Është dakordësuar marrëveshja teknike për njohjen e pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe italianëve që jetojnë në Shqipëri. Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë.
“Marrëveshja teknike është dakordësuar midis dy delegacioneve, të qeverisë shqiptare dhe palës italiane. Kjo marrëveshje teknike do tiu kalojë më pas dy qeverive për miratim, dhe më pas pranë parlamenteve për miratim. Marrëveshja bazohet në parimin e trajtimit të barabartë, ajo mbulon pensionet e pleqërisë, mbulon përfitimet për sigurimet për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe mbulon gjithashtu sigurimet për papunësinë.
Pra është marrëveshje e gjerë dhe plotë, nëpërmjet së cilës çdo shqiptarë që ka punuar prej vitesh në shtetin fqinj, apo ka punuar një pjesë të viteve në Itali dhe një pjesë në Shqipëri, do ti njihen vitet e pensionit në momentin që ai person do të dalë në pension sipas ligjeve respektive të të dyja shteteve. Hartimi i kësaj marrëveshje është shprehje e qartë e vullnetit politik. Është një ditë fitorje pasi përmbushet e gjithë njohja e periudhës së tyre. Kjo marrëveshje tregon për marrëdhëniet e shkëlqyera historike ndërmjet dy vendeve”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
“Është një marrëveshje e bazuar mbi reciprocitetin edhe shtetasit italian mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje. Është një moment shumë i rëndësishëm pasi është një urë tjetër që ne po ndërtojmë, lidhje që janë integruar. Kemi një komunitet shumë të madh të integruar që punojnë në Itali, më shumë se 700 mijë, sipas të dhënave të kohëve të fundit. Gati 50 mijë ndërmarrje me Nipt italian janë me titullar shtetas shqiptarë. Është një numër shumë i madh kontributesh të dhëna nga shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali dhe falë kësaj marrëveshje do të plotësojnë këtë mangësi që ekziston në këtë boshllëk në vendin tonë”, tha ambasadori i Italisë Fabirzzio Bucci.
“Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen procedurat për firmosvulosjen e kësaj marrëveshje dhe më në fund, pas një përpjekje të gjatë e thuajse të pamundur, rreth 500 mijë shqiptarë pritet të përfitojnë me hyrjen e saj në fuqi”, shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.