Agroturizmet, nga certifikimi te monitorimi dhe penalitetet
Një listë e vitit 2019 e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit raporton se janë të paktën 17 agroturizme në vend që kanë marrë certifikatën.
Kjo e fundit u jepet subjekteve që plotësojnë disa kushte specifike për sipërfaqen, prodhimin e produkteve në fermën e tyre, numrin e dhomave për fjetje e një sërë specifikash të tjera. Çdo aplikim shqyrtohet nga një komision, që vendos nëse subjekti përfiton apo jo certifikimin. Për të mbikëqyrur më pas ecurinë në praktikë, bëhet monitorimi.
“Monitorimi i të gjithë përfituesve të certifikatës ‘Subjekt i certifikuar agroturizmi’ bëhet nga ana e organeve përkatëse të bashkive, inspektoratit të turizmit ose organeve kompetente të inspektimit të ushqimit dhe kushteve higjieno-sanitare, sipas përcaktimeve në VKM nr. 22, datë 12.01.2018 ‘Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit’” – thuhet në një përmbledhje të Ministrisë.
Kjo e fundit njofton se certifikata “Subjekt i certifikuar agroturizmi” është e vlefshme për një periudhë 5-vjeçare. Pas plotësimit të këtij afati, subjektet duhet të aplikojnë përsëri për përfitimin e saj.
Në rast konstatimi të shkeljes së Kritereve të Certifikimit të përcaktuara në kuadrin rregullator nga organet përkatëse të bashkive, inspektoratit të turizmit ose organeve kompetente të inspektimit të ushqimit dhe kushteve higjieno-sanitare, komisioni, bazuar në kërkesën e organeve konstatuese të shkeljes, mund të marrë vendim për pezullimin dhe/ose anulimin e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”.