Ligji për fiskalizimin hyn në fuqi nga data 1 janar 2020, por zbatimi real nga bizneset nis më datë 1 prill. Ministrja për Financat dhe Ekonominë, në një interpelancë me biznesin, nëpërmjet platformës së qeverisë, nënvizoi se koha nga 1 janari deri më 31 mars do të shërbejë si formë testimi dhe përshtatje me aspektin teknik që imponon ligji si, dhe me rregullat e reja.
“Ne ndajmë shqetësimin që shpesh është lakuar në grupet e interesit që koha e datës 1 janar është e pamjaftueshme për të nisur zbatimin si për pajisjet dhe për rregullat e reja. Për këtë arsye në draftin që ka kaluar tek ministritë e linjës dhe që është në diskutim, është menduar një periudhë tranzitore prej 3 muajsh për përshtatje të implementit për sistemin dhe testimin. Kjo nënkupton që ligji ka efektivitetin nga 1 janari, por ka një fazë tranzitore deri në finalizimin e elementeve teknike deri në 31 mars.
Shumë nga shqetësimet lidhen me pjesë që po i trajtojmë në udhëzim. Një projektligj që po del, nuk mund të mendohet pa udhëzimet dhe ne po punojmë paralelisht dhe ditën e hënë do të dalin për konsultim udhëzimet si pjesë e integruar e projektit, pasi këtu trajtohen dhe elemente si përjashtime për industri të caktuara apo elemente të tjera që ligji nuk i jep dot zgjidhje. Udhëzimet do të jenë për konsultim nga e hëna dhe do të ketë sigurisht dhe aty nevojë për detajim të madh të problematikave teknike” – tha Denaj.
Lidhur me aplikacionin u nënvizua se tashmë nga gushti, kompanive të interesuara për ta prodhuar atë u është vënë në dispozicion informacion dhe protokolli dhe deri më tani, një grup që varion nga 70-100 kompani ka shprehur interes për t’u bërë pjesë e procesit.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi procesin e gjatë të konsultimit për fiskalizimin që ka nisur nga muaji gusht. Sistemi, sipas saj, paraqet një sërë risish që synojnë të bëjnë mbikëqyrje dhe transmetim të të dhënave në kohë reale për çdo produkt dhe faturë tatimore në Drejtorinë e Tatimeve. “Kjo bëhet dhe sot, por të dhënat do të jenë në kohë reale në realizimin këtij sistemi të ri teknologjik. Nëse flasim për gjithë risitë e këtij projektligji, efekti i kohës reale nuk është i vetmi i rëndësishëm. Në vitin 2021 do të kemi një sistem elektronik të gjithë faturës.
Ky aplikacion do të vendoset në gjithë pajisjet fiskale aktuale, të cilat do të jenë të integruara me këtë aplikacion. Sistemi do të mundësojë përdorimin e pajisjeve të reja e hardware siç mund të jetë desktop apo mobile. Në thelb synohet rritja e të ardhurave përmes përdorimit më efektiv të sistemit dhe eficencës së Tatimeve. Është një proces që kërkon kohë dhe koha për të realizuar këtë projektligj është menduar të jetë nga data 1 janar 2020 deri në mesin e vitit 2021. Sigurisht që ka modalitete që do t’i shohim me kujdes për fazat që të ketë përshtatshmëri të realitetit të bizneseve dhe administratës tatimore” – tha Denaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.