Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka reaguar lidhur me rezolutat mbi progres-raportet të zgjerimit të Komsionit Europian për vitet 2019-2020 për disa vende të rajonit përfshirë Shqipërinë duke theksuar se mbështet detyrat që janë lënë në disa sektorë.
Sa i takon energjisë janë të paktën tetë pika që kanë të integruar edhe mjedisin dhe transportin.
Sekretariati i Parlamentit Europian nxit qeverinë të minimizojë ndikimin në biodiversitetin duke ndaluar zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në zonat pranë lumenjve Valbonë dhe Vjosë dhe të vendosë sa më shpejt të jetë e mundur që Parku Kombëtar i Vjosës, të shtrihet në të gjithë gjatësinë e lumit. Në të njëjtën linjë është theksuar që të përmirësohen vlerësimet e ndikimit në mjedis si dhe transparenca për sektorë të ndjeshëm nga ana ekologjike duke rritur ndëshkimin e krimeve mjedisore.
Po kështu ai e inkurajon Shqipërinë të diversifikojë prodhimin e energjisë, të sigurojë investime të shëndetshme ekonomike dhe mjedisore në operimin e hidrocentraleve dhe të rrisë investimet me kosto efektive në burimet e erës dhe diellit.
Progres-raporti kujton se ende janë të nevojshme përpjekje thelbësore për të përmbushur qëllimet që lidhen me eficencën e energjisë, sigurinë e furnizimit, zvogëlimin e emetimeve dhe energjinë e rinovueshme dhe diversifikimin e saj, përmes tranzicionit drejt energjisë së qëndrueshme, ngrohjes dhe transportit.
Një tjetër detyrë që i është lënë Shqipërisë duket se lidhet me linjën me Maqedoninë e cila ka vite që flitet por mbetet ende pa realizuar.
“Nxit autoritetet për të siguruar pajtueshmëri të plotë me Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke përfshirë dhe bërë funksional shkëmbimin e energjisë në Shqipëri, duke vazhduar hapjen e tregut, duke siguruar ndarjen funksionale të operatorëve të sistemit të shpërndarjes dhe sigurimin e bashkimit të tregut të energjisë elektrike; nënvizon kontributin e tubacionit trans-Adriatik të sapo nisur dhe lidhjen e ardhshme të termocentralit të Vlorës në sigurinë rajonale të energjisë; kujton nevojën për të përfunduar reformën e tregut të energjisë elektrike dhe për të filluar linjën e transmetimit Manastir-Elbasan me Maqedoninë e Veriut” thuhet në dokument.
Lidhur me transportin që përfshihet në të njëjtën kapitull, Parlamenti Europian ka vënë theksin tek çuarja para e pjesës shqiptare të ‘Autostradës Blu’, për të përfunduar reformat e sektorit hekurudhor dhe të bëjë përparim të mëtejshëm në lidhjen hekurudhore Tiranë-Podgoricë-Durrës.
Komuniteti i Energjisë është një organizatë ndërkombëtare e cila koordinon Bashkimin Evropian dhe fqinjët e saj për të krijuar një treg të integruar pan-Evropian të energjisë./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.