Është mbajtur në Çagllavicë, debati për atë se kush fitoi dhe kush humbi me taksën 100% që Kosova ja vendosi Serbisë tetë muaj më parë. Zëvendësministri në ikje i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se Qeveria kosovare ka qenë e detyruar ta vendosë një masë të tillë, pasi sipas tij Serbia po e lufton me gjithçka shtetin e Kosovës. Ndërsa drejtori i Organizatës së “Konsumatorit”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se konsumatorin në Kosovë askush nuk e ka pyetur se a duhet të vendoset taksa apo jo…
Në debatin “Taksa 100 për qind, kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?”, kryetari i Asociacionit të afaristëve serbë në Kosovë, Sasha Sekuliq, ka thënë se përveç mungesës së mallrave të cilat janë harxhuar, sektori i tregtisë ka pasur më së shumti probleme, sipas të cilit bëhet fjalë për 1 mijë artikuj ku shumica prej tyre mungojnë.
Problem tjetër sipas Sekuliq është edhe mungesa e produkteve bujqësore. Ai po ashtu tha se rrethanat e krijuara politike në Kosovë, pamundësojnë edhe më tej heqjen e taksës.
Kurse, zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se vendimi qeveritar për mallrat serbe është për të ndaluar agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës.
Sipas tij, Kosova ka përfituar 7 milionë euro nga të hyrat doganore që nga hyrja në fuqi e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja.
Zëvendësimi i produkteve serbe, sipas Gashit është bërë nga shtetet fqinjë dhe BE. Gashi ka theksuar se humbës nga taksa janë vetëm bizneset në Serbi.
Ndërsa, Nenad Radosavleviq nga Lidhja për Kosovën, tha se taksa 100 për qind është ‘një marrëzi’, dhe siç tha, me këtë vendim është e pa kuptimtë të pritet njohja nga Serbia.
Sipas tij, humbës janë prodhuesit serbë, tregtarët dhe buxheti i Serbisë, ndërsa fitues është kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.
E kryetari i Shoqatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, theksoi se taksa 100 për qind për produktet e Serbisë nuk është marrë në bashkëpunim me konsumatorët dhe asnjë herë nuk është thënë nga qeveria se është në dobi të tyre.
Ndryshe, vendimi 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake është marrë nga Qeveria e Kosovës më 21 nëntor 2018. Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj disa herë ka përsëritur se taksa do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën.
Haradinaj madje taksen ndaj Serbisë e ka përmendur edhe gjatë ditës se djeshme, teksa ka udhëtuar për në Hagë që t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
“Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbroj gjithmonë!”.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.
/Fatos Shala për Monitor.al
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.