh të rëndësishme. Në vitin 1998, bleu Internet Movie Database, i njohur më shumë si IMDb; në vitin 2013, Bezos bleu të përditshmen The Washington Post për 250 milionë dollarë.

Divorci…

Mandatory Credit: Photo by Clemens Bilan/EPA-EFE/REX/Shutterstock

Pavarësisht gjithë këtyre arritjeve, Jeff Bezos ndoshta nuk do të mund ta shijojë plotësisht 55-vjetorin e lindjes (12 janar). Ai e krijoi Amazon së bashku me bashkëshorten MacKenzie Tuttle, por në fillim të vitit 2019, çifti bëri të ditur se do të ndaheshin. Në prill, u bë, ai që mund të cilësohet si divorci më i shtrenjtë në histori. Bezos i ka kaluar ish-gruas së tij 4% të Amazon, e barabartë me 36 miliardë dollarë.

Burimi: Corriere della Sera

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of