Këshilli Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për kalimin e 14.9 për qind të aksioneve të Bankës Credins nga shoqëria BFSE Holding BV tek një tjetër shoqëri e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Detajet u dhanë në njoftimin për shtyp të Bankës Qendrore ku përfshiheshin në total katër vendime.
“Në mbledhjen e tij të datës 22 nëntor 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi: Miratimin “Për dhënien e miratimit paraprak për zotërimin e pjesëmarrjes influencuese (të tërthortë) të shoqërisë Amryta Capital LLP, Mbretëria e Bashkuar në kapitalin aksionar të Bankës Credins sh.a.”.
Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miraton paraprakisht pjesëmarrjen indirekte influencuese në masën 14.918% të shoqërisë Amryta Capital LLP, Mbretëri e Bashkuar në kapitalin aksionar të Bankës Credins sh.a.. Amryta Capital LLP do të blejë 100% të aksioneve të shoqërisë BFSE Holding BV, Hollandë, e cila është aksioner i Bankës Credins sh.a” thuhet në njoftimin e Bankës.
Credins është banka e parë me kapital shqiptar themeluar nga disa biznese vendase në vitin 2003. Aksioneri më i madh, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesi është biznesmeni Renis Tërshana me 24.36 për qind i dyti Aleksandër Pilo me 16.73 për qind dhe i treti ishte BFSE Holding BV që zëvendësohet nga britanikët e Amryta Capital LLP.
Credins ka shënuar një rritje të shpejtë vit pas viti dhe aktualisht ajo është banka e tretë më e madhe në vend përsa i përket aktiveve, pas BKT dhe Raiffeisen. Në shtator të këtij viti, totali i aktiveve të Credins ishte 174 miliardë lekë, me një rritje prej 4.4% në krahasim me fundin e vitit 2016. Të dhënat bëhen të ditura nga Shoqata e Bankave.
Stoku i huasë së dhënë nga banka ishte 99 miliardë lekë, duke qenë huadhënësi i dytë më i madh në vend, pas BKT. Fitimi i bankës ishte 337 milionë lekë për 9 mujorin, me një rritje prej 90% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.