Artan Dulaku, Genc Dulaku dhe Adrian Dulaku kanë marrë sërish kontrollin e plotë mbi shoqërinë Media Vizion (Vizion Plus), me nga 33.33% të aksioneve secili, pasi kanë blerë mbrapsht 67% të aksioneve nga grupi mediatik gjerman WAZ media. Lajmi bëhet i ditur nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR), që ka reflektuar ndryshimet e pronësisë dhe nga Autoriteti i Konkurrencës. Ky i fundit ka njoftuar “Autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet dy transaksione sipas të cilave shoqëritë Ost Holding Gmbh dhe Media Holding Beteiligungs AG i japin kontrollin e plotë mbi shoqërinë Media Vizion aksionerëve Artan Dulaku, Genc Dulaku dhe Adrian Dulaku.
Sipas autoritetit përqendrimi i realizuar është pasojë e dy marrëveshjeve:
- Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet shoqërisë Ost Holding Gmbh dhe aksionerëve Artan Dulaku, Genc Dulaku dhe Adrian Dulaku më date 14.05.2012 me objekt transferimin e 40 % të aksioneve të saj tek këta të fundit.
- Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet shoqërisë Media Holding Beteiligungs AG dhe aksionerëve Artan Dulaku, Genc Dulaku dhe Adrian Dulaku më datë 14.05.2012 me objekt transferimin e 27 % të aksioneve të saj tek këta të fundit
Tregu i Vizion Plus
Sipas palës njoftuese, njofton autoriteti, nga sondazhet e kryera nga Televizioni Vizion +, tre operatorët e tregut mediatik, konkurrentë kryesor të shoqërisë Media Vizion sh.a janë: Tv Publik Shqiptar; Tv Top Channel dhe Tv Klan. Kjo bazuar tek monitorimi i herëpashershëm i shitjes së kohës publicitare si burimi kryesor i shoqërive të cilat operojnë në këtë treg. Nga të dhënat e M.C Monitoring , të mundësuara për palën njoftuese rezulton setë ardhurat më të mëdha nga reklamat e transmetuara i ka Tv Klan, i ndjekur nga televizionet Top Channel, Ora Neës, dhe Vizion Plus me 11 % te tregut.
Përftuesit e kontrollit kanë pjesëmarrje në disa shoqëri shqiptare, kryesisht me objekt veprimtarie në fushën e ndërtimit duke mos shkaktuar mbivendosje të aktivitetit ekonomik me shoqërinë objekt transaksioni. Gjithashtu përftuesit e kontrollit (z. Artan Dulaku, Adrian Dulaku, Genci Dulaku) zotërojnë së bashku rreth 77% të aksioneve të shoqërisë Albanian Satellite Communication (platformës private numerike satelitore Tring Tv) e cila është pjese e një tjetër tregu përkatës(shërbimi televiziv me parapagese).
Ky transaksion, sipas analizës së autoritetit nuk sjell ndryshime në strukturën e tregut pasi kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim kontrolli në shoqërinë Media Vizion sh.a që nuk ka shkaqe të arsyeshme të shfaqjes së shenjave të kufizimit në mënyrë të ndjeshme të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij si rezultat i krijimit apo forcimit të pozitës dominuese, vlerëson Autoriteti i Konkurrencës në analizën e tij, duke autorizuar përqendrimin e realizuar nëpërmjet dy transaksione sipas të cilave shoqëritë Ost Holding Gmbh dhe Media Holding Beteiligungs AG i japin kontrollin e plotë mbi shoqërinë Media Vizion aksionerëve Artan Dulaku, Genc Dulaku dhe Adrian Dulaku.
Dulakët kanë blerë 40% të kuotave nga Ost Holding Gmbh (shitësi), një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me seli në Vjenë dhe seli në Tuchlauben dhe Media Holding Beteiligungs (shitësi) i pjesës prej 27% të kuotave, që është një shoqëri me seli në Zvicër
Ardhja dhe largimi i WAZ
WAZ Media Group bleu 67% të aksioneve të Vizion Plus disa vjet më parë. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku kishte hyrë kryesisht në median e shkruar, në Shqipëri ata vendosën të blinin një media elektronike, duke i qëndruar larg tregut jo fitimprurës të gazetave. Por tashmë dhe media elektronike,- ku të ardhurat për frymë nga reklamat në Shqipëri konsiderohen më të ulëtat në rajon- , duket se nuk ka përbërë interes për grupin mediatik gjerman. Ky i fundit është tërhequr dhe nga zotërimet e tij edhe në Serbi, kryesisht për shkak të problemeve politike.
Bodo Hombach, ish drejtor i grupit gjerman WAZ Media, rreth dy vjet më parë ishte mjaft kritik lidhur me abuzimin me fuqinë dhe lidhjet mes qeverive dhe oligarkëve në Europën Juglindore.
Ai foli në atë kohë për një tërheqje të plotë të planifikuar nga rajoni, që sipas tij motivohej nga klima e pafavorshme e biznesit e shkaktuar nga “abuzimi i përhapur me pushtetin.”
“Ndërveprimi i ngushtë mes oligarkëve dhe fuqive politike po e helmon tregun,” deklaroi ai.
Që prej asaj kohe WAZ është tërhequr gradualisht nga Serbia dhe Bullgaria.
Në tërësi ai u shpreh për një mungesë besimi në të gjithë rajonin e Europës Jug Lindore.
“Oligarkët në Ballkan po blejnë gjithnjë e më shumë për vete në mënyrë që të zgjerojnë influencat politike, jo në mënyrë që të fitojnë para. Ne nuk mund të përballemi me një konkurrencë në një treg të tillë të shtrembëruar,” tha Hombach.
Përkeqësimi i tregut të reklamave në rajon gjithashtu është një motiv për tërheqjen e WAZ.
Ndryshimi i pronësisë reflektohet dhe në QKR
Në Qendrën Kombëtar të Regjistrimit janë reflektuar ndryshimet e fundit të pronësisë së Media Vizion. Sipas QKR-së, tre aksionerët e Vizion Plus janë Artan Dulaku, Genc Dulaku dhe Adrian Dulaku, të tre me nga përkatësisht 33.33% të aksioneve.
Më parë struktura e aksioneve ishte: Artan Dulaku 8,24%; Genci Dulaku 8,25%; Adrian Dulaku 8,25%; Eleonora Comarin 8,25%; OST Holding GmbH 40%; Media Holdings Beteiligungs AG 27%.
Tërheqja e TV Antena të Greqisë
Biedimet për shitjen e pjesës së WAZ group zotëronte te Vizion Plus kanë nisur prej kohësh. Mes të interesuarve për të blerë paketën në shitje mësohet se ka qenë dhe TV Antenna e Greqisë, kompania më e madhe mediatike greke, e cila u tërhoq pas fillimit të krizës ekonomike në Greqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.