Imagjinata që një ditë, një pjesë e transportit publik do të zhvendosej në ajër, është kthyer tashmë në realitet. Teknologjia ka përparuar dhe po bën hapa gjigantë çdo ditë, në përmirësimin e dronëve të destinuar për të transportuar edhe pasagjerë në hapësirën e përcaktuar për këtë kategori transporti.
Investitorët janë të bindur dhe planet e biznesit janë miratuar për të mundësuar “take off” e para. Testimet po përfundojnë me sukses. Pilotët dhe dispeçerët që do të drejtojnë automjetet nga distanca janë gati. Ligjet dhe rregulloret përkatëse, të paktën në BE dhe SHBA, janë miratuar. Mbeten për t’u përfunduar marrja e vendimeve politike dhe perceptimi e pranimi nga publiku.
Koncepti i dronëve, që do të përdoren për transportin publik në parim, bazohet në të njëjtat aftësi teknologjike të të gjithë droneve sot. Ngritjes në ajër nëpërmjet helikave, që mund të jenë 4, 6, apo 8, fenomen i ngjashëm me ngritjen e helikopterëve. Sasia e helikave bën të mundur balancimin e dronit, edhe në situata të vështira meteorologjike dhe gjeografike.
eVTOL është terminologjia dhe identifikimi i dronëve për efekte transporti, qoftë pasagjerësh, por edhe objekteve të tjera që duhet të transportohen në distanca të mëdha dhe shpejt. eVTOL (Electric Vertical Take of and Landing) përkthehet ngritje dhe ulje vertikale, duke përdorur energji elektrike ose hibride. Ndryshimi i dronëve eVTOL nga dronët për përdorim civil që njohim, është parimi dhe mundësia e transformimit të helikave nga pozicioni vertikal, që shërben për ngritje dhe ulje, në helika horizontale, të cilat shërbejnë për fluturim horizontal, si avionët me helika që njohim. Mundësia e këtij transformimi, si qëllim dhe efekt kryesor, ka rritjen e shpejtësisë dhe si pasojë, fluturim në distanca shumë më të largëta se një dron i thjeshtë.
Me gjithë sukseset aktuale në këtë segment të UAS (Unmanned Aircraft System), ka edhe shumë probleme për t’u zgjidhur, që nesër të shohim mbi kokat tona taksitë e para.
Problemi i parë teknik është burimi i energjisë. Me gjithë zhvillimet e jashtëzakonshme në fushën e baterive, si ushqimi kryesor për mjetet lëvizëse të së ardhmes, ka ende dilema dhe pikëpyetje në efikasitetin e tyre, por edhe në përdorimin pa kontroll që ka dhe do të ketë ndikim negativ në mjedisin. Industritë më të fuqishme të fushës së baterive po eksperimentojnë metoda dhe procese kimike dhe mekanike për të reduktuar madhësinë, por sidomos, problemin më akut, atë të kohës së rikarikimit të tyre. Ky proces është nga më të rëndësishmit, pasi do të rriste në maksimum efikasitetin dhe gatishmërinë e eVTOL. Ky është një nga problemet me të cilat përballet edhe industria e makinave elektrike. Por për eVTOL kjo është më jetike.
Edhe zgjidhja teknike e uljes në maksimum të zhurmës së krijuar nga dronët është një nga prioritetet aktuale të industrisë. Ulja e nivelit të decibelëve që shkaktohen nga helikat e dronëve ka edhe një ndikim direkt në “zbutjen” e publikut kur bëhet fjalë për “public perception” kundrejt dronëve.
Problem tjetër, është monitorimi dhe menaxhimi i dronit nga distanca. BE-ja, respektivisht EASA, ka përshpejtuar kornizën ligjore që duke filluar nga 1 janari 2023, të gjithë dronët e regjistruar në hapësirën e BE-së, të pajisen me pajisjet përkatëse dhe të kenë mundësi të identifikohen nga autoritetet e autorizuara kompetente vendase.
Regjistrimi i dronëve, i detyrueshëm nga 1 janari 2021, i ngjan regjistrimit të automjeteve me targat e tyre përkatëse. Kjo mundëson identifikimin në çdo vend dhe kohë të subjektit që ka marrë lejen për operimin e dronit. Por mund të bëhet e mundur vetëm me një sistem të unifikuar monitorimi që në terminologjinë e fushës quhet Remote ID. Në SHBA, ku kultura dhe biznesi i fluturime civile edhe nga operatorë privatë ka një traditë të gjatë, detyrim i vënë nga FAA (Federal Aviation Administration) është në fuqi që nga fillimi i këtij viti.
Këtij problemi i shtohet kapaciteti juridik dhe know-how i ekzekutivit. Cilët do të jenë “policët ajrorë” që do të kontrollojnë trafikun ajror të dronëve. Autoriteti i licencave, si p.sh. autoritetet e aviacionit civil, nuk kanë mandat ekzekutiv. Kështu që do të lindë nevoja e trajnimit juridik dhe teknik e forcave të rendit, për të mundësuar një koordinim dhe kontroll efikas të mjeteve fluturuese.
Megjithëse problemet e lartpërmendura janë pothuajse të zgjidhura ose po punohet për zgjidhjen e tyre, çështja më problematike mbetet perceptimi dhe pranimi i publikut ndaj dronëve të legalizuar për të fluturuar në qiejt tanë, sidomos në zonat a banuara. Ky është një problem që do të kërkojë përpjekje dhe kohë nga të dyja palët.
Pushteti vendimmarrës, qoftë lokal, qoftë qendror dhe publiku, përshi këtu mediat, gazetarinë, lëvizjet ambientaliste dhe grupet e ndryshme të interesit. Është fenomen i njohur që çdo teknologji e re bart me vete edhe dyshimet, mungesën e besimit, ndikimin nga raporte kontroverse, interpretimin joshkencor të shkaqeve dhe pasojave në rast mosfunksionimi e shumë pro e kundër në të gjitha fushat e jetës sonë. Është gjithmonë e vështirë që masa të bindet për domosdoshmërinë e teknologjive të reja. Këtu përfshihet edhe pozicionimi i politikës, e cila ndjek shpesh qëllime të ndryshme nga ato të perceptuara nga publiku. Kështu gjejnë terren edhe teoritë konspirative të të gjitha formave.
Megjithatë, siç u përmend më lart, metropole të interesuara në Europë, kanë filluar testimet e taksive ajrore dhe po punohet. P.sh. qyteti i Linz-it në Austri lejoji dhe testoi për herë të parë fluturimi e taksive të prodhuara nga një nga liderët teknologjikë në fushën e eVTOL, eHang. Këtë vit do të përfundojë një studim fizibiliteti i financuar nga EAS (European Space Agency) si pjesë e programeve Smart City the UAM (Urban Air Mobility). Janë zgjedhur këto qytete që kanë treguar interes për të futur dronët në strategjitë e tyre të transportit. Bari dhe Taranto (IT), Amsterdam (NL), Ingolstadt dhe Aachen (DE)
Çdo mundësi biznesi nxit edhe interesin e investitorëve dhe inxhinierëve, por edhe politikës në mbarë botën për të përfituar nga teknologjia e së ardhmes. Në fund të fundit, çdo teknologji e vënë në shërbim të publikut të gjerë, sjell me vete automatikisht edhe vende të reja pune dhe orienton kapacitetet e burimeve njerëzore në fusha të reja, me pasoja pozitive afatgjata.
Kompanitë e mëposhtme të shpërndara në të gjithë botën dhe ato të reja që do të shfaqen shumë shpejt, do të jenë pjesë e lajmeve të përditshme në fushën e transportit ajror civil
Airbus – Francë/BE, eHang – Kinë, Job Aviations – USA, Archer Aviations – USA, Volocopter – Gjermani, Lilium – Gjermani, Wisk – SHBA dhe Zelandë e RE, Vertical Aerospace – Britani e Madhe, Urban Aeronautics – Izrael e shumë të tjera.
*Adrian Haxhiaj
Konsulent në fushën e Telekomunikacionit dhe Dronëve
Anëtar dhe bashkëpunëtor i Shoqatës së UAS në Gjermani UAVDACH (www.uavdach.org).
Anëtar i shoqatës më të madhe në SHBA, AUVSI (www.auvsi.org)
Anëtar i shoqatës CIVATAGLOBAL e përkushtuar në fushën e UAM (urban air mobility) https://www.civataglobal.org/