Arabia Saudite hap dyert e saj për turistët

29/11/2019 12:10 PM 0 komente

Prej shumë kohësh, Arabia Saudite konsiderohej si një prej mistereve të botës, gjë që e shndërroi atë edhe në një prej destinacioneve më të preferuara për t’u eksploruar nga një numër i madh vizitorësh.

Në vitin 2019, gjithçka ndryshoi. U prezantuan vizat elektronike për turistët e huaj, duke krijuar kështu mundësinë që Arabia Saudite të shndërrohej në një destinacion lehtësisht të vizitueshëm. Kjo solli që ky shtet t’i hapte dyert e tij për turistët nga vende të ndryshme të botës.

Arabia, një shtet me kulturë dhe tradita shumë të vjetra, tani po i dërgon botës një mesazh shumë të qartë: ajo nuk është më e hapur vetëm për biznesin por edhe për turizmin. Ambiciet e princit të Kurorës, Mohammad bin Salman, janë që turizmi të kontribuojë në 10 për qind të PBB-së deri në vitin 2030.

Duke marrë në konsideratë ambiciet e Mbretërisë Saudite për të rritur numrin e turistëve në 30 milionë turistë gjatë 12 viteve të ardhshme, ajo ka bërë përparime të shumta edhe në drejtim të rritjes së infrastrukturës. Projektet në drejtim të zhvillimit të turizmit janë të shumta, një ndër të cilat është edhe shtimi i dhomave të hoteleve deri në 500,000 dhoma të reja, duke u munduar që t’u ofrojë turistëve sa më shumë opsione, por mbi të gjitha duke ruajtur edhe trashëgiminë e saj kulturore.

Diriyah është një prej shembujve të këtyre projekteve gjigante që është ndërtuar jashtë Riadit. Mendohet se ky projekt do të tërheqë një numër të madh turistësh, sepse është ndërtuar pranë një vendi që mbrohet nga UNESCO. Rajoni Turaif, ku ndodhet edhe Diriyah, ka qenë dikur Kryeqyteti i parë i Arabisë Saudite dhe ka një trashëgimi të madhe historike dhe kulturore.

.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of