Bizneset e Kosovës sot kanë afatin e fundit për deklarim dhe pagim të tatimeve për tremujorin e dytë (TM2) të këtij viti. Përkundër pandemisë dhe vështirësive financiare që kanë disa kompani, ato nëse nuk respektojnë këto afate ligjore do të gjobiten sipas ligjeve në fuqi.
Dita e sotme llogaritet të jetë e fundit si afat për bizneset në Kosovë që të paguajnë tatimet.
Në Administratën Tatimore të Kosovës kanë treguar se nuk pritet të ketë vendim tjetër për shtyrje të deklarimeve për pagesat e tatimeve.
“Tani më nuk kemi vendim tjetër për shtyrje të deklarimeve të pagesave të tatimeve dhe afatet e rregullta janë të tilla, të cilat tani më 15 korrik afat i fundit për deklarim dhe pagesë të tatimit ose paradhënie për këstet tremujore për tatim në korporata dhe tatim në të ardhura personale. Bizneset veç janë të njoftuara për këtë realitet”, kanë treguar në ATK.
Në ATK kanë treguar se kanë pasur kërkesa për shtyrje të tatimeve, por nuk ka një ligj dhe vendim sikur për dy herët e kaluara që ishte marrë vendim nga ish-ministri i Financave për zgjatje të afatit.
Monitor.al, ditë më parë ka raportuar se si për shkak të pandemisë të hyrat në ATK kanë rënë për miliona euro.
Në ATK patën treguar se nga muaji mars, kur u shfaq koronavirusi, ka pasur rënie të të hyrave.
Lexo edhe këtë: Pandemia preku ATK-në dhe Doganën: Miliona euro më pak në buxhetin e Kosovës
“Në periudhën janar-maj të këtij viti, të hyrat e ATK-së kanë qenë 186.1 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur mbi 26 milionë euro më pak të hyra. “Totali i arkëtimit të të hyrave për periudhën janar-maj 2020 është 186.1 milionë euro, ndërsa vetëm për muajin maj, inkasimi i të hyrave në raport me planin është 4.5 milionë euro, apo 13% më shumë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi rënie me 12.4%, apo 26.2 milionë euro më pak”.
Ndryshe, gjatë muajt mars dhe prill ka pasur dy vendime për zgjatje të afateve për deklarim dhe pagesa të të gjitha llojeve të tatimeve deri më 15 maj.
Ndërsa, për pagesën e tremujorëve që nënkupton paradhënien e kësteve për tremujor për tatim në korporata dhe tatim në të ardhura personale ishte zgjatur deri më 30 qershor.
Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, parashikon përfshirjen në ekonomi të një shume financiare prej 1.2 miliardë eurosh si infuzion për zhvillim ekonomik, prej të cilave tashmë me rishikimin e buxhetit janë mobilizuar 384 milionë euro. Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se dëmet janë të mëdha.
Banka Botërore, në raportin e saj, ka parashikuar një rënie ekonomike prej 4,5% në Kosovë. Kurse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret me 5%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.