Në sytë e fqinjëve të saj në Ballkan, Kroacia është më fatlumja, sepse ajo është bërë pjesë e Bashkimit Europian, që gjashtë vite më parë. E megjithatë, një fakt i tillë nuk ka ndikuar aspak për të ulur numrin e kroatëve, që vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre i origjinës, duke e bërë kështu Kroacinë që të përballet me të njëjtat probleme si ato të shteteve të tjera të rajonit, shkruan Lajla Veselica për AFP
Teksa Zagrebi përgatitet të marrë Presidencën e radhës të BE-së, më 1 janar të vitit që vjen, qeveria po lufton për të frenuar eksodin e emigrantëve që po zbraz çdo cep të Rajonit të Ballkanit.
Tabelat, që ndeshen shumë shpesh në fshatra dhe qytete dhe që kanë të shkruar “Në Shitje”, janë tregues i dhjetëra mijëra banorëve, që janë larguar drejt kryeqyteteve më të pasura europiane.
“Fëmijët po qeshin gjithnjë e më pak”, shprehet Visnja Cosic, 50-vjeçarja që shet perime në një treg të hapur në qytetin e vogël të Petrinjas, ku një në tetë persona janë larguar gjatë dekadës së kaluar. “Në qytete të vogla si ky nuk ka punë”, shpjegon ajo.
Burri i saj Mario shton “ Nëse do të isha 20 vjet më i ri unë do të blija një biletë vetëm vajtje për në Europën Perëndimore”.
Që nga anëtarësimi i saj në Bashkimin Europian, eksportet e Kroacisë janë rritur dhe vendi ka mirëpritur fondet e BE-së për infrastrukturën dhe projektet e tjera. Por, paga mesatare mujore prej 862 eurosh (960 dollarësh) ende nuk mund të konkurrojë me ato në vendet më të pasura të bllokut, ndërkohë që korrupsioni dhe nepotizimi janë ende të pranishme edhe në Kroaci, ashtu si edhe në pjesën e vendeve të tjera të Ballkanit.
Sipas Eurostat, hapja e kufijve ke ndikuar në rritjen e nivelit të emigracionit, ku rreth 15.4 për qind e kroatëve në moshë pune tani jetojnë në shtete të tjera të Bashkimit Europian. Ky është njëkohësisht edhe proporcioni i dytë më i lartë brenda bllokut, pas atij të Rumanisë. Sipas të dhënave zyrtare, që nga hyrja e saj në BE në vitin 2013, 190,000 njerëz janë larguar nga shteti kroat me rreth 4.2 milionë banorë. Këto janë shifrat zyrtare, ndërsa ekspertët shprehen se numri i vërtetë i kroatëve, që janë larguar drejt shteteve të tjera të BE-së, mund të jetë diku rreth 300,000 kroatë.
- Gjermani, Austri, Irlandë –
Sipas një studimi të kryer së fundmi nga Universiteti i Zagrebit, më shumë se dy të tretat e kroatëve largohen për arsye ekonomike, ndërsa të tjerë largohen si pasojë e nivelit të lartë të korrupsionit në vend.
“Njerëzit e perceptojnë situatën e tyre ekonomike si të keqe, por ata nuk shohin asnjë mundësi sesi mund ta ndryshojnë atë për më mirë, sepse “rregullat e lojës” janë fikse dhe çka është më e keqja, sistemi është i korruptuar”, u shpreh Zvonimir Galic, një profesor psikologjie, që edhe drejtoi studimin e mësipërm.
Ana-Marija Hota, e lindur në Zagreb të Kroacisë, ka drejtuar për mbi një dekadë një sallon bukurie, të cilin e kishte marrë me qira në kryeqytetin kroat.
Por vetëm dy muaj pasi Kroacia u bë pjesë e BE-së, në vitin 2013, ajo së bashku me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e tyre vendosën të emigronin në Irlandë, një prej destinacioneve të preferuara të kroatëve, krahas Gjermanisë dhe Austrisë. Dhe ata nuk kanë asnjë plan për t’u rikthyer në atdhe.
“Faktori kryesor, që na bëri të marrim vendimin dhe të largohemi ishte ai ekonomik, sepse të ardhurat që do të fitonim atje do të ishin padyshim më të larta”, u shpreh 37 vjeçarja Hota, e cila tani është e dy punësuar në një sallon bukurie dhe në një agjenci marketingu dixhitale në Dublin. Faktorë të tjerë kanë qenë niveli i lartë i korrupsionit, paprekshmëria e politikanëve të dyshuar se kanë qenë të përfshirë në çështje të paligjshme, intoleranca, etj”, përfundoi ajo.
Jo vetëm fshatrat dhe qytezat e vogla rurale po zbrazen me një shpejtësi marramendëse, por edhe të rinjtë e arsimuar të Zagrebit po i paketojnë gjithashtu çantat e tyre, duke shkaktuar kështu një “rrjedhje të trurit”.
“Unë mora një ofertë të cilën nuk mund ta refuzoja”, shprehet 26 vjeçari Ivan Krpelnik, specialist i Teknologjisë së Informacionit, që është aktualisht duke punuar në Gjermani që prej muajit gusht të këtij viti.
“Këtu, puna dhe përpjekjet vlerësohen shumë më tepër sesa në Kroaci”, shton ai, duke përmendur gjithashtu edhe shërbimet shumë të këqija shtetërore që ekzistojnë në Kroaci, një prej të cilave dhe ndër më të rëndësishmet, ai i kujdesit shëndetësor.
- “Kolapsi demografik”-
Edhe shtete të tjera të Europës Lindore u përballën me situata të ngjashme të emigracionit në masë, veçanërisht pasi u bënë pjesë e Bashkimit Europian.
“Por popullsia e vogël e Kroacisë kërcënohet në mënyrë të veçantë nga një fenomen i tillë”, shprehet demografi Stjepan Sterc. Norma e ulët e lindshmërisë në vend, sistemi i pensioneve të ulëta, niveli aspak i mirë i sektorit të shëndetësisë dhe arsimit, janë të gjithë faktorë që rrezikojnë krijimin e një “kolapsi të mundshëm demografik”, që do të jetë gjithashtu një kërcënim për ekonominë në përgjithësi, përfundoi z. Sterc.
Sipas të dhënave të Eurostat, PBB-ja për frymë e Kroacisë renditet si PBB-ja e dytë më e ulët në BE, pas asaj të Bullgarisë.
Ekonomia po varet gjithnjë e më shumë nga industria e turizmit, ku bizneset po mbështeten tek emigrantët e vendeve fqinje të Ballkanit për të zëvendësuar mungesën e theksuar të fuqisë punëtore.
Qeveria e pranon ekzistencën e një problemi të tillë por pranon gjithashtu edhe faktin se ka pasur probleme për ta ndryshuar atë për më mirë.
Presidentja Kolinda Grabar-Kitarovic, e cili do të rikandidojë sërish në zgjedhjet e fund-dhjetorit, e cilëson zvogëlimin e popullsisë së Kroacisë, si një prej sfidave më të mëdha të qeverisë kroate.
Edhe Kryeministri i vendit, Andrej Plenkovic, bie plotësisht dakord me znj. Grabar-Kitarovic, dhe e cilëson frenimin e emigracionit në masë, si një prej mënyrave më të sigurta të mbijetesës së kombit kroat.