Bizneset morën kryesisht kredi për likuiditet në 2019-n

14/07/2020 12:00 PM 0 komente

Në vitin 2019, kredia e dhënë për ekonominë ka shkuar kryesisht për të mbuluar nevojat me likuiditet, si në biznese, ashtu edhe në individë.

Në dhjetor të vitit 2019, kredia për financimin e mallrave jo të qëndrueshme të individëve (konsumin) arriti në 31,2 miliardë lekë, me një rritje prej 25.3%. Kjo ishte rritja më e lartë e kredisë sipas qëllimit të përdorimit. Kjo lloj huaje zë 5,8% të totalit të huasë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Më tej, rritja më e madhe ishte për huatë në formën e kapitalit qarkullues të biznesit, me rreth 21%. Gjithsej u dhanë 62 miliardë lekë, nga 52 miliardë një vit më parë.

Kapitali qarkullues nënkupton atë pjesë të aktiveve rrjedhëse, i cili financohet nga burimet e vetë kompanisë, por kur këto burime nuk mund të gjenerohen, bizneset marrin kredi. Rritja e kredisë për kapital qarkullues në vitin 2019 tregon se bizneset kanë pasur nevojë për më shumë likuiditet.

Ndërkohë, rënien më të lartë e ka shfaqur kredia “overdraft” dhe kredia për “blerje pajisjesh” dhënë bizneseve përkatësisht me 31.43% dhe 9.76%. Kredia për blerje pajisjesh, nga ana e biznesit, lajmëron rënien e investimeve në ekonomi në afat të shkurtër dhe të mesëm.

Analiza e Bankës së Shqipërisë, sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, evidenton se kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” për individët zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë (21.9%), pasuar nga kredia për “pasuri të paluajtshme” dhënë bizneseve (16.8%), kredia për “blerje pajisjesh” dhënë biznesit (16.6%) dhe nga kredia “overdraft” për biznese (15.9%).

Struktura e kredisë sipas afatit, në ndryshim nga viti i kaluar, ka pësuar disa ndryshime, pasi vërehet një rënie e peshës së kredive afatshkurtra dhe afatmesme në favor të kredive afatgjata. Kjo e fundit, në fund të vitit 2019, ka dhe peshën kryesore në totalin e portofolit të kredisë, e ndjekur nga kredia afatshkurtër dhe ajo afatmesme.

Në katër muaj të vitit 2019, ecuria mujore e kredisë ka njohur rënie, ku më e madhja është raportuar në muajt janar dhe prill, me përkatësisht 27.7 miliardë lekë (4.7%) dhe 4.57 miliardë lekë (0.81%).

Për tetë muajt e tjerë të vitit është raportuar rritje e portofolit të kredisë, ku rritja më e madhe është raportuar në muajt mars, shkurt dhe korrik, me përkatësisht 5.71 miliardë lekë (1.03%), 4.54 miliardë lekë (0.82%) dhe 4.21 miliardë lekë (0.75%). E mesatarizuar, rënia mujore ka qenë 0.06%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of