Bum aplikimesh për financime

07/05/2019 12:36 PM 0 komente

Hapja e granteve dhe e skemave të kompensimit nëpërmjet fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare për bujqësinë, janë një mundësi e shumëpritur, jo vetëm nga kompanitë që operojnë në sektorin e agrobiznesit, por edhe nga fermerët, të cilët i shohin ato si mjetin e duhur për të rritur kapacitetet e prodhimit, për të modernizuar teknologjinë, si dhe për të përmirësuar produktet dhe sigurinë ushqimore. Si po vijon procesi i lëvrimit të fondeve të BE-së, si dhe Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësisë të 2019-s? Si po ndikon informaliteti dhe problemet me certifikatat e pronësisë së tokës për përthithjen e fondeve?

 

Nga Deada Hyka

Që në vitin 2015, kur u nënshkrua marrëveshja prej 71 milionë eurosh fonde të BE-së për 2016-2020 në Bruksel, në mbështetje të agrobiznesit shqiptar, një erë e re po frynte për bujqësinë shqiptare. Sfida ishte: përthithja e fondeve të BE-së, për t’i dhënë bujqësisë mundësinë, jo vetëm për të qëndruar në këmbë, por për t’u zhvilluar më tej, pikërisht një sektori që siguron rreth 20% të PBB-së së vendit. Por edhe sot, kur kanë mbetur pak ditë nga mbyllja e aplikimit të fermerëve që duan të përfitojnë fonde subvencion nga shteti, sfidat nuk mungojnë.

Vitin e shkuar, Ministria e Bujqësisë njoftoi, në përmbyllje të thirrjes për Skemën Kombëtare Financiare të Subvencioneve dhe Granteve, prej 20 milionë eurosh, se pothuajse 90% e aplikantëve janë shpallur fitues.
Po këtë vit, si vijon ky proces. Data e fundit e aplikimeve për Skemat Kombëtare të Mbështetjes së Bujqësisë 2019 është 17 maji dhe të dhënat tregojnë që numri i aplikimeve ka qenë i lartë edhe këtë vit. Në një prononcim për revistën “Monitor”, kreu i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, znj. Frida Krifca, thotë se në total, janë kryer rreth 3281 aplikime.

“Programi i Mbështetjes në Bujqësi, viti 2019, ka në fokus mbështetjen e fermerëve të vegjël dhe blegtorëve në veçanti, nëpërmjet pagesave direkte për të imëta të matrikuluara, për dorëzimin e qumështit lëndë e parë, në vlerën 10 lekë/litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes”, – thotë më tej znj. Krifca.
Një detaj i përmendur prej saj, është nisma “zero dokumente”, e nisur vitin e shkuar, e cila dha rezultate në lehtësinë e aplikimit dhe saktësinë e tij për fermerët, vetëm me kartën e identitetit dhe NIPT-in, duke shmangur konfuzionin, radhët, duke kursyer kohë dhe pa kosto administrative shtesë.

“Nëse më parë është llogaritur që kosto e plotësimit të dokumentacionit për një aplikim shkonte deri në 1,000 lekë nga nxjerrja e dokumentacioneve nëpër zyrat e shtetit, për efekt të aplikimit në AZHBR, tashmë dokumentacionin e gjeneron AZHBR për fermerin, duke verifikuar me zyrat e shtetit për llogari të fermerit. Kjo natyrisht ka shtuar ndjeshëm punën e stafit të AZHBR, por ama ka ulur kostot dhe kohën e shpenzuar keq për fermerin. Kjo është bërë enkas që koha e tij t’i kushtohet tokës dhe fermës”, – shton më tej drejtuesja e AZHBR.

Znj. Krifca thotë se sfida e vazhdueshme është që, pavarësisht vështirësive që ka sektori, ka pasur përpjekje të vazhdueshme, në krijimin e një qasje sa më efektive ndaj fermerëve dhe agropërpunuesve, në mënyrë që ata të përthithin sa më shumë dhe sa më cilësisht fondet në dispozicion për të rritur konkurrueshmërinë, efektivitetin e aktiviteteve të tyre bujqësore dhe standardet e produkteve shqiptare.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of