Brenda muajit shtator, individët me të ardhura në vit mbi 2 milionë lekë duhet të deklarojnë “pasurinë”, kurse ata me 1 milion lekë, kanë shanse të rimbursohen nga shteti
Ishte menduar fundi i muajit prill për të kryer deklaratat për të gjitha format e të ardhurave që kalonin pragun e të ardhurave mbi 200 mijë lekë në vit, por numri i madh, deri në 1 milion, i individëve, si dhe kapaciteti jo i duhur i Tatimeve për të menaxhuar skemën, detyruan qeverinë të bënte disa ndryshime në ligj.
Për ta kuptuar më qartë, “Monitor” publikon pjesë të draftit, hartuar nga Tatimet, mbi mënyrën sesi do të funksionojë plotësimi dhe dorëzimi i deklaratës së të ardhurave. Ekspertët e fushës janë duke kryer analiza të shumta mbi procedimin e rasteve të veçanta, ndërsa udhëzimi që do të dalë së shpejti, do të japë sqarimet e duhura.
Ndryshimet e rëndësishme në ligj përcaktojnë një afat të ri, muajin shtator, për deklaratën e të ardhurave, si mundësi për individin për t´u njohur më shumë me detyrimet që i takojnë dhe që askush të mos pretendojë se nuk ishte në dijeni apo “harroi” të deklaronte. Manovër tjetër e kujdesshme e Financave ishte pragu i deklarimit për individët, ku nga 200 mijë lekë në vit bëhet 2 milionë lekë. E thënë ndryshe, individët me të ardhura vjetore më pak se 2 milionë lekë nuk e kanë detyrim ligjor për të deklaruar, kurse pjesa tjetër, 2 milionë e sipër, duhet me patjetër të zbardhin të gjitha të ardhurat e krijuara, që nuk janë vetëm pagat, por çdo burim tjetër. Natyrisht, në formë vullnetare mund të deklarojë çdokush, por vetëm në rastet kur të ardhurat vjetore i ka deri në 1 milion lekë. Kjo kategori ka mundësi të përfitojë nga skema e rimbursimit social të shtetit, në rast se taksat e paguara dalin më tepër se mundësitë reale, duke u bazuar te skema e llogaritjes së bilancit (të ardhurat minus shpenzimet e zbritshme).
Për plotësimin e bilancit, pra të deklaratës, individi do të ketë të sqaruar çdo veprim që duhet të bëjë. Më parë paraqiten të ardhurat nga burimet e ndryshme, të shoqëruara me tatimin e paguar (fatura). Kjo do t´i japë mundësi tatimeve të bëjnë verifikimet nëse deklarata është korrekte apo jo dhe për të realizuar identifikimin e personave, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, është transferuar regjistri i kartave të identitetit. Qëllimi final i ligjit është formalizimi i ekonomisë, konkretisht i atij segmenti individësh që nuk paguajnë tatimin 10 për qind për të ardhurat e krijuara në forma të ndryshme.
Kush duhet të deklarojë
Në ligjin e mëparshëm, të drejtën për të deklaruar e kishin vetëm individët që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, vendas dhe të huaj, kurse me ndryshimet e fundit, në skemë janë përfshirë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë këtu, por që krijojnë të ardhura nga puna në vendet e tjera.
Tatimpaguesit individë rezidentë në Republikën e Shqipërisë që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, duhet të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore. Deklarues të të ardhurave individuale vjetore janë edhe tatimpaguesit jorezidentë, të cilët krijojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë.
Afati i deklarimit është muaji shtator i këtij viti, ndërsa në 2013-n e tutje, do të jetë gjithnjë muaji prill, sikurse e kishte të parashikuar ligji i vjetër.
çdo deklaratë vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit. Edhe në rastin kur individi është person jorezident në Republikën e Shqipërisë, si Kod Fiskal do të shërbejë numri i identifikimit personal në letërnjoftimin e individit. Me anë të kartës së identitetit, Tatimet do të kenë mundësi të provojnë se cilët individë nuk e kanë bërë deklaratën dhe nëse i janë shmangur detyrimeve.
Ministria e Financave sqaron se, përjashtohen nga detyrimi për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës individuale të gjithë individët që realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet në shumën totale më pak se 2.000.000 lekë. Më parë bënin përjashtim nga detyrimi, tatimpaguesit individë me të ardhura vjetore jo më shumë se 200,000 lekë dhe tatimpaguesit që janë të vetëpunësuar e që kanë një qarkullim vjetor deri në 2.000.000 lekë. Duhet të kihet parasysh fakti tjetër që deklaratën nuk mund ta plotësojë ai individ që, edhe pse me të ardhura vjetore krijon 2 milionë lekë, burimet i ka vetëm nga paga, shpërblimet apo interesat bankare të depozitave, pasi i janë mbajtur një herë tatimet që në fillim.
Deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, për arsye se duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme. Kjo kategori duhet të ketë të ardhura jovjetore jo më shumë se 1 milion lekë.
Kategoria e të ardhurave bruto
Tatimpaguesi, në deklaratën vjetore të të ardhurave, jep të dhëna për të ardhurat bruto, në të cilat përfshihen:
a) të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët dhe fitimi nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit të vogël, që rezulton nga Deklarata e të Ardhurave Personale të Biznesit të Vogël për të vetëpunësuarit;
b) të ardhurat bruto nga dividendi për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit;
c) të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit;
ç) të ardhurat bruto nga interesa bankare;
d) fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
dh) shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;
e) të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;
ë) fitim kapitali nga dhurimi;
f) të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Shpenzimet e njohura për efekt rimbursimi
Nëse qëllimi kryesor është identifikimi i individëve evazorë, qeveria parashikon të arrijë një tjetër objektiv: ndihmën ndaj shtresave sociale. Shumë familje kanë të ardhura të pakta, por njëkohësisht paguajnë taksa njëlloj si të tjerët me të ardhura më të mëdha (taksa e sheshtë dhe kontributet). Për këtë kategori, qeveria mendon të kryejë rimbursime, duke u bazuar te disa shpenzime të njohura, me karakter social, si arsim dhe shëndetësi, në rast se të ardhurat vjetore nuk i kanë më shumë se 1 milion lekë. Në ligjin e vjetër kufiri ishte 800 mijë lekë, por duke qenë se ndryshoi niveli i pagës minimale në korrik, qeveria rriti edhe kufirin e përfituesve.
Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme të këtyre individëve që plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, shpenzime të zbritshme do të konsiderohen:
Kontributet vullnetare në fondin e pensionit vullnetar dhe kontributet vullnetare të individit për jetën dhe shëndetin, të derdhura nga vetë individi. Kufiri maksimal për lehtësi tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200.000 lekë/vit dhe 15 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit të fondit; shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari; shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me Vendim të Këshillit të Ministrave. (8,532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32,000 lekë).
Dokumentacioni dhe tatimi 10%
çdokush mund të gabojë në plotësimin e deklaratës dhe për këtë qëllim, tatimet kanë menduar t´i japin shans individit për ta korrigjuar. Brenda afatit tremujor pas dorëzimit të deklaratës, individi ka të drejtë të bëjë korrigjimin e deklaratës deri në dy herë, pa u penalizuar. Nëse nga ana e tij korrigjimi brenda këtij afati tremujor ndryshon për herë të tretë, ndaj tij aplikohen sanksionet sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Gjobat janë të ndryshme dhe nisin nga 10 mijë lekë për vonesën e deklarimit deri në penalizim 100 për qind të vlerës së fshehur.
Dokumentacioni i individit sa i takon faturave duhet ruajtur me shumë kujdes dhe të provojë saktësinë për tatimet dhe shpenzimet e kryera. Në ligj thuhet se, për çdo të ardhur dhe shpenzim, të referuar në deklaratën vjetore të të ardhurave, tatimpaguesi që bën deklaratën mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Deklarata dorëzohet elektronikisht, dorazi apo me postë dhe nuk do të lejohet asnjë skanim apo fotokopje, sikurse e parashikonte ligji i mëparshëm. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe vihet në dispozicion të administratës tatimore, kur kërkohet prej saj.
Element tjetër i rëndësishëm është tatimi prej 10 përqindësh që duhet të paguajë individi me më shumë të ardhura se shpenzimet e njohura. Diferenca midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme të individit, e cila tatohet me shkallën tatimore në fuqi 10 për qind. Shumës së këtij tatimi, i zbriten tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore të dokumentuara nga mbajtësi në burim i këtyre tatimeve.
Afati i ekzekutimit të kreditimit është data 31 dhjetor, i shtyrë me tre muaj, në krahasim me ligjin e vjetër.
Shqiptarët që punojnë jashtë
Shumë shqiptarë punojnë në vende të ndryshme jashtë vendit, jo si emigrantë, por me kontratë të rregullt, sipas formës së punës. Për këtë kategori, pra individët rezidentë fiskalë shqiptarë, që kanë realizuar të ardhura dhe janë taksuar për to jashtë Republikës së Shqipërisë në vende me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, tatimet e paguara të vërtetuara nga autoritetet e këtyre vendeve, janë të zbritshme. Në rast se të ardhurat i kanë realizuar dhe u janë taksuar jashtë Shqipërisë në vende me të cilat vendi ynë nuk ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, tatimet e paguara nuk janë të zbritshme. Ky sqarim jepet për faktin se një pjesë e mirë, të punësuar në OJF apo kompani private, u lind e drejta për të deklaruar, në rast se të ardhurat i kanë në vit mbi 2 milionë lekë. Natyrisht që tatimi në atë vend të huaj u mbahet, por nëse qeveria nuk ka një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë, rrezikojnë ta paguajnë edhe një herë tatimin 10 për qind.
Ekspertët:
Frikë për ndëshkime selektive
Shtyrja e afatit me katër muaj për deklarimin e të ardhurave personale gjykohet nga ekspertët e fushës si nismë ligjore që duhet përshëndetur, ashtu dhe ngritja e pragut monetar për të deklaruar, nga 200 mijë lekë në 2 milionë lekë në vit. Gjithsesi, mbi bazën e përvojave të ndryshme, gjykohet se skema që ofrohet ka disa të meta.
“Nisur nga përvoja e vendeve të zhvilluara, të cilat e kanë praktikuar me kohë deklarimin e të ardhurave dhe rimbursimin e shpenzimeve të tepërta të kryera, vendi ynë ka një ndryshim të madh, pasi të gjithë individët tatohen njëlloj, me 10 për qind, pavarësisht së ardhurës që krijojnë. P.sh, në disa vende, tatimi mbi të ardhurat bruto nga paga nis me 5 për qind dhe përfundon, po themi në 50 për qind, në varësi të shumës. Rimbursimi bëhet për familjet me të ardhura të pakta dhe deklarata e kryer bëhet pikërisht për të parë nëse ka krijuar më shumë të ardhura përveç pagës dhe tatimit të ulët të paguar në fillim”, thotë eksperti i fushës së taksave, Xhavid Curri. Sipas tij, skema aktuale nuk do të prodhojë ndonjë ndihmë për familjet e varfra, sesa do të shërbejë më shumë si mundësi për të ndëshkuar ndonjë individ për qëllime të caktuara.
Arjana Dyrmishi, drejtoreshë e Politikave Fiskale, në Ministrinë e Financave:
Individët të ruajnë faturat për disa shpenzime
Specialistët e Ministrisë së Financave gjykojnë se plotësimi i deklaratës është një veprim shumë i thjeshtë, mjafton t´i përmbahen rregullores. Ata individë me paga mesatare mujore prej 166 mijë lekësh kanë të drejtën ligjore të plotësojë deklaratën, ose e thënë ndryshe, me të ardhura vjetore 2 milionë lekë e më shumë. Mendohet se janë të paktën 450 mijë individë që kanë detyrimin ligjor për të deklaruar, nga 1 milion që ishte me skemën e vjetër, kur pragu ishte më i ulët, 200 mijë lekë në vit të ardhura.
“Deklarata është individuale dhe shumë e thjeshtë për t´u plotësuar. Individi duhet të plotësojë të gjitha të ardhurat, sikurse liston të gjitha taksat e paguara në burim dhe në rast se diferenca del pozitive, duhet të paguajë 10 për qind”, thotë Arjana Dyrmishi, drejtoreshë e Politikave Fiskale, në Ministrinë e Financave. Pagesa që duhet të paguajë prej 10 përqindësh lind pas verifikimeve të kryera nga tatimet për të ardhurat e krijuara, por për të cilat nuk janë shlyer detyrimet. Dyrmishi thotë se kush i ka të ardhurat vjetore më të pakta se 2 milionë lekë në vit nuk do ta plotësojë deklaratën, sikurse vullnetarisht mund ta dorëzojë ai individ me të ardhura jo më shumë se 1 milion lekë.
“Janë tri lloje shpenzimesh të zbritshme, si kontributet në skemat vullnetare të pensionit, interesat e kredive për arsim dhe shpenzimet për barna. Nëse për ilaçet ka një limit prej 35 mijë lekësh në vit, të njohura, për arsim nuk ka asnjë kufi, dhe kjo vlen për familjet me të ardhura vjetore (individi) prej 1 milion lekësh”, thotë Dyrmishi. Ajo thekson se individi duhet të jetë tepër i kujdesshëm në ruajtjen e faturave, sidomos ato për ilaçet, pasi në fund të vitit ka mundësi të rimbursohet. Rimbursimi kryhet vetëm atëherë kur diferenca e krijuar nga zbritja e të ardhurave bruto me shpenzimet e njohura del më e vogël se taksat e paguara.
Dyrmishi sqaron se ligji ka dy qëllime. “E para, formalizimin e atyre individëve që kanë të ardhura, por nuk paguajnë taksat. Deklarata është dokument tatimor dhe plotësohet sipas parimit të vetëdeklarimit, më pas i takon tatimeve të bëjnë verifikimin, përmes bankave, hipotekave, për të parë nëse individi i ka paguar taksat apo jo”, thotë shefja e politikave fiskale në ministri, duke dhënë sakaq shembullin e shumë individëve që krijojnë të ardhura nga qiratë, por që taksat nuk i paguajnë. Qëllimi i dytë është aspekti social.
Deklarata e të ardhurave duhet të shoqërohet bashkë me faturat që dëshmojnë pagesën e taksave. Dyrmishi thotë se verifikimet e çdo deklarate apo të çdo individi kryhen lehtësisht, pasi si mjet identifikues do të përdoret karta me numrin personal. “Të paktën individët 18 vjeç e lart e kanë kryer një herë veprimin me bankat, kështu që sistemi i ka të regjistruar të gjitha operacionet”, thotë ajo. Megjithatë, për shpjegime më të hollësishme, qeveria do të nxjerrë udhëzimet dhe aktet e posaçme për rastet e veçanta sesi do të trajtohen.
Gabimet
Deri në tri herë, Tatimet kanë të drejtë të falin dhe të japin mundësi për të korrigjuar gabimet e plotësuara në deklaratën e të ardhurave personale
Gjoba
Ata që deklarojnë me vonesë formularin e të ardhurave do të gjobiten me 10 mijë lekë dhe për ata që kanë fshehur të ardhurat, sanksionet janë më të mëdha
450 mijë
Sipas Drejtorisë së Tatimeve, mendohet se jenë të paktën 450 mijë deklarues të të ardhurave, sipas skemës me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë
Fushata
Administrata tatimore do të zhvillojë një fushatë sensibilizuese në media dhe me fletëpalosje sa i takon detyrimeve që rrjedhin nga ligji i të ardhurave
Drafti/Zbardhet relacioni shpjegues i Tatimeve: Kujdes me deklaratën
Nen pas neni, çfarë parashikon ligji i ri
Ndryshimet ligjore në këtë projektligj lidhen me propozimin e disa ndryshimeve që kanë të bëjnë me realizimin e reformës për Deklaratën Personale Individuale, në kuadër të mirëtrajtimit të disa çështjeve që kanë dalë nga administrata tatimore.
Në nenin 1 të projektligjit propozohet që në nenin 8/1 që lidhet me të ardhurat e përjashtuara të përfshihen edhe kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni. Ky propozim bëhet për të siguruar koherencë me ligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, ku në nenin 88, në pikën 3 të të cilit janë parashikuar lehtësirat fiskale që të tilla kontribute për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit.
Në nenin 2 propozohet riformulim i nenit 13 të ligjit, për të garantuar mbulimin e të gjitha rasteve të individëve që duhet të deklarojnë të ardhurat vjetore përfshirë individët rezidentë dhe jo rezidentë me të ardhura brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë vendit, por që mund të vijnë për periudha më të shkurtra se 183 ditë në Shqipëri (pra nuk bëhen rezidentë fiskalë) dhe që krijojnë të ardhura në Shqipëri; si dhe vendos një kufi barazie mbi një kriter të vetëm për të gjithë individët deklarues, që është një shumë e përcaktuar të ardhurash pavarësisht nga kategoria e individit dhe forma dhe burimet e të ardhurave të siguruara prej tij.
Kufiri minimal i të ardhurave mbi të cilin lind detyrimi i deklarimit është vendosur në shumën prej 2.000.000 lekësh të ardhura bruto në vit. “Kjo shumë e vendosur si prag deklarimi për vitet e para të reformës do t´i shërbejë një administrimi më të mirë, me një numër më të kufizuar deklaruesish, kufi i cili mund të ndryshohet me ligj në vitet në vijim, në varësi të ecurisë së procesit dhe të edukimit të individëve deklarues.
Bazuar në këtë frymë, është propozuar që individët të cilët kanë të ardhura vetëm nga një ose më shumë burime të ardhurash si paga, të vetëpunësuarit, pensionet, interesat bankare dhe dividendët të mos jenë subjekt i plotësimit të deklaratës, për arsyen e thjeshtë se të ardhurat e marra nga këta individë iu është mbajtur/ paguar në burim tatimi mbi të ardhurat personale”, thuhet në relacion.
Në nenin 3 të projektligjit propozohet e drejta e deklaruesit për të bërë tri herë korrigjime, brenda tre muajve pas depozitimit në organin tatimor të deklaratës. Gjithashtu formulimi vendos edhe përgjegjshmërinë e deklaruesit krahas së drejtës që i jepet, duke lehtësuar e qartësuar marrëdhënien me organin tatimor, se herën e tretë do të aplikohen penalitetet.
Në nenin 4 të projektligjit bëhet një saktësim i kategorisë së shpenzimeve të zbritshme, të cilat janë kontributet vullnetare në fondin e pensionit vullnetar dhe kontributet vullnetare të individit për shëndetin, të derdhura nga vetë individi.
“Në bazë të ndryshimeve të fundit të bëra në korrik të këtij viti, ku paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, është bërë jo më pak se 17,540 lekë, ndërsa paga maksimale mujore është bërë 87,700 lekë, propozohet që të rritet pragu i njohjes së shpenzimeve të zbritshme nga 800 mijë lekë në 1.050.000 lekë, duke marrë për bazë pagën maksimale mujore”, sqarojnë tatimet.
Ky propozim është njëherazi edhe në adresim të propozimit të bërë pranë Ministrisë së Financave nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare për rritje të pragut të njohjes së shpenzimeve të zbritshme në mënyrë që të përfshihen të gjithë qytetarët, të cilët janë pjesë e skemave të sigurimit vullnetar.
Në nenin 5 të projektligjit saktësohet se dokumentet që do t´i bashkëlidhen deklaratës janë vetëm ato të cilat justifikojnë kryerjen e shpenzimeve të zbritshme, pasi duhen kapacitete të mëdha në sistemin e IT-së për t´i depozituar, si dhe në arshivë kur formularët dorëzohen në letër.
Në nenin 6 të projektligjit propozohet përcaktimi shtesë për individët rezidentë fiskalë shqiptarë, që kanë realizuar të ardhura dhe janë taksuar për to jashtë Republikës së Shqipërisë. Ky përcaktim shtesë lind si detyrim i parashikimit edhe të kësaj kategorie individësh deklarues, e cila nuk ishte përmendur në ligjin ekzistues.
Në nenin 7 propozohet që kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme, të parashikuara në nenin 13/3 të këtij ligji, të kryhen brenda datës 31 dhjetor të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është mbyllur deklarimi. Afati i ri i ndryshuar i kreditimit diktohet nga shtyrja e afatit të deklarimit të propozuar (30 shtator 2012). Gjithashtu nëpërmjet këtij afati vendoset një periudhë më optimale për kreditimin.
Afatet
Në nenin 9 të projektligjit propozohet që vetëm për vitin e parë të zbatimit të kësaj reforme të rëndësishme të jetë afati i dorëzimit të deklaratave deri më 30 shtator 2012 e jo 30 prilli 2012, kurse në vijim do plotësohet në prill të çdo viti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.