Grantet e rikonstruksionit, rritet 36% fondi i miratuar; Do përfitojnë 32,6 mijë familje për 11 bashki të Shqipërisë

02/02/2021 11:00 PM 0 komente

Rreth 15 miliard lekë është totali i granteve për rikonstruksion të miratuara nga 11 bashkitë në të gjithë vendin.

Fondi i miratuar për t’u shpërndarë deri në dhjetor 2020 është rritur 36% krahasuar me 1 muaj më parë. Sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Rindërtimit nga grantet e rikonstruksionit do të përfitojnë 32,631 familje në qytetet si: Tiranë, Durrës, Shijak, Kavajë, Krujë, Vorë , Kurbin, Lezhë, Kamëz, Rrogozhinë dhe Mirditë.

Totali i fondit të miratuar për rikonstruksionin e pallateve apo shtëpive të dëmtuara nga tërmeti deri  në fund të muajit nëntor ishte 9,8 mld lekë për 11 bashkitë e vendit. Nga totali i miratuar për 11 mujorin e 2020 është paguar 60% e fondit për 22 mijë familje. Ky program parashikon kryerjen e punimeve për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti nga vetë qytetarët, ndërsa paratë do të rimbursohen nga shteti.

Deri në fund të dhjetorit 2020, sipas ministrisë të Rindërtimit janë miratuar grante për rikonstruksionin e shtëpive me dëmtime të lehtë, të klasifikuara si DS1 dhe DS3 me fondin prej 9,2 mld lekë. Ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj pohoi se këto grante do të shpërndahen për 31,550 familje.

Për shtëpitë individuale dhe apartamentet e me dëme të klasifikuara të shkallës DS4 dhe DS5 janë 1,081 përfitues me vlerë fondi 2,84 mld lekë.

Për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta për 1,166 pallate do të shpërndahet granti me vlerë 2,9 mld lekë.

Më herët në Fletoren Zyrtare u publikua vendimi me ndryshimin e rregullave dhe procedurave të përfitimit të grandeve të rikonstruksionit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Masa e grantit për punimet e ambienteve të përbashkëta në pallat do të jetë 100% e vlerës së riparimit nga 50% e vlerës që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Ndryshimet lehtësojnë banorët e pallateve të dëmtuara nga investimi i vlerës shtesë mbi grantin e përfituar.

Lexo edhe këtë: Rritet vlera e grantit përfitues për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të pallateve

Vendimi parashikon se në rast se dëmtimet që kanë nevojë për rikonstruksion ose riparime në pallate duhen kryer dhe në mjedise të përbashkëta ose në bashkëpronësi të ndërtesës, pjesa përkatëse e grantit të rikonstruksionit përfitohet nëpërmjet aplikimit nga administratori i pallatit, i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi, dhe llogaritet nga njësia vendore ose autoriteti përgjegjës veçmas nga granti që përfitojnë individët ose familjet për banesat e tyre të dëmtuara

Miratimi i granteve të rikonstruksionit nisi në muajin maj 2020 me Bashkinë e Shijakut, pas përfundimit të aplikimeve në platformën elektronike dhe shqyrtimit të dosjeve nga bashkitë. Në fazën e parë të procesit për Shijakun u miratua fondi prej 640 mln lekë për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta në 27 pallate. Përfitues ishin 1,174 familje.

Sakaq zbatimi i programeve për rindërtimin e banesave individuale, objekteve arsimore dhe infrastrukturën publike nisi të zbatohet në qershor të 2020. Programet për rindërtimin e banesave kolektive nisën në muajin korrik.

Në total në vend janë shembur 115 pallate, ku numri më i lartë rezulton në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar janë 242 pallate.

Numri më i lartë i shembjeve është te shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Referuar shifrave të Ministrisë së Rindërtimit numri i tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak do të shemben 99 shtëpi individuale dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale./D.Azo

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of